Të ndjekësh Jezusin mes stuhive

Print

Titulli: Të ndjekësh Jezusin mes stuhive (pjesa 1)

E shtuna e zezë është përdorur në raste të ndryshme përgjatë historisë. Por në disa vende të botës së tretë, aty ku dominon një formë eklektike e katolicizmit, kjo njihet si dita midis të premtes së mirë dhe të dielës së Pashkës.

Gjatë të shtunës së zezë shumë njerëz, refuzojnë të dalin nga shtëpia e tyre. Sepse besojnë se në atë ditë të vitit, Jezusi është i vdekur.

Arsyeja përse nuk dalin nga shtëpia është se mendojnë se kjo ditë është shumë e rrezikshme. Ka nga ata që besojnë se çdo njeri që vdes të Shtunën e zezë shkon drejt e në ferr, sepse nëse Jezusi është i vdekur, Ai nuk mund t’i shpëtojë mëkatarët. Prandaj këta njerëz rrinë në shtëpi, nuk guxojnë të dalin jashtë në rrugë, qoftë me biçikletë apo autobus. Shumë njerëz madje, qëndrojnë në krevat, pasi kanë siguruar ushqime për këtë ditë, një natë më parë.

Ata mendojnë se gjithçka mund të ndodhë, njëkohësisht besojnë se nuk ia vlen të rrezikojnë përjetësinë e tyre.

Sigurisht që kjo praktikë duket shumë e çuditshme për shumë prej nesh, si ndjekës të Krishtit.

Ne e dimë se Jezusi është ngritur dhe është fitimtar. Ai nuk vdes vazhdimisht, apo do vit. Vëtëm një herë e vetme mjaftoi, që Jezusi të ngrihej nga varri, që të mund të shpëtojë prej mëkatit në mënyrë të vazhdueshme gjithë besimtarët.

Qëndrimi në shtrat është një mënyrë sigurie jo vetëm krejt e panevojshme por edhe e vështirë. Këta të krishterë të keq orientuar, humbasin shumë më tepër se një të shtunë në vit. Ata humbasin sigurinë e njohjes se përjetësia e tyre me Jezusin është tashmë e sigurt. Ata humbasin ngushëllimin që vjen nga siguria e thellë se ai nuk e heq shikimin e Tij për asnjë sekondë prej nesh.

Dhe kështu ata humbasin plotësinë e gëzimit, që bëhet i yni në Krishtin!

Por ka shumë mënyra të tjera që shumë prej nesh që mbahen si të krishterë të përkushtuar, po e humbasin gëzimin e Perëndisë.

Ndoshta ne nuk mbyllemi brenda të shtunën e Pashkës, por shumë të krishterë po humbasin gëzimin e tyre dhe plotësinë e jetës që Jezusi fitoi për ne, këtu dhe tani duke mos rrezikuar me besimin e tyre.

Teksa shqyrton jetën tënde, a mendon se ti po qëndron në një zonë të sigurt dhe nuk po rrezikon?

A po e humbet aventurën e një jete më të plotë në Krishtin, duke shmangur mundësitë që ta bësh Perëndinë të buzëqeshë, apo duke varrosur talentin tënd?

Ne jemi thirrur të ndjekim Jezusin, të mësojmë, atë që Ai mësoi, të shkojmë atje ku Ai shkoi, pra të bëhemi më shumë si Ai. Por thjesht mendo se si mund të duket kjo sot?

Le të lexojmë pjesën e shkrimeve për sot Mateu 8:23-34

Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: “O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!”

26 Por ai u tha atyre: “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?”. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27 Atëherë njerëzit u mrekulluan dhe thoshin: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?”.

28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.

29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: “Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?”.

30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.

31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: “Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash”.

32 Dhe ai u tha atyre: “Shkoni!”. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.

33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.

34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.

Jezusi i drejton dishepujt e tij në ujërat e rrezikshme.

Dishepujt udhëtojnë me të përgjatë Detit të Galilesë, dhe e shohin natyrën të egërsuar.

Ata po udhëtojnë në anën tjetër, që do të jetë një aventurë e vërtetë, meqenëse ata largohen nga një vend i sigurt, i tokës së Galilesë, dhe hyjnë në tokë të panjohur.

Por edhe para se të dalin në breg, përplasen me një stuhi. Ajo vjen papritur e pa njoftuar.

Kjo do të thotë diçka. Mos harro se një pjesë e mirë e dishepujve kanë përvojë si peshkatarë.

Ata kanë kaluar ditë e net të gjata, pikërisht në ato ujëra. Sepse nuk mund të mbështeteshin në udhëzimet e radarit, apo parashikimet e motit në radio. Ata duhet të lexonin qiellin dhe të parashikonin vetë motin.

Kështu që ata parashikuan vetë kushtet e motit, dhe e dinin se i priste përballja me një stuhi të fortë, e cila jo vetëm do të ndikonte në cilësinë e peshkimit por njëkohësisht kjo stuhi do të ishte jetë kërcënuese.

Por Mateu na tregon se stuhia i kapi ata në befasi.

Si e kuptojmë këtë?

Këtë e kuptojmë nga një fjalë që është përdorur në tekst, në Biblën tonë është përkthyer “stuhi”.

Por Mateu ka përdorur fjalën në greqisht ‘seismos.’ Dhe prej saj rrjedh fjala ‘sizmike.’ Mateu sugjeron se një tërmet ra në atë zonë, dhe se dallgët që erdhën papritur mbi varkën e tyre ishin shkaktuar realisht prej baticës dhe jo motit.

Kjo shpjegon arsyen përse këta peshkatarë kapen në befasi. Mateu po na tregon se atë ditë në Detin e Galilesë, ata kishin ndjerë se diçka nuk shkonte në natyrë. Dhe kjo i frikësoi shumë ata.

Prandaj dishepujt e zgjojnë Jezusin. Ata i ka zënë frika. Fjalët e tyre, dalin shpejt e të prera njëra pas tjetrës: Zot! Shpëtona! Po vdesim!

Ata duhet të thërrasin me zë të lartë, sepse Jezusi po fle. Po është e vërtetë, Jezusi po fle në mes të stuhisë së rrezikshme dhe të pazakontë të detit! Këtu shohim të shfaqet natyra e Tij njerëzore.

Perëndia që nuk dremit e nuk fle kurrë, mesa duket tani e ka zënë gjumi! Por ka diçka tjetër, që do t’i kthehemi pak më vonë: Jezusi është në paqe të plotë.

Me që ra fjala, a nuk është ky një ilustrim fantastik për të treguar se sa e thjeshtë duhet të jetë realisht lutja?

Në kohë dëshpërimi dhe rreziku, a nuk ndiejmë sikur po mundohemi të zgjojmë Zotin që po fle?

Dishepujt marrin një përgjigje për lutjet e tyre. Jezusi zgjohet. Ai i qorton për besimin e paktë.

Ai qorton erën edhe dallgët. Deti qetësohet plotësisht.

Dishepujt janë të mahnitur, ndërsa në mendjen e tyre rreh një pyetje e vazhdueshme: Kush është ky?

Dhe pjesërisht si pjesë të përgjigjes, Mateu vazhdon të na tregojë për udhëtimin e tyre në anën tjetër të detit. Nga ky çast e tutje, fokusi është Jezusi. Nga ana tjetër dishepujt nuk përmenden më. Mateu fokusohet tek mënyra se si Jezusi çliroi në njeri të demonizuar.

E dini se si ishte atje, një det që duket sikur zien nga poshtë! Sigurisht që nuk është aspak e këndshme dhe paqësore për syrin. Para së gjithash ishte një territor i panjohur për ta. Ky vend është nga ana tjetër e Izraelit, e tokës së premtuar.

Mateu na tregon se kjo ishte zona e Gergesenasve. Kjo konfirmohet kur dëgjon për tufën e madhe të derrave. Sepse siç mund ta dini, judenjtë nuk njihen si fermerë derrash.

Arsyeja mendoj është se judenjtë e kishin të ndaluar të hanin disa lloj ushqimesh, që konsideroheshin të ‘papastra.’ Dhe derrat ishin pikërisht në krye të asaj liste të ushqimeve të papastra.

Këtu Jezusi takon dy njerëz të demonizuar. Ata jetojnë në një varrezë, mes varreve; sipas shumë njerëzve ky ishte një vend misterioz, mbretëria e së keqes. Këta njerëz ishin kaq të çmendur me sjelljen e tyre sa që njerëzit kishin frikë ti afroheshin.

Dhe ky ishte një problem më i madh se sa mund ta kishim menduar në fillim. Nuk e kam fjalën se njerëzit kalonin në këto varreza të qytetit vetëm njëherë në kaq kohë, kur iu duhej të varrosnin ndonjë prej të afërmve të tyre.

Në qytetet greko-romake, varrezat ndodheshin në rrugët kryesore të qytetit, në njërën anë të rrugës.

Kjo zonë e madhe e varreve dhe monumenteve familjare quhej ‘nekropol’, qyteti i të vdekurve.

Pra në rast se këta burra sulmonin kalimtarët, do të thotë se hyrja e qytetit ishte e pakalueshme. Dhe tani ja ku kanë dalë këta dy burra, në kërkim të Jezusit, pra janë ata që e kërkojnë Jezusin dhe jo Jezusi ata. Sërish dishepujt kuptojnë se janë në rrezik.

Pyetjet e këtyre dy burrave, përballen me heshtjen. Ata thërrasin me zë të lartë: “ Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?” Por nuk ka asnjë përgjigje. Jezusi nuk përgjigjet. Ai nuk ndihet i detyruar t’i përgjigjet demonëve, pavarësisht kërcënimit të tyre. Pasi irritohen prej heshtjes së Tij, dëgjohet një lutje përgjëruese nga përbrenda demonëve.

Dhe më në fund Jezusi flet: Shkoni! Vetëm një fjalë, një urdhërim i thjeshtë. Kjo është e rëndësishme. Nuk ka asnjë ceremoni të ndërlikuar, që tu bëjë përshtypje spektatorëve.

Jezusi nuk flet me fjalë misterioze; dhe nuk gjendet në Të asnjë shenjë magjie. Ai thotë vetëm një fjalë: Shkoni!

Sigurisht që demonët largohen, siç e dini, e po kështu edhe derrat.

Ata hidhen nga shkëmbi drejt e në det, ku gjejnë vdekjen. Për shkak se Mateu i kushton shumë vëmendje Jezusit këtu, dhe fuqisë që Ai zotëron, asaj që ai ka bërë, neve na duhet të hedhim një vështrim të shpejtë ungjijve të tjerë, Markut ose Lukës, për të kuptuar se dy burrat janë mirë. Ata ishin shëruar.

Ndërsa  vendasit ndihen të frikësuar prej Jezusit.

Qytetarët e këtij vendi, nuk janë aspak të gëzuar apo mirënjohës, që këta dy burra janë shëruar, apo që kërcënimi me të cilin përballeshin në rrugë tashmë ishte zhdukur. Për Jezusin nuk ka as mikpritje dhe as festime, veç një lutje përgjëruese që Ai të largohet.

Këtu ka një mësim të rëndësishëm rreth besimit. Por për më tepër na ndiqni në programin e radhës.