Dua ta filloj me diçka që një miku im pastor, më tregoi. Nga një studim që është kryer në Amerikë, në vitin 2007, shtatëdhjetë përqind e njerëzve ia kishin dorëzuar jetën e tyre Jezus Krishtit. Nëse do të përdornim gjuhën biblike, do t’i quanim këta njerëz dishepuj, ndjekës të Jezusit.
Por si e konceptojmë ne jetën e një dishepulli? Si do të përshkruanim jetën e një dishepulli tipik? Çfarë pritet prej një dishepulli?
Unë jam pastor kishe prej 18 vitesh, dhe pasi kam studiuar sjelljen dhe zakonet e njerëzve, do të thosha se të krishterët tipikë, do të përshkruanin kështu kriteret e një dishepulli:
“Dishepulli duhet të shkojë në Kishë rregullisht. Në përgjithësi thuhet se sa më shpesh të shkosh në kishë, aq më mirë. Ti duhet të japësh nga paratë e tua në kishë, një sasi parash që tregon se e vlerëson të qenit pjesë e asaj kishe dhe e trupit të Krishtit, po kështu i shërbesave që mbahen aty. Dhe do të ishte mirë për ty, nëse do të gjeje pak kohë mes punëve të tua për të bërë punë vullnetare në kishë.”
“Jashtë kishe, dishepulli duhet të lexojë Biblën dhe të lutet; sërish, sa më shpesh ta bëjë këtë aq më mirë. Të krishterët duhet të sillen mirë me njerëzit e tjerë, të sillen mirë në publik dhe, kryesisht duhet të mundohen të jetojnë një jetë me mirësi.”
Dhe këto vëzhgime mbështeten edhe nga organizata e sondazheve Barna që përmendëm më lart.
Përafërsisht gjysma e të krishterëve amerikanë marrin pjesë në takimet e fundjavës, 63% japin në kishën lokale, ndonëse duhet ta pranojmë se vetëm pesë përqind japin të dhjetën, apo një të dhjetën sikurse përshkruhet në Bibël. Afro pesëdhjetë e tetë përqind(58%) e të krishterëve ungjillorë bëjnë punë vullnetare në kishën e tyre lokale.
Por realisht a janë këto gjëra çka Jezusi kërkon prej nesh, kur thotë që ta ndjekim? A mjafton kjo sjellje për të treguar se vetëm kaq duhet për të thënë se ky apo ai person është i përkushtuar ndaj Perëndisë?
Unë besoj se shumë prej nesh sot, kanë një kuptim të pjesshëm të asaj se çfarë do të thotë të jesh një dishepull. Unë besoj se i kemi ulur disi standardet, kemi lehtësuar kriteret, kemi eliminuar sfidat. Drejtuesi i organizatës së sondazheve Barna, Xhorxh Barna (George Barna) bie dakord me këtë dhe ja se si shprehet:
“Amerikanët janë të gatshëm të japin nga energjitë e tyre në aktivitete të tilla si: pjesëmarrja në kishë, leximi i Biblës, dhe janë të gatshëm të hedhin një shumë parash te koshi i ofertës.
Sepse duke vepruar kështu ia mbushin mendjen vetes se janë besimtarë të vërtetë.
Por kur vjen puna te vendosja e prioriteteve dhe bërja e përkushtimit për ta njohur dhe për ta dashur Perëndinë, e për ta lejuar Atë që t’ua ndryshojë karakterin dhe stilin e tyre të jetesës, shumë njerëz dështojnë. Ne dëshirojmë të jemi ‘shpirtërorë’ dhe ne dëshirojmë te kemi favorin e Perëndisë, por nuk jemi të sigurt nëse do ta lejojmë atë të marrë kontrollin e jetës sonë, e të ndërhyjë në imazhin dhe rezultatet që jemi munduar aq shumë për t’i arritur.”
Me pak fjalë, ne dëshirojmë të ndjekim Krishtin, por ne bëjmë këtë me gjysmë zemër, dhe ndonjëherë mbetemi mbrapa Tij. Vallë a është kjo ndjeka për të cilën e ka pasur fjalën Jezusi? Si është realisht praktika jonë prej dishepulli krahasuar me thirrjen e dishepullit që Jezusi përshkruan në Bibël? Dëgjoni këto fjalë:
Jezusi dikur tha: ” Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.”
Apostulli Pal shkroi: “Unë jam kryqëzuar bashkë me Jezusin dhe nuk rroj më unë por Krishti rron në mua, dhe kjo jetë që jetoj tani e jetoj me besimin në Birin e Perëndisë, i Cili më deshi dhe dha jetën për mua.”
Pjetri dhe shkrimtarët e tjerë të Dhjatës së Re, pohuan se nëse dikush vuan dhe përndiqet për faktin se është i krishterë, duhet ta quajnë këtë një bekim.
Por nëse të jesh dishepull do të thotë të jetosh një jetë të mirë, të sillesh mirë me të tjerët, atëherë përse duhet të përballemi me persekutimin?
Me qëllim që të mësojmë se çfarë do të thotë të jesh dishepull, le ti hedhim një vështrim të shkurtër se si ishte një dishepull në Galile, në kohën kur Jezusi thirri Pjetrin dhe të tjerët që ta ndiqnin. Për një pjesë të këtij informacioni i detyrohem mësuesit dhe studiuesit të Biblës, Rei Vanderlan (Ray VanderLaan).
Gjithçka fillonte me mënyrën se si një mësues hebre, i mblidhte nxënësit, apo dishepujt e tij.
Fëmijët filluan trajnimin në një shkollë fillore, e cila ishte lidhur me një sinagogë lokale.
Atje ata do të mësonin të lexonin dhe të shkruanin.
Ata fillonin me studimin e Torës, pesë librave të parë të Dhjatës së Vjetër, Shkrimeve judease. Studentët më të mirë do të mësonin përmendësh këto libra nga fillimi deri në fund. Pasi të kishin përfunduar studimet në këtë shkollë, studentët do të ktheheshin në shtëpi për të mësuar njohuri të tjera për zanatin, ata do të mësonin si ishin një poçar, një bari, një peshkatar, apo zdrukthëtar. Por ata të cilët kishin shkëlqyer në mësime, dhe kishin treguar një aftësi të madhe për të mësuar, do të merrnin ftesën për të vazhduar studimet e tyre; në një shkollë më profesionale e cila quhej Beth Midrash.
Ata do të studionin pjesën tjetër të Dhjatës së Vjetër. Sërish, këta studentë do të mësonin vargje përmendësh nga Shkrimet. Pjesë e trajnimit të tyre ishte edhe pjesëmarrja në një debat në lidhje me interpretimin e gjithë urdhërimeve, këngëve, dhe historive që u ishin besuar.
Dhe në përfundim të studimeve, shumica e tyre do të ktheheshin në familje me shumë mundësi për të filluar një biznes, apo për të mbështetur biznesin e familjes. Vetëm pak njerëz dëshironin realisht të njiheshin në gjuhën hebrease si ‘talmudim’: që në shqip do të ishte ‘dishepull’.
Këta studiues të veçantë, kërkonin në mësues, një njeri të respektuar të shkrimeve në Izrael. Më pas do të kishte një intervistë, dhe mësuesi hebre, kërkonte më të mirin e më të mirëve.
Intervista do të zhvillohej kështu: së pari dishepulli gjente një mësues hebre, dhe më pas e pyeste: “Rabi, a mund të të ndjek unë ty?”
Kjo gjë do të merrte dy apo tri ditë kohë, duke kaluar kohë së bashku duke folur, apo duke ecur.
Në fund të asaj periudhe prove, për shumë prej studentëve përgjigja do të ishte ‘jo’. “Jo, ti nuk je për këtë punë. Do të ishe më mirë të kthehesh në shtëpinë e babait. Pse nuk shkon të mësosh zanatin e tij?”
Ndërsa disa të tjerë, që ishin të paktë në numër do të pranoheshin. Atyre mësuesi do tu thoshte: ‘Ejani, më ndiqni.’ Dhe personi që përzgjidhej do të bëhej, “talmudimi” apo dishepulli i mësuesit hebre. Dhe pas kësaj fillonte puna e vërtetë.
Siç e dini, në shekullin e parë, dishepullizimi nuk kishte shumë lidhje me të të nxënit se sa me të bërurit. Dishepulli ngjante disi me çirakun.
Një çirak shikonte nga afër, dhe mësonte zanatin e mjeshtrit derisa të bënte një poçe, një plug apo një stol me të njëjtën saktësi si mjeshtri i vet.
Kjo gjë vlente edhe për dishepujt; të bëheshe dishepull do të thoshte shumë më tepër se të mësuarit e informacionit të duhur.
Ndjekësit e rabinëve, dishepujt e rabinëve vëzhgonin me vëmendje, studionin mësimet e rabinëve dhe sjelljet e tyre, në mënyrë që edhe ata të bëheshin mjeshtër të Fjalës së Perëndisë, dhe imitues të besueshëm të rabinëve.
Të bëheshe një dishepull do të thoshte të rrije pas një mësuesi.
Kjo ishte e vetmja mënyrë. Dishepujt e një mësuesi të caktuar do të përfaqësonin mësuesin dhe do të interpretonin ligjin, dhe anasjelltas.
Ne shohim në Bibël, pyetjen që farisenjtë bëjnë për dishepujt edhe Jezusin. Dëgjoni: “Pse ulet zotëria juaj të hajë në një tryezë me mëkatarët?”
Dishepujt e Gjon Pagëzorit, e pyetën Jezusin arsyen përse nuk agjëronin dishepujt e Tij.
Supozohej që çdo njëri të dinte shumë mirë se çfarë bënte tjetri, si edhe arsyen përse e bënte.
Mësuesi hebre dhe dishepujt supozohej që të ishin në një mendje. Por këta dishepuj, shkuan shumë larg, thjesht duke mësuar praktikat fetare të një mësuese hebre; dishepulli realisht ishte personi që zinte vendin e mësuesit hebre, kur ky i fundit mungonte. Pra nuk kishte shumë lidhje me edukimin se sa ndjekjen e një shembulli.
Pra dishepujt do të imitonin praktikat e mësuesve hebrenj.
Nuk është çudi që dishepujt e Jezusit u habitën kur panë se Jezusi po fliste në publik me një grua samaritane, një grua me reputacion të dobët.
“Nëse këtë e bën Jezusi atëherë duhet ta bëj edhe unë.” Kjo gjithashtu na ndihmon të kuptojmë dëshirën e Pjetrit për të ecur mbi ujë. “Nëse Jezusi e bën këtë, atëherë duhet ta bëj edhe unë.”
Kjo lloj ndjekje kërkon një përkushtim të zjarrtë, një vëzhgim me të vërtetë të kujdesshëm, që është i gatshëm të mësojë gjithmonë.
Ti nuk ia heq sytë për asnjë çast, mësuesve hebrenj.
Në rast se do të ishe dishepull do të hiqje dorë prej familjes, prej komunitetit dhe do të bashkoheshe me një komunitet të ri, të hyje në një marrëdhënie të re, e cila dallohej prej pasionit të zjarrtë ndaj mësuesit tënd. Ndaj në intervistën e parë, pyetja në mendjen e mësuesit hebre kishte të bënte me imitimin.
“A ka ky person cilësitë e duhura për të qenë si unë?” A mund të japë ai mësim ashtu siç mund të jap unë? A mund të jetojë ashtu siç jetoj unë? A mund të jetë ky person përfaqësuesi im, goja ime, dishepulli im?” Mësuesi nuk kërkon për diçka të re. Por ai po kërkon dikë, që të vazhdojë mësimet e nivelit tjetër. Sikurse Jezusi vetë mësoi: “Një student nuk është mbi mësuesin e tij … Mjafton që studenti t’i ngjajë mësuesit të vet.”
Këtu miqtë e mi po e mbyllim programin tonë për sot. Por do të takohemi sërish nesër për të vazhduar temën tonë, “Të qenurit dishepull”.