Bethlehemi do të kishte qenë më i lumtur nëse Jezusi do të kishte lindur diku gjetkë. Kartolinat e Krishtlindjes paraqesin Bethlehemin si një fshat të dashur, dhe ti mund të thuash: “Ah sikur të kisha qenë i pranishëm kur lindi foshnja Jezus”. Por nëse do të mund të ktheheshe mbrapa në kohë dhe të mund të bisedoje me njerëzit që jetonin në Bethlehem atëherë, me siguri ata do të thoshin se do të donin që Jezusi të kishte lindur në një vend tjetër. Për ta, Krishtlindja ishte një fatkeqësi. Lindja e Jezusit solli gjakderdhje për ta. Po të ktheheshe pas në kohë dhe t’i pyesje njerëzit e Bethlehemit për përvojat e tyre në lidhje me Krishtlindjen, ata nuk do buzëqeshnin përkundrazi do të ndanin kujtime të dhimbshme.
Sytë e tyre do të mbusheshin me lot. Zërat e tyre do të ngjireshin prej vuajtjes dhe zemërimit. Ata nuk do të flisnin për festivale dhe festa, por për funerale. Me siguri, ti mund të gjesh disa barinj me kujtime të gëzuara. Këta do të ishin barinjtë që dëgjuan engjëjt atë natë dhe panë foshnjën e mrekullueshme në një grazhd. Por disa barinj të tjerë mund të shprehin ndjenja të turbullta për Jezusin që lindi në qytetin e tyre. Çdo bari pranë Bethlehemit i cili kishte foshnja aso kohe do të shihte me sy vrasjen e fëmijëve të tyre të vegjël së bashku me foshnjat e tjera të Bethlehemit. Pse u vranë foshnjat? Sepse Jezusi kishte lindur atje. Lindja e asaj foshnje do të thoshte vdekje për çdo foshnjë tjetër në Bethlehem, dhe në zonat përreth. Pas Krishtlindjes pati të qara të tmerrshme.
Disa prej nesh e festojnë kohën e Krishtlindjes si një festë familjare, sepse nënat, baballarët, vëllezërit dhe motrat, gjyshërit dhe gjyshet, hallat dhe tezet, apo kushërinjtë, mblidhen për të festuar së bashku. Por për të tjerët Krishtlindja është një kohë lotësh, një kohë pikëllimi dhe vetmie, një stinë më e keqe se normalisht, kohë kur tragjeditë dhe shqetësimet janë nga më të këqijat. Ne reflektojmë humbjet tona dhe qajmë.
Madje shumë prej nesh, që nuk kemi vuajtur personalisht, vajtojmë me njerëzit e tjerë nëpër botë, fëmijët e të cilëve, u masakruan prej terroristëve. Ne vajtojmë për jetët që u vranë në luftëra, uragane, dhe ngjarje të tjera. Gjithsesi ne përsëri mund ta duam Krishtlindjen dhe të shijojmë stinën, por çfarë mund të themi për gjithë ato lot të derdhur dhe zemra të thyera? Nëse Jezusi erdhi në botë për të shpëtuar njerëzit dhe për të sjellë gëzim dhe paqe, atëherë pse ndodhin gjëra kaq të tmerrshme?
Njerëzit e Bethlehemit do ta kuptonin këtë dhimbje kaq të madhe. Do ta kuptonin sepse kishin kujtime të tmerrshme. Pas Krishtlindjes së parë, këta njerëz, panë ushtarët duke shpërthyer dyert shtëpive të tyre. Nënat dhe baballarët panë këta ushtarë duke rrahur, goditur apo mbytur foshnjat e tyre. Djemtë dhe vajzat panë motrat dhe vëllezërit e tyre teksa i ushtarët po i vrisnin. Gjyshërit dhe gjyshet që kishin përkundur me ëmbëlsi ato foshnja të çmuara, nuk do t’i mbanin sërish në krahë. Dajat dhe hallat, kushërinjtë dhe fqinjët panë me sytë e tyre tmerrin dhe horronin.
Askush në Bethlehem nuk do ta harronte atë masakër të tmerrshme. Pse duhet të lindte Jezusi në qytetin e tyre? Pse nuk i shpëtoi Perëndia foshnjat e tjera? Pse kaq shumë lot, pse kaq shumë të qara pas Krishtlindjes?
Mbreti i Judenjve
Tek Mateu 2 Bibla tregon për gëzimin e udhëtarëve që vinin prej së largu për të parë foshnjën e porsalindur dhe më pas na tregon për pikëllimin e atyre që jetonin në Bethlehem.
Pasi Jezusi u lind në Bethlehem në Jude, gjatë kohës së mbretit Herod, Dijetarët nga Lindja erdhën në Jeruzalem dhe pyetën: ” Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar”.
Kur mbreti Herod dëgjoi këtë lajm u shqetësua, e bashkë me të u shqetësua edhe Jeruzalemi.
Herodi ishte rreth shtatëdhjetë vjeç aso kohe. Ai kishte qenë mbret për afro dyzetë(40) vite, duke sunduar Izraelin për llogari të perandorisë romake. Herodi vetë realisht nuk ishte jude-prejardhja e tij ishte kombi i Edomit,- por titulli i Herodit ishte mbreti i judenjve, kështu që ai u mërzit që një foshnjë po quhej mbreti i Judenjve.
Herodi e dinte se shumë judenj po prisnin me padurim dhe dëshironin fort ardhjen e dikujt që quhej Mesia, i vajosuri, mbreti i vërtetë i Judenjve, i Cili do të ishte dhurata e Perëndisë për ta në botë. Herodi mendoi se lajmi i një mbreti të porsalindur, mund të sillte një revoltë kundër tij, kështu që duhet të bënte diçka kundër kësaj. Dhe nëse Herodi i trembej kësaj, edhe populli i trembej Herodit se e dinte çfarë ishte në gjendje të bënte ai: do të vriteshin njerëz për këtë.
Dijetarët, duke qenë njerëz të huaj në atë vend, nuk e njihnin mirë Herodin. Ata me pafajësi pyetën: ” Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?” dhe pas kësaj prisnin që të tjerët të ishin po aq të etur sa ata për ta adhuruar atë foshnjë.
Herodi vendosi të luante kartat e tij. Ai u soll sikur donte t’i vinte sa më shumë në ndihmë dijetarëve. Mblodhi së bashku tërë ekspertët fetarë, në Izrael, për t’ju përgjigjur pyetjeve të dijetarëve se ku do të lindte Mesia. Ekspertët iu përgjigjën kësaj sipas profetit të lashtë Mikea, Mesia do të lindte në Bethlehem. Herodi atëherë pati një bisedë të ngushtë me dijetarët. Ai dëshironte shumë të zbulonte ekzaktësisht se kur ishte shfaqur ylli. Duke mos dyshuar qëllimet e vërteta të Herodit, dijetarët iu përgjigjën pyetjeve të tij. Herodi më pas i dërgoi ata në Bethlehem për të gjetur foshnjën. “Sapo ta gjeni”, tha Herodi, “më raportoni mua, që të mund të shkoj edhe unë për ta adhuruar.
Pasi dëgjuan mbretin, ata shkuan në rrugën e tyre, dhe ylli që kishin parë në lindje, i printe përpara derisa ndaloi në vendin ku ishte foshnja. Kur panë yllin, ata u gëzuan pa masë. Teksa i afroheshin shtëpisë ata panë foshnjën me nënë e tij, Marinë, ata u përulën dhe e adhuruan Atë.
Më pas ata hapën thesaret e tyre dhe i treguan dhuratat e arit, temjanit dhe mirës.
Do të donim që historia të mbyllej këtu, me dijetarët që gëzohen dhe adhurojnë foshnjën Jezus. Por mizoria e Herodit ishte gati të shpërthente.
Dijetarët nuk i dinin qëllimet e liga të Herodit, por i dinte, Perëndia. Ai i paralajmëroi dijetarët në një ëndërr, që të mos ktheheshin tek Herodi, kështu që do të ktheheshin në vendin e tyre përmes një rruge tjetër.
Kur ishin larguar, një engjëll i Zotit iu shfaq Jozefit në një ëndërr. “Çohu” i tha ai, “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.”
Kështu që ia u çua, mori foshnjën dhe nënën e tij gjatë natës dhe u largua për në Egjipt, ku ai qëndroi derisa Herodi vdiq.
Perëndia ishte një hap para Herodit. Zoti mori masat e duhura për të paralajmëruar dijetarët dhe për të shpëtuar foshnjën Jezus dhe prindërit e tij. Por pjesa tjetër e Bethlehemit nuk ishte aq e bekuar.
Çfarë ndodh me këta njerëz? Na ndiqni në programin tonë të herës së ardhshme. Nga unë Berti kalofshi sa më mirë.
