1 Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.
2 Dhe Pilati e pyeti: “A je ti mbreti i Judenjve?”. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: “Ti e thua!”.
3 Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.
4 Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: “Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!”.
5 Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.
6 Dhe në çdo festë ishte zakon t’u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.
7 Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.
8 Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.
9 Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: “A doni t’ju liroj mbretin e Judenjve?”.
10 Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.
Ne si prindër u mësojmë fëmijëve tanë se duhet të zhvillojnë nje ndjenjë përgjegjësie dhe pavarsie. Ne dëshirojmë që fëmijët tanë të rriten dhe të bëhen burra dhe gra veprues.
“Bëju dikushi, djalë”- kështu më thoshin përhera mësuesit e mi.
Ne dëshirojmë fort dhe punojmë shumë për të arritur suksesin apo për të sjellë rezultatet e dëshiruara.
Neve na pëlqen veprimi dhe përbuzim plogështinë.
Sikurse e thotë edhe një thënie e vjetër: “Mos rri kot, merru me diçka!”
Me këto nocione dominuese në botën tonë, shkrimet që lexuam bashkë mund të duken turbulluese. Jezusi, Shpëtimtari ynë, të Cilin e lartësuan në atë kohë si Mesia, Mbreti e judenjve, si ai që do të çlironte popullin nga shtypja, duket sikur nuk po bën shumë gjëra. Me siguri Ai nuk është një njeri veprues. Kjo është e çuditshme, veçanërisht kur përreth Tij po ndodhin shumë gjëra.
Pilati është veprues, kryepriftërinjtë janë veprues, turma është aq vepruese sa thërret fort dhe bërtet. Por Jezusi është pasiv, i plogësht, Ai nuk bën asgjë.
Qëndrimi i plogësht i Jezusit, është turbullues për ne, duke ditur se shumë prej nesh besojnë se Bibla miraton veprimin.
Kam lexuar një artikull që fliste me gjuhën e shifrave për besimin e të rinjve në Amerikë. Interesante ishte se disa studentë kishin zhvilluar një panair, ata kishin vendosur një tabelë ku shkruhej pyetja “Perëndia i ndihmon ata, të cilët ndihmojnë vetveten”, a gjendet kjo shprehje në Bibël, po apo jo? Pjesa më e madhe e njerëzve thanë, “Po.” Por doli se në Bibël nuk gjendet një thënie e tillë.
Për veshët e disave prej nesh kjo duket disi e drejtë. Shumë nga ne, e kanë dëgjuar këtë thënie po aq sa vargjet biblike, kjo është arsyeja përse duket sikur është thënie biblike.
Në fakt një sondazh i drejtuar nga një grup kërkimor para disa vitesh në Amerikë zbuloi se shtatëdhjetë e pesë përqind e adoleshentëve në Amerikë, besojnë se mesazhi qendror i Biblës është ky: “Perëndia ndihmon ata që ndihmojnë vetveten.”
Duke qenë se shumë njerëz e besojnë këtë, nuk është çudi që qëndrimi i plogësht i Jezusit të na turbullojë.
Ai nuk bën asgjë për të ndihmuar veten. Ai nuk është një njeri veprimi. Në vend të kësaj Ai thjesht i le gjërat që të ndodhin. Ai nuk bën asgjë për ta ndihmuar veten. Thjesht është e vështirë për të kuptuar këtë qëndrim të Jezusit.
Ndoshta ne mund të kuptojmë një grimcë të qëndrimit pasiv të Jezusit, duke i hedhur një vështrim njerëzve të tjerë veprues në këtë ngjarje. Le ti kthehemi tekstit tonë.
Së pari, unë mendoj se mund t’i kuptojmë veprimet e Pilatit. Pilati është një lider politik, qëllimi kryesor i të cilit ishte të ruante lumturinë e Romës, duke ruajtur lumturinë e njerëzve të Judesë,- në mos plotësisht të lumtur, të paktën që njerëzit të ishin në paqe dhe të mos krijonin kryengritje.
Për Pilatin, sakrifikimi i një njeriu të pafajshëm, me emrin Jezus është thjesht një çmim i vogël për tu paguar, për të kënaqur turmën dhe rrjedhimisht për të ruajtur paqen.
Kësisoj, unë mendoj se ti mund të kuptosh reagimin e kryepriftërinjve. Ata janë drejtues fetarë, shqetësimi më i madh i të cilëve është të mbrojnë institucionet fetare, duke ruajtur paqen fetare. Jezusi ishte shkaku i nxitjes së turmave.
Ai është një person që trazon paqen, veçanërisht paqen fetare të vendosur prej drejtuesve të vendit. Për drejtuesit fetarë, heqja qafe e Jezusit është një çmim i vogël për tu paguar, për të ruajtur vendin dhe pozitën e tyre të privilegjuar. Me pak fjalë, Pilati dhe kryepriftërinjtë, i mbyllin punët vetë. Edhe sikur ne të mos miratonim metodat dhe qëllimet e tyre, ata janë njerëz të veprimit. Ne mund ta kuptojmë këtë.
Realisht ne mund të kuptojmë edhe turmën që bërtet: “Kryqëzojeni atë!” Turma dëshiron vetëm çlirimin e vërtetë.
Ata nuk janë as miq të Romës e as nderues të drejtuesve fetarë.
Po, romakët i sundojnë ata, dhe drejtuesit fetarë e lejojnë këtë, ndërkohë Jezusi praktikisht nuk po u afronte atyre diçka më të mirë se qeveria romake apo drejtuesit fetarë.
Për një farë kohe ata menduan se Jezusi do të sillte çlirim prej shtypjes romake. Por tani Ai qëndron atje, pa folur fare dhe pa bërë absolutisht asgjë.
Turma e njerëzve dëshironte veprim. Ata ndihen të irrituar sepse Jezusi nuk po vepron ashtu siç e prisnin ata. Të paktën Pilati dhe Kryepriftërinjtë po bëjnë diçka.
Ju kujtohet sondazhi që kishin bërë në Amerikë, sipas të cilit 75% e të rinjve amerikanë pohuan se Perëndia ndihmon ata të cilët ndihmojnë vetveten?
Pilati ndihmon veten, kryepriftërinjtë ndihmojnë veten, madje edhe njerëzit e turmës ndihmojnë veten. Ne mund t’i kuptojmë shumë mirë këta njerëz sepse ata janë pak a shumë si ne. Ata e dinë se si t’i zgjidhin gjërat.
Në fillimet e mia të besimit, më kujtohet se kisha shumë pyetje në lidhje me qëndrimin e heshtur dhe indiferent të Jezusit gjatë gjykimit të Tij. ” A nuk do të ishte bukur” mendoja unë, “sikur Jezusi të çlirohej nga litari dhe prangat që e mbanin lidhur dhe të ngrihej lart në ajër duke provuar se Ai ishte Perëndia?” Por Jezusi thjesht qëndron atje pa thënë asgjë fare. Ne mendojmë se Perëndia ndihmon ata të cilët ndihmojnë veten, por Jezusi nuk po bën asgjë për të ndihmuar veten e vet.
Nëse i kthehemi tekstit zbulojmë se Pilati çuditet nga ky qëndrim. Ai çuditet se si Jezusi nuk bën dhe nuk thotë diçka më shumë për veten. Kur Pilati e pyet drejtpërdrejtë Jezusin nëse Ai është mbreti i judenjve, Pilati merr një përgjigje të thjeshtë me dy fjalë në greqisht.
Ndoshta në versionin tonë në shqip ka më shumë se dy fjalë, por gjithsesi përgjigja e Jezusit është e shkurtër dhe fare pak ndihmuese. Jezusi thjesht thotë: ” Ti e thua!” Pse nuk bën diçka Jezusi për të ndihmuar veten e Tij? Pilati irritohet kaq shumë me Jezusin, kur nuk merr përgjigje për akuzat e ngritura ndaj Tij sa që i bërtet Jezusit:” Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!”. Por përsëri Jezusi nuk thotë gjë. Çfarë duhet të ketë menduar Pilati për gjithë këtë?
Për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë se teksti nuk thotë shumë në lidhje me këtë. Por ne mund të përfytyrojmë shqetësimin e tij. Teksti e shpreh qartë se Pilati nuk ishte budalla. Sipas vargut 10 në tekst, ai e dinte se kryepriftërinjtë e donin Jezusin të vdekur vetëm prej zilisë.
Ai e dinte se akuzat kundër Tij, ishin akuza të rreme të ngritura prej drejtuesve fetarë ziliqarë, të cilët dëshironin të hiqnin qafe një konkurrent të rrezikshëm.
Ungjijtë e tjerë e bëjnë të qartë se Pilati ishte dashamirës ndaj Jezusit. Ai dëshironte ta çlironte Atë, sepse nuk gjeti asnjë faj në Të.