Të qenurit dishepull

Print

Titulli: Të qenurit dishepull (pjesa 2)

Le t’i kthehemi sot, përkufizimit modern për dishepullizimin, që përkufizon kështu sjelljen tonë: Dishepulli merr pjesë në shërbesat e kishës, jep nga paratë e tij, bën punë vullnetare kur mundet, dhe lutet kur gjen kohë.

Kur e krahasojmë këtë me atë që Jezusi na ka thirrur  që të jemi, kuptojmë se kemi rënë poshtë.

Jezusi po kërkon njerëz të cilët do të jenë si Ai, njerëz, të cilët mund të prezantojnë mësimet e Tij, mirësinë e Tij, dashurinë e Tij për këtë botë të rënë. Nëse do ta ndjekim Jezusin, e të numërohemi ndër dishepujt e Tij, duhet t’i ngjajmë Atij çdo ditë!

Ndoshta sot po përballesh me shkurajime, sepse ne e dimë se sa të thyer jemi; ne i njohim shumë mirë fajet dhe gabimet tona. Ne nuk jemi në gjendje të jetojmë sipas standardeve tona, idealeve tona, në lidhe me atë se çfarë do të thotë të jesh një punonjës i mirë, një mik i mirë, apo një prind i mirë. Nuk ka problem nëse nuk jeton sipas standardeve të Perëndisë, themi ne! Ne mendojmë me vete, “Nuk ka mundësi që ta bëj këtë. Unë nuk mund të jem si Jezusi!”

Ka nevojë për përshtatje. Më kujtohet shumë vite më parë, kur unë isha një djalosh dhe ne si familje kishim një fermë. Unë si vëllai më i vogël bëhesha gjithmonë xheloz për vëllanë e madh sepse ai kishte privilegjin që të ngiste traktorin në fushë. Traktori ishte një përgjegjësi e madhe. Teksa unë nxirrja lopët në kullotë, apo hiqja barërat e këqija në fushë, apo nxirrja plehun nga stalla, vëllai im qëndronte atje lart mbi traktor.

Por një ditë të nxehtë vere, babai im erdhi dhe më tha se do ti jepja unë traktorit të nesërmen, kur do të depozitonim kashtën. Por ky lajm i veniti aspiratat e mia.

Në ato çaste se si u ndjeva, sikur mu krijua një boshllëk në stomak. Unë nuk mendoja se isha në lartësinë e duhur. Unë e dija nga përvoja ime se duhej shumë fuqi për të shkelur pedalin.

Papritur unë u mbusha me dyshime, fillova të mendoja se nuk mund ta bëja aspak këtë detyrë, dhe thashë me vete: “Unë nuk mund ta bëj. Babai ka zgjedhur personin e gabuar.”

A nuk reagon edhe ti kështu kur mendon rreth të qenit një dishepull i Jezusit? A ke edhe ti ato dyshime në mendje? Atëherë dëgjo me shumë kujdes, dëgjo Lajmin e Mirë.

Nëse i kthehemi edhe një herë historisë së sotme do të kuptojmë se Jezusi i ktheu përmbys traditat e vjetra të rekrutimit të dishepujve.

Mendo pak rreth kësaj. Ai la Jeruzalemin, i cilin mendohej si vend me përparësi për dishepujt e tij dhe shkoi në Galile. Galilea ishte një vend rural disi i prapambetur. Sigurisht që ky nuk është vendi më i mirë që ekziston! Ai shkoi në Betsaida, një fshat i vogël peshkimi me afro 600 njerëz, ndoshta me gjashtë deri tetë fise të mëdhenj.

Atje Jezusi takoi Pjetrin, Andrean, Jakobin, Gjonin, dhe Filipin, aspak të veshur në rroba të pastra dhe me të gjitha ngjyrat.

Përfytyro në vend të kësaj një djalosh të ri me njolla nëpër duar, me këpucë të pluhurosura, e me ndonjë dhëmb të përparmë që u mungonte.

Ata ishin të varfër. Ata ishin peshkatarë. Dhe ne e dimë se çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë se ata nuk ishin ‘talmudim’ pra dishepuj.

Dikush në një fazë të caktuar të jetës së tyre u kishte thënë: “Ti nuk je i mirë sa duhet. Shko në shtëpi fëmijë i dashur. Kjo nuk është për ty. Nuk je ti për këtë punë.”

Pak më herët ne dëgjuam Pjetrin i cili u përgjigj kështu kur Jezusi e këshilloi atë të dilte në ujëra të thella: ” Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë.”

Gjithë natën, dhe përsëri asgjë. Kjo është përmbledhja e Pjetrit. Pra ai është nga ata tipat që ndenji gjithë natën por prapë asgjë. Nëse Jezusi do të konsultoheshe me një rekrutues dishepujsh, ai do të thoshte: “Jezus, çfarë po thua, seriozisht e ke?! Ky djalosh nuk bën për dishepull! Ai është thjesht një peshkatar! Madje ai nuk është aspak i mirë për peshkim!”

Sepse nëse e mendojmë mirë, sa herë që e shohim Pjetrin duke peshkuar, rrjetat e tij janë bosh.

Gjithçka në lidhje me këta burra, duke filluar nga vendi i tyre i punës deri në dështimet e tyre, ka emrin ‘humbës!’ Por ja ku vjen Jezusi. Pjetri e njeh mirë se kush është, ky kalimtar i papritur pranë Detit të Galilesë.

Ai është një Rabi, një person me reputacion në rritje, për mësimdhënien e besueshme, predikimet angazhuese dhe shërimet e mrekullueshme.

Në fakt, vetëm pak para ngjarjeve të kësaj historie, Jezusi shëroi vjehrrën e Pjetrit. Dhe atje, atë ditë, Jezusi tregon fuqinë e Tij të madhe dhe autoritetin hyjnor, në këtë kapje të mrekullueshme peshqish.

Ky Mësues i madh, ky Jezus i mrekullueshëm, është në varkën e Pjetrit. Dhe Ai po kërkon dishepuj.

Jezusi po kërkon për njerëz, të cilët do ta ndjekin dhe do të jenë si Ai.

Po, Pjetri e njeh Jezusin, por Pjetri e njeh shumë mirë edhe veten.

Ai është një mëkatar. Një fatkeq. Një humbës. Përgjigja e tij ndaj Jezusit është: “Largohu prej meje Zot, unë jam njeri mëkatar.”

Ai po thotë: “Ti nuk më do mua Zot. Unë nuk jam i mirë sa duhet. Unë nuk mund ta bëj këtë.” Por Pjetrit dhe shokëve të tij Jezusi u përgjigjet:‘Ejani!’ Jezusi shkon me këtë moto:

Jo yjet, as elitën, apo klasën më të lartë të shoqërisë.

Jezusi zgjedh të refuzuarit, ata të cilët nuk i donte kush!

Ky është Lajmi i Mirë për çdonjërin prej jush që po na dëgjoni tani, për të gjithë ju që keni qenë të neglizhuar, për këdo që është lënë pas dore, është përçmuar, abuzuar, apo izoluar.

Ne e shohim veten dhe rrëqethemi.”Jo jo, Zot, duhet të jesh ngatërruar. Ne nuk jemi personat që ti po kërkon. Sepse ne nuk mund të ofrojmë asgjë: përveç kësaj varkës dhe disa rrjetave që kemi, madje edhe për këto gjëra nuk jemi shumë të zotë.” Por Perëndia na shikon në sy dhe duke buzëqeshur thotë: “Unë e di se ti mund t’ia dalësh. Ti mund të jesh si unë.”

Atë verë, 30 vite më parë, kur babai më caktoi t’i jepja traktorit, kaloi më parë pak kohë duke më treguar se si ta bëja. Ai më mësoi se si të përdorja marshin. Ai më mësoi se si të lexoja instrumentet matës, dhe kufirin ku mund të çoja shpejtësinë.

Ai më tregoi se si, ta nisja traktorin dhe si ta ndaloja, si ta fikja dhe ta ndizja sërish. Dhe kështu nën drejtimin e tij unë arrita t’i jepja edhe traktorit.

Sigurisht, nuk mund të them se ishte e lehtë ditën e parë. Më kujtohet kur hoqa pedalin e freksionit dhe babai, im u përkul përpara me shpejtësi, për pak u përplas me xhamin.

Nuk isha i përsosur por unë ia dola. Unë i dhashë traktorit, duke punuar në arra. E bëra këtë sepse më mësoi babai, ai kishte besim në mua se mund t’ia dilja mbanë, edhe atëherë kur unë nuk kisha besim te vetja.

Ndoshta ti ke kaluar një histori si kjo e imja, një kohë në jetën tënde, kur dikush tregoi besim në ty, atë besim që ti vetë nuk e kishe. Dhe kjo bëri gjithë ndryshimin. Kështu është edhe me Perëndinë. Ai shikon përtej asaj që jemi, apo mund të jemi, Ai shikon se mund të bëhemi të ngjashëm me Jezusin.

Miqtë e mi, krishterimi ndryshe quhet edhe besimi i mishëruar në një person.

Kjo do të thotë se Perëndia erdhi në një trup njerëzor. Ai e bëri këtë në një grazhd në Betlehem, kur personi i dytë i Trinitetit, lindi në personin e Jezus Krishtit. Por ka edhe një mënyrë, përmes së cilës Perëndia erdhi në mish në lagjen apo qytetin tënd. Nëse ti e ndjek Atë, Ai vesh personin tënd.

Ti je dishepulli i Tij, ti i flet Atij, pikërisht aty ku je. Çdonjëri prej nesh është profeti i Tij, goja, prania e Tij, veçanërisht për ata që nuk e kanë takuar ende Jezusin. Në fakt, përveçse duhet të jemi të ngjashëm me Jezusin në këtë botë, jemi thirrur gjithashtu t’i çojmë të tjerët te Zoti ynë. Kjo do të thotë të jemi dishepujt e Tij.

Këtë i tha edhe Jezusi Pjetrit: ” Atëherë Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë”.

Jezusi mblidhte turma, kështu që nuk është çudi që dishepujt e tij të bëhen ‘peshkatarë njerëzish.’ Pjesë e të qenurit dishepull është të mbledhësh të tjerë njerëz, pra të bësh dishepuj.

Ti mund të kujtosh se në fund të shërbesës së Tij në tokë, Jezusi i tha ndjekësve të Tij:”Shkoni dhe bëni dishepuj në të gjitha kombet.”

Ky është hapi i fundit në fazën e dishepullizimit për çdo person që ndiqte një mësues të ligjit.

Pasi kishte ndjekur nga afër një mësues ligji, studenti, që quhej në hebraisht ‘talmudim’, nisej i vetëm për të bërë dishepuj, e për t’i mësuar atyre gjërat që dinte vetë. Pra mësimdhënia në thelb do t’i kalohej brezave pasues.

Shkoni dhe bëni dishepuj. Këtë duhet të bënte edhe Pjetri. Ai ishte thirrur të ishte një ‘talmudim’!

Pjetri është një nga këta dishepuj, i cili mendonte se mund t’ia dilte mbanë! Ai ishte thirrur të shkonte në ujëra më të thella, në një marrëdhënie më të thellë me Perëndinë. Po kështu pas kësaj Pjetri duhet të shkonte për t’ia mësuar të tjerëve të njëjtat gjëra që kishte përjetuar vetë.

Edhe ne që jemi thirrur të jemi ndjekës të Jezusit, jemi po njëlloj.

Ne kemi takuar Perëndinë, Ai ka ardhur te ne. Kur ne jemi të sinqertë me veten, e pranojmë se kemi prirjen për tu larguar prej pranisë së Tij sepse jemi mëkatarë. Dhe sërish Jezusi, i Cili na njeh, thellë në zemër, e na ka parë me dashuri; Ai nuk është i zhgënjyer. Ai thotë: “Eja, më ndiq.”

Teksa dëgjon sot këtë program, unë dëshiroj të të pyes ty: A e ke dëgjuar thirrjen e Tij dhe a ke pranuar hirin e Tij? Nëse Perëndia punon në zemrën tënde, nëse e dëgjon pëshpërimën e Tij, ose britmën e Tij është fryma e Jezus Krishtit që thotë: “Eja më ndiq. Unë të kam zgjedhur si dishepull. Unë mendoj se ti je si Unë.”