Të shohësh përtej dukjes

Print

Titulli: Të shohësh përtej dukjes (pjesa 1)

ÇFARË MENDON PËR JEZUSIN?

Djali i ri u ul në zyrën time dhe ne filluam të flisnim. Ne folëm rreth Biblës dhe mësimeve të saj, që atij iu dukën me të vërtetë misterioze. Ne folëm për çështjet fetare që gjenden në rrugën e një jete të kënaqshme për shpirtin.

Dhe teksa flisnim, mund të kuptoja se biseda jonë, me gjithë kthesat dhe përdredhjet, kishte një drejtim, një trajektore. Ne dalëngadalë po shkonim në mënyrë të pashmangshme drejt pyetjes për Jezus Krishtin. Nuk mund ta lija këtë djalë të ri pa e përballur me realitetin e identitetit të Jezusit. Hap pas hapi, udhëtimi shpirtëror i këtij djali, po e drejtonte atë para pohimeve të Krishtit.

Po ti? Çfarë mendon për Jezusin? Ti ndoshta ke dëgjuar shumë për Të gjatë viteve të kaluara. A e ke ndarë mendjen se Cili është Ai?

Jezusi është një person goxha kompleks. Në fakt, Jezusi është ende në lajme, ndonëse kanë kaluar rreth dymijë vjet qëkurse Ai eci në këtë tokë. Gjatë vitit të kaluar, revistat kryesore kanë shkruar artikujt të posaçëm rreth identitetit të Jezusit.

Duket sikur studiuesit ende sot vazhdojnë të debatojnë në lidhje me identitetin e Jezusit.

Por lista e mundësive përsa i përket identitetit të Jezusit nuk ka ndryshuar shumë përgjatë shekujve. Unë mendoj se ka njerëz që thonë se Jezusi ishte në vazhdën e profetëve të Dhjatës së Vjetër. Të tjerë kanë thënë se Jezusi ishte më tepër një lloj mësuesi hebre që i takonte botës së shekullit të parë. Dhe kishte të tjerë pohonin se Ai është më shumë se aq. Ata shpallin se Jezusi është as më shumë e as më pak, por hyjnor.

Ai është personi që rregullon gjithçka në këtë botë të shkatërruar. Ndonëse kanë kaluar dymijë vjet, debati ende vazhdon.

Por dallimi se Cili është Jezusi, nuk është një çështje aq e thjeshtë. Dhe përshtypjet e para mund të gënjejnë. Unë kam njohur njerëz të cilët në përshtypje të parë nuk duken persona shumë të pasionuar pas besimit të krishterë. Nëse i takon për herë të parë, duket se nuk janë shumë seriozë për të ndjekur Jezusin. Por më vonë kam zbuluar një anë të fshehtë të tyren, që nuk e kisha njohur më parë.

Një i njohuri im investon disa orë për të punuar me fëmijët pa të drejta, ose shkon çdo javë për të përgatitur darkën për fëmijët e pastrehë, si një përkushtim ndaj Krishtit.

Por ka edhe njerëz që janë shumë ndryshe, njerëz që duket sikur janë plot për plot me ndjeshmëri fetare dhe që e vendosin veten si modele të përkushtimit të krishterë.

Por kur shikon nën sipërfaqe, spiritualiteti është maskë për ta, dhe përkushtimet e tyre të krishtera nuk janë asgjë më shumë se një fasadë, për tu bërë përshtypje të tjerëve.

Pra ajo që dua të them është se ne mund të gabohemi në lidhje me njerëzit. Mund të gabohemi rëndë. Dhe e njëjta gjë mund të ndodhë për Jezusin. Jam shumë kureshtar të di se çfarë mendon ti për Jezusin, a ke mendimin e duhur? Përshtypjet e para mund të gënjejnë. Pra a e ke njohur Jezusin si duhet?

Asnjë çështje tjetër nuk është më e rëndësishme se sa kjo. Sepse nëse gabohesh në lidhje me Të, do të bësh gabimin më të madh të jetës.

Sigurisht që nëse ti e do Jezusin, ti dëshiron të dëgjosh me vëmendje se çfarë do të thotë Ai në lidhje me identitetin e Tij. Vetëm kjo duket e drejtë. Unë kam njohur shumë njerëz që mendojnë se kanë përgjigjet e duhura në lidhje me Jezusin, por asnjëherë nuk kanë gjetur kohë për t’i kontrolluar çfarë ka thënë Ai për veten e Tij.

Dhe nuk ka kohë më të mirë se sa kjo për të pushuar dhe për të pyetur rreth Jezusit. Fundja fare, ne po flasim për fillimin e javës që do të ketë ngjarje vendimtare në karrierën e Tij. Po flasim për kohën kur Jezusi ishte, vetëm disa ditë para kryqëzimit të Tij.

Gjatë javëve në vijim, do të ndalemi në thelb të shërbesës së Tij. Thjesht kontrollo se sa prej ungjijve i përkushtohen ditëve të fundit të jetës së Jezusit, janë pothuajse gjysma. Është e dukshme se për të kuptuar Jezusin t’i duhet të zbulosh kuptimin e këtyre ditëve të fundit të jetës së Tij. A është vuajtja që do të mbulojë Jezusin gjatë ditëve në vijim, thjesht një shenjë e ligësisë së botës sonë?

A është vdekja e Jezusit thjesht ekzekutimi irracional i një njeriu të mirë? Apo është diçka më shumë? A ndodhi diçka gjatë javës së fundit që do ta kthejë botën përmbys?

Episodi që prezanton ngjarjet e hyrjes së Jezusit në Jeruzalem, që quhet e diela e Palmave na jep të dhëna shumë të rëndësishme. Le të eksplorojmë edhe një herë të dhënat që Jezusi na ka lënë në lidhje me hyrjen e Tij në Jeruzalem. Ne do ta bëjmë këtë, pasi të kemi dëgjuar këngën rreth ardhjes së Tij.

IDENTITETI MBRETËROR

Teksa mendojmë se çfarë ndodhi të dielën e Palmave, një gjë është e sigurt. Gjatë atyre tre vjetëve shumë njerëz që i shkuan nga pas Jezusit u munduan të zbulonin se Cili ishte Ai. Ata kishin dëgjuar mësimet e Tij, kishin dëshmuar mrekullitë e tij, kishin përpunuar pretendimet e tij. Dhe atë të diel në mëngjes, kur Jezusi kaloi portat e Jeruzalemit, ata menduan se kishin gjetur përgjigje për pyetjet e tyre.

Të gjithë kishin shumë pritje për këtë. Në fakt ndjekësit e Jezusit nuk kishin qenë asnjëherë kaq energjikë sa atë mëngjes të diele. Atmosfera duhet të ketë qenë si në një mbrëmje festive pas zgjedhore, kur kandidati feston fitoren dhe të qeshurat pa fund mbushin gjithë hollin. Ndjekësit e Jezusit, kishin pritur që Ai të shfaqej me deklaratat e Tij politike. Dhe të dielën e Palmave, duket sikur ëndrrat e tyre po plotësohen nën dritën e diellit.

Jezusi ka kërkuar një gomar për të bërë udhëtimin nga Betania në Jeruzalem. Kjo nuk duket e rëndësishme për ne. Por kjo kishte shumë kuptim për turmat. Në botën antike, mbretërit udhëtonin mbi gomar. Për turmat, ky procesion i kryesuar prej mësuesit të tyre, mbi një gomar ishte i barabartë me një autokolonë presidenciale. Ishte njëlloj sikur kryeministri të parakalonte për të shkuar drejt zyrës së tij qeveritare. Në sytë e ndjekësve të Jezusit, më në fund ndodhi: Jezusi ka shpallur hapur mbretërimin e Tij.

Për më tepër Jezusi drejton procesionin drejt destinacionit mbretëror. Jezusi po shkonte në Jeruzalem, në qytetin e Davidit, qytetin e Perëndisë. Jeruzalemi, qyteti ku mbreti Mesia do të mbretëronte në lavdi!

Dhe turma e kishte kuptuar këtë. Ndaj kudo dominon entuziazmi. Ata përgjigjen në mënyra që i përshtaten ardhjes së një mbreti. Shekuj më parë, miqtë e Jehut kishin shtruar xhaketat e tyre para Jehut për ta mirëpritur atë teksa fillon mbretërimin e Tij. Tani kjo turmë bën të njëjtën gjë me Jezusin. Para shumë vitesh, turmat kishin prerë degë palmash dhe i kishin shtruar para këmbëve të Simon Makabeut, teksa hynte në Jeruzalem për të bërë ripërkushtimin në tempull.

Xhaketat dhe degët e vjetra shtrohen kudo! Dhe tani fillon kënga. Këto janë fjalët e Psalmit 118 kënduar prej turmës:

Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit. . .

Unë do t’ju orientoj disi në domethënien e korit të tyre. Psalmi 118 ishte një psalm shumë i veçantë në Izraelin e lashtë. Ai këndohej në një prej festave të mëdha judease, teksa mbreti i Izraelit drejtonte një procesion adhuruesish përgjatë rrugëve të qytetit drejt tempullit. Ndërkohë që procesioni arrinte portat e tempullit njerëzit këndonin:

Më hapni portat e drejtësisë;

unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

Kjo është porta e Zotit,

të drejtët do të kalojnë nëpër të . . . “

Dhe më pas njerëzit këndonin këto fjalë për vetë mbretin:

Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit . . .

Pasi Izraeli u përpi prej kombeve më të fuqishëm, nuk kishte më asnjë mbret në Izrael, të cilit të mund t’i këndonin këngën. Por besimtarët judenj besonin se një ditë, ajo këngë do të këndohej sërish. Një ditë, sipas planit të Perëndisë për të ardhmen, kur të vinte një mbret i ri mbi Izrael, kjo këngë do të këndohej sërish:

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit . . .!

Dhe mëngjesin e të dielës së palmave, turma bindet se ajo kohë ka ardhur tashmë. Një bir tjetër i Davidit po i afrohet portave të Jeruzalemit. Ai do të qëndrojë para portave të tempullit. Dhe njerëzit do ta nderojnë atë si mbretin e tyre:

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit . . .!