Të qash pas Krishtlindjes (Krishtlindje)

Print

Titulli: Të qash pas Krishtlindjes (pjesa 2)

Kasapi i Bethlehemit

Kur Herodi kuptoi se qëllimet e tij të liga ishin zbuluar prej dijetarëve, ai u xhindos, e dha urdhra që të vriteshin të gjithë djemtë në Bethlehem dhe rrethinat; fëmijët që ishin dy vjeç e poshtë, në përputhje me kohën që kishte mësuar për lindjen e Mesias prej dijetarëve. Pastaj u përmbush ajo që ishte thënë me anë të profetit Jeremia: ” Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më.”

Krishtlindja është një kohë kushtuar lindjes së Jezusit, foshnjës së Bethlehemit. Por çfarë mund të themi për kasapin e Bethlehemit? Ç’mund të themi për foshnjat e vdekura dhe familjet e tyre që qanin pa gjetur ngushëllim? Na pëlqen të mendojmë për foshnjën Jezus si një rast për tu gëzuar, por nuk është gjithmonë kënaqësi të të shfaqet Jezusi. Ndonjëherë rezultatit është tragjik.

Dhe kjo ngre disa pyetje të vështira. Çfarë të mire sjell ardhja e Jezusit nëse ajo i bën njerëzit e këqij më shumë mizorë? Ç’të mirë ka ajo nëse le gjurmë viktimash dhe zemrash të thyera? Si mund të festojmë për foshnjën e Bethlehemit nëse kasapi i Bethlehemit mbetet i tërbuar? Njerëzit e Bethlehemit të lashtë me të drejtë mund ta bënin këtë pyetje, e po kështu edhe ne sot: çfarë të mire ka sjellë lindja e Jezusit, nëse dy mijë vite më vonë, tiranët ende sot po  terrorizojnë njerëzit dhe viktimat janë ende duke vuajtur? Nëse Krishtlindje do të thotë: ” paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”, çfarë mund të themi për urrejtjen dhe vuajtjen që na mundon ende?

Një shembull i kësaj është maskara e Herodit ndaj foshnjave të  Bethlehemit. Perëndia nuk parandaloi vrasjet e Herodit. Perëndia nuk e hoqi qafe Herodin, që herën e parë që ai bëri diçka të keqe. Jo ky mbret i pamëshirshëm, sundoi Izraelin për dyzetë(40) vite. Sa herë që Herodi nuhaste kërcënimin më të vogël të mundshëm ndaj pushtetit të tij, ai përdorte vrasjen, vit pas viti, herë pas here për tu mbrojtur. Madje as nuk skuqej kur vriste të afërmit e vet.

Kunati i Herodit u bë tepër i njohur, e kjo gjë nuk i pëlqente mbretit, kështu që Herodi e ftoi atë në një festë noti. Rrugaçët e punësuar prej Herodit e mbajtën kunatin e tij nën ujë derisa ai u mbyt. Pasi vrau vëllanë e gruas së vet, Herodi organizoi vrasjen e xhaxhit të gruas.

Pastaj Herodi vrau një tjetër kunat. Radha vazhdoi me ekzekutimin e një prej gjyshërve të gruas. Herodi më pas sajoi akuza kundër gruas së vet, ngriti një akuzë të rreme dhe, ekzekutoi edhe gruan e vet. Herodi bëri sikur i erdhi keq për vdekjen e saj, por vitin pasues, vrau nënën e gruas.

Dhe Herodi nuk u tregua i lig vetëm me gruan por edhe me fisin e saj. Teksa Herodi po plakej, u bë më paranojak dhe më i keq se ndonjëherë më parë. Ai krijoi një bindje se dy prej bijve të tij po komplotonin kundër tij, kështu që ai i vrau ata. Kur shëndeti i Herodit po përkeqësohej, vetëm pesë ditë para se të vdiste, ai urdhëroi që të vritej një tjetër nga të bijtë.

Pra kur Herodi i trembej të porsalindurit, Mesias, dhe urdhëroi masakrimin e foshnjave meshkuj të Bethlehemit, për të si monark vrasës, kjo ishte një punë e zakonshme.

Herodi i Madhi?

Tani, e beson ose jo, ky përbindësh u bë i njohur si Herodi i Madh! Çfarë kishte kaq madhështore Herodi? Herodi i madh solli rregull në zonën e tij duke shkatërruar terroristët dhe të jashtëligjshmit, që po shkaktonin trazira. Ai ishte një administrator efikas dhe siguroi që të paguheshin të gjitha taksat. Kjo e mbajti arkën e shtetit të tij të furnizuar mirë dhe po ashtu e mbajti të lumtur qeverinë qendrore në Romë.

Herodi i Madh ishte një folës bindës në publik. Ai kishte pushtet për të lëkundur njerëzit, qoftë kur i referohej trupave nën komandën e tij, apo kur mbante fjalime para turmave të qytetarëve.

Herodi i Madh bëri që shumë qytetarë ta shihnin atë si një mik të punëtorëve dhe të njerëzve të varfër. Gjatë një urie buke, ai përdori burimet e pallatit të vet për të siguruar një ndihmë mbështetëse, qoftë në rroba ashtu edhe në ushqime, që populli ta kalonte atë kohë të vështirë. Sigurisht, që ai i bëri një publicitet shumë të mirë, përpjekjeve të tij humanitare, në këtë mënyrë do të merrte meritat për vete dhe do ta rriste pushtetin.

Herodi i Madh ishte një mjeshtër ndërtimi. Ai i dhuroi Jeruzalemit një teatër, një arenë për garat me kuaj dhe, një stadium sportesh, ku ai sponsorizoi shumë gara. Ai u shfaq me një plan gjigant për të shtrirë dhe zbukuruar tempullin e Zotit në Jeruzalem.  Ai rindërtoi dhe zbukuroi shumë qytete në territorin e tij. Ai madje dha kontribut në projekte në qytetet jashtë Palestinës.

A mund ta kuptosh tani se përse quhej Herodi i madh? Nëse karakteri nuk do të kishte rëndësi për një lider, atëherë mund të themi se Herodi ishte i madh. Ai ishte i madh për të ruajtur ligjin dhe rregullin, i madh në politikë dhe në deklaratat publike, i madh në menaxhimin e ekonomisë dhe në furnizimin me ushqime, i madh në arkitekturë, në ndërtim dhe në projektet e veprave publike. Por Herodi i Madh ishte po ashtu një njeri shumë i keq, ishte i madh vetëm për të menduar për veten, i madh për të qëndruar në fronin e vëmendjes, ai nuk pyeste për njeri. Herodi i Madh ia kishte hedhur paq pas çdo vrasjeje, për vite me radhë, atëherë përse mos të vriste një foshnjë, pse jo edhe disa qindra foshnja?

Sa të mëdhenj jemi ne?

Teksa shohim Kasapin e Bethlehemit, na lind natyrshëm pyetja: Pse Perëndia nuk i parandaloi mizoritë e Herodit? Apo pyetja tjetër: Pse Perëndia lejoi që të vriteshin gjithë ato foshnja për hatër të foshnjës Jezus ? Dhe në fund pyetja: çfarë vlere ka të Krishtlindja përballë mizorive dhe tragjedive që ende sot ndikojnë kaq shumë njerëz?

Por le të mos nxitoheni për ta vënë veten në vend të njerëzve të lënduar të Bethlehemit. Do të vijmë shumë shpejt te ajo pikë, por së pari le ta vendosim veten në vend të Herodit dhe të shikojmë si do të kishim reaguar ne. Para se të nxitohemi për tu identifikuar me viktimat e lënduara, ne duhet së pari të bëjmë pyetjen e goditëse: A kemi ndonjë gjë të përbashkët me Kasapin e Bethlehemit ?

Herodi vrau foshnjat sepse nuk donte që ndonjë foshnjë të ndërhynte në planet e tij, apo në të ardhmen e tij. A nuk ndodh e njëjta gjë sot me abortin? Njerëzit vrasin foshnjat e palindura sepse nuk duan që foshnjat të ndërhyjnë në planet e tyre për të ardhmen. Në një qytet të vogël si Bethlehemi, nëse do të bëhej një vlerësim i foshnjave të vrarë për shkak të urdhrit të Herodit, ky numër do të arrinte 35 ose 40 foshnja. Vendimet e gjykatave në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara tregojnë se shkalla e vdekjes së foshnjave prej abortit atje është mbi dyzetë milion foshnja. Aborte ka gjithandej nëpër botë, Nuk dua ti shtoj më asaj shifre, por mendo pak, nëse Herodi ishte i keq, sa të këqij jemi ne sot?

Vrasja e foshnjave të pafajshme përmes abortit është thjesht një shembull i ngjashmërisë sonë me Herodin. Në një nivel më bazë, ne i ngjajmë paksa Herodit sa herë që vendosim interesin tonë para atij të tjetrit. Herodi ishte plotësisht i përqendruar te vetja. Ai nuk donte t’ia dinte se kë po lëndonte, mjafton që ta mbante ai vetë fronin. Sa prej nesh i ngjajnë atij? Sa prej nesh mendojmë vetëm për veten? Sa prej nesh ashtu si Herodi i madh, janë të mirë në punë, në menaxhimin  e parave, të mirë në projekte të ndryshme, apo të mirë në shkatërrimin e konkurrentëve të tjerë? Sa prej nesh rrethohemi me interesat tona, aq sa dëmtojmë partneren dhe familjen? Ndoshta nuk i vrasim ashtu si bëri Herodi, por ne i vendosim synimet tona para mirëqenies së anëtarëve të familjes.

Ne i ngjajmë Herodit në shumë gjëra, por nuk duam ta pranojmë. Shumë prej nesh ndihen të kërcënuar prej mbretit Jezus, dhe nuk duam që Ai të na pengojë rrugën. Po të ishte Jezusi thjesht një foshnjë e ëmbël në grazhd, nuk do ta kishim problem, por kur kuptojmë se ka ardhur për të qenë mbreti ynë, atëherë mërzitemi shumë. Ndoshta mund të shqetësohemi po aq shumë sa Herodi. Ne nuk mund të lejojmë dikë tjetër të na i kalojë, sepse duam ta kemi vetë kontrollin. Si mund të lejojmë Jezusin që të vijë dhe të na rrëzojë nga froni ynë? Ashtu siç u mundua Herodi për të vrarë foshnjën e porsalindur, edhe ne mundohemi të heqim qafe Jezusin dhe të rrimë vetë në fronin e jetës sonë, në vend që ta adhurojmë atë.