Të sillesh si burrë

Print

Titulli: Të sillesh si burrë (pjesa 3)

Burra në veprim

Bibla thotë: “Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë. Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri”

(1 Korintasve 16:13-14)

Është e rëndësishme të dëgjosh ato fjalë, por po aq e rëndësishme është të shohësh burrat në jetën reale, me besim të palëkundur, burra të guximshëm, që kanë forcë dhe dashuri të madhe, burra që ja vlen të admirohen dhe të merren si shembull. Unë jam bekuar nga fakti që nuk më është dashur të kërkoj një burrë të tillë. Unë jam rritur në një familje me një njeri të  tillë në krye të tavolinës sonë.

Babai im është një prej modeleve të burrërisë. Në rininë e tij ai është rritur në një fermë, gjatë viteve 1930, në kohën e Depresionit të Madh. Prindërit e ti, pra gjyshërit e mi ishin emigrantë punëtorë që i besonin Jezusit dhe jetonin për Perëndinë. Gjyshërit e mi lexonin Biblën dhe luteshin bashkë si familje dhe i morën fëmijët me vete në kishë që nga dita e parë. Babai im u rrit i fortë dhe i fuqishëm. Në vitet e shkollës së mesme, ai punonte shumë në fermë. Ai luante shumë mirë në fushën e basketbollit. Kur babai ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, i vdiq i ati.

Pak vite më vonë, Babai takoi një vajzë shumë të mirë. Ata u fejuan, por para se të martoheshin babai shkoi në ushtri. Ai kaloi disa vite në gjermani, ndërsa e fejuara prit derisa ai të kthehej. Më në fund ushtari i ri u kthye dhe ata u martuan.

Martesa e prindërve të mi vazhdon prej më shumë se pesëdhjetë vitesh. Ata rritën gjashtë fëmijë, të cilët lexojnë Biblën me ne, na marrin në kishë dhe paguajnë që secili prej nesh të arsimohet në një shkollë të krishterë. Jeta e babait  tim rrotullohet rreth bujqësisë dhe punës në fermë. Përgjatë viteve ai ka mbajtur mijëra dengje kashte dhe kova mbushur me grurë. Ai ka kontrolluar kuajt në vrullin e tyre, dhe ka mbajtur pas kapistre bagëti pa numër.

Por së bashku me krahët e tij të fuqishëm, babai im ka pasur gjithmonë një zemër të dashur. Një prej kujtimeve të preferuara të fëmijërisë sime ishte kur qëndroja ulur në kishë. Teksa predikuesi fliste, babai ndonjëherë më hidhte krahun e tij të madhe të fuqishëm në shpatulla dhe unë thjesht tulatesha në një ndjenjë sigurie dhe lumturie.

Unë e admiroj kombinimin e forcës me dashurinë tek babai im. Krahu i fortë që mund të mbante në litar viçat e tërbuar dhe dengjet e mëdha të kashtosh ishte i njëjti krah që na dhuronte përqafime vëllezërve të mi dhe motrës.  Me të njëjtën vendosmëri në zemër që ai përballoi ushtrinë, mundi të dashuronte besnikërisht për pesëdhjetë vite të njëjtën grua. Shtysa e fuqishme që e bëri atë një rritës bagëtish të suksesshëm në punë ishte e njëjta që e nxiti të ndihmonte njerëzit në nevojë. E kam parë babanë se si i ndihmonte njerëzit në vështirësitë e tyre. E kam shoqëruar për të vizituar të burgosurit, diçka që ai e ka bërë rregullisht për shumë vite.

Edhe tani që jetojmë pak larg, unë gjej mbështetje te dashuria dhe forca e tij. Kalojmë orë të tëra në telefon së bashku. (Unë kam edhe një nënë të jashtëzakonshme, por meqenëse ia kemi dedikuar këtë kohë burrave nuk po ndalem tek ajo.)

Bisedat me babanë dhe nënën ma forcojnë zemrën, qofshin këto biseda për bagëtinë, sportet, politikën a familjen, por më së shumti, Perëndinë dhe misionin e tij. Babai im nuk është si çupëlinë, nuk është as si barbar. Ai është burrë!

Babai nuk mburret, kështu që me shumë mundësi ndihet në siklet që unë po flas kështu për të. Jam shumë i lumtur që ta respektoj atë, tani nuk po përpiqem t’i fryj egon e tij apo të mërzit dëgjuesit e radios me histori personale. Unë thjesht po përpiqem të përshkruaj modelin më të mirë të burrërisë që njoh. Babai im nuk është një person i mrekullueshëm në çdo aspekt. Ai nuk është i përsosur. Ai e di këtë më mirë se kushdo tjetër. Ai është një mëkatar i shpëtuar prej hirit të Perëndisë, përmes besimit.

Me gabimet dhe dobësitë e tij, ai qëndron i patundur në besim. Ai e njeh Biblën, mbahet fort pas Fjalës së Perëndisë dhe, nuk lëkundet prej mësimeve të rreme. Besimi i tij  në Jezusin nuk lëkundet përballë problemeve; madje ai mund të qëndrojë për besimin edhe nëse kërcënohet me vdekje. Kur u bë kaq i fortë? Jo vetëm kur shërbeu në ushtri, apo ngriti tubat e rëndë të kundra zjarrit, apo kur i mbante demat nën kontroll, apo veprime të tjera të forcës fizike, por kur u shtri në spital për tu përballur me një operacion për të luftuar për jetën. Përballë vdekjes ai tregoi siguri në Krishtin dhe aspak tmerrin që ndjen kur je në këtë situatë. E falënderoj Perëndinë që e kurseu jetën e babait dhe e shëroi atë. Ndërkohë, babai më ka dhënë një tjetër mësim se çfarë do të thotë të qëndrosh i fortë në besim.

Në kërkim të burrërisë

Ndoshta ti njeh dikë që është kështu. Nëse po, quaje veten të bekuar. Këta burra duken më të  rrallë këto ditë. Bota ka më shumë nevojë për burra të Perëndisë.  Disa prej jush mund të kenë jetuar për shumë gjatë si dema të tërbuar, si barbarë egoistë me hormone të forta dhe një dëshirë për tu bërë të pasur, por pa shumë urtësi, pa shumë dashuri, pa shumë nder, pa shumë besnikëri. Të tjerët mund të jenë bërë tepër ledhatarë për të marrë drejtimin në ndonjë vështirësi të madhe.

Për shumë prej jush, hapi i parë drejt një ndryshimi thjesht mund të të kujtojë ty babanë, gjyshin, një xhaxha apo mik familjeje, i cili është sjellë vërtetë si burrë. Për disa arsye ti mund të jesh larguar prej shembullit fisnik të babait dhe gjyshit tënd, por ai mbetet thjeshtë në kujtesën tënde. Një model i përkryer! Kujto pikërisht besimin e atij njeriu, guximin, forcën, dashurinë dhe merr shembullin e atij dhe bëje tëndin. Njihe Zotin Jezus, i Cili e ka bërë atë burrin që është sot.

Në rast se je rritur pa një shembull të shëndetshëm për burrërinë, ti je në kohë për të mësuar. Mos u dorëzo. Dorëzimi është për çupëlinat. Sillu si burrë! Dëgjo thirrjen e Perëndisë. Bëj çfarë të mundesh për të mposhtur problemet e tua dhe të bëhesh njeriu që Perëndia të fton që të bëhesh. Nëse nuk je rritur me një model të shëndetshëm të burrërisë, gjej dikë shembullin e të cilit mund ta ndjekësh dhe më pas bëhu ti vetë shembull për të tjerët. Gjej një kishë të drejtuar prej burrave të perëndishëm, të cilët inkurajojnë burrërinë e perëndishme. Mos mendo se kisha është vetëm për gratë dhe fëmijët. Ne burrat kemi nevojë për kishën dhe kisha ka nevojë për ne.

Burrat kanë rol kyç jo vetëm në biznes dhe në marrëdhëniet kombëtare por edhe në kishë e familje. Familjet tona kanë nevojë për bashkëshortë dhe etër të fuqishëm. Kishat kanë nevojë për  burra që dinë si të duan dhe si të drejtojnë. Ndërkohë që disa kisha diskutojnë udhëheqjen prej grave, problemi më i madh në shumë kisha nuk është mungesa e grave, por mungesa e burrave. Kishat kanë nevojë që të ungjillëzojnë burrave. Kishat që ungjillëzojnë gratë mund të kenë vetëm gra. Kishat që ungjillëzojnë fëmijët mund të kenë vetëm fëmijë. Por kishat që ungjillëzojnë burra do të kenë si gra ashtu edhe fëmijë.

Një studim ka nxjerrë se nëse një fëmijë është personi i parë që bëhet i krishterë në një familje, ka  më pak se 4 përqind mundësi që gjithë familjarët e tjerë të ndjekin shembullin e tij.

Në rast se nëna është e para, atëherë ka 17 përqind mundësi që të tjerët në familje të bëhen të krishterë. Por nëse babai është personi i parë në familje që bëhet i krishterë, atëherë ka 93 përqind mundësi që tërë të tjerët në shtëpi të ndjekin shembullin e tij.

Burra, marrëdhënia juaj me Perëndinë, apo mungesa e saj, nuk ju ndikon vetëm juve. Në rast se i besoni Jezusit dhe qëndroni të fortë në besim, ju do tu sillni bekime të mëdha atyre që doni.

Le ti lutemi Zotit për çdo burrë të perëndishëm që njohim dhe le ti kërkojmë Zotit të na ndihmojë që të sillemi si burra të vërtetë, e të jemi frymëzim për brezat që nuk kanë ardhur ende.