Ju kujtoj pjesën e Shkrimeve rreth së cilës do të flasim sot.
E lamë herën e kaluar te Marku 15:11-15
11 Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t’u lironte atyre Barabanë.
12 Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: “Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?”.
13 Dhe ata bërtitën përsëri: “Kryqëzoje!”.
14 Dhe Pilati u tha atyre: “Po ç’të keqe ka bërë?”. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: “Kryqëzoje!”.
15 Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.
Në tekstin tonë sot bëhet e qartë se Pilati i ofroi popullit mundësinë që ta çlironte Jezusin. Ishte zakon asokohe që një i burgosur i dënuar mund të çlirohej sipas vullnetit të popullit gjatë festës së Pashkës.
Pilati ofron para tyre Çlirimin e Jezusit, këtij njeriu të pafajshëm, ose të Barabas, një vrasësi dhe kryengritësi. Me fjalë të tjera, Pilati i ofron turmës dy mundësi zgjedhjeje: një mësues të pafajshëm, dhe një terrorist. Me siguri ata do të zgjedhin mësuesin e pafajshëm. Pilati po mundohet të gjejë një mënyrë për të çliruar Jezusin e për ta kënaqur turmën.
Unë mund të kuptoj motivimin dhe dëshirën e madhe të Pilatit për të shpëtuar Jezusin nga kryqi. Atij nuk i intereson shumë teologjia, aq më pak drejtësia.
Nga ana teologjike ai është gnostik. Te ungjilli i Gjonit, Pilati thotë diçka që është bërë e famshme tashmë: “Cila është e vërteta?” Jezusi është enigma teologjike dhe shpirtërore e Pilatit, por nuk ka rëndësi nëse është teologjike apo shpirtërore. Për më tepër, detyra e Tij nuk ka të bëjë realisht me drejtësinë. Drejtësia është për romakët, jo për këta njerëz nga moçali i Judesë. Detyra e Pilatit është të ruajë qetësinë në qytet. Detyra e tij është politike. Ai është një politikan dhe vepron si i tillë.
Ndërkohë turma, vepron si turmë. Njerëzit e manipuluar prej kryepriftërinjve ziliqarë, ngacmohen që të çojnë Jezusin drejt vdekjes së kryqit. Së pari ata kërkojnë që Baraba të çlirohet në vend të Jezusit. Më pas kur Pilati i pyet ata drejtpërdrejtë: “A doni t’ju liroj mbretin e Judenjve?”. Ata fillojnë të kërkojnë kokën e Jezusit. Fjalët specifike janë: “ Kryqëzoje!”.
Pilati, duke nuhatur se mendësia e turmës ka bërë përpara, mundohet edhe një herë të ngadalësojë procesin dhe të sjellë edhe një herë gjuhën e drejtësisë në këtë proces. Ai pyet: “Po, pse ç’të keqe ka bërë?”.
Por turma ishte bërë me të vërtetë një bandë keqbërësish. “Kryqëzoje,” reagon turma pas pyetjes së Pilatit.
Pilati mund ta kishte refuzuar kërkesën e tyre, por ai dëshiron të kënaqë turmën. Kryepriftërinjtë mund të kishin ndërhyrë për të mbrojtur vëllanë e tyre jude, por për shkak të zilisë bëjnë të kundërtën, nxisin turmën për vrasjen e Jezusit.
Edhe turma mund të kishte ndaluar ekzekutimin duke parë se dëshira kryesore e Pilatit ishte t’i kënaqte ata, por ata u dhanë pas derdhjes së gjakut, zemërimit verbues dhe dështimit.
E gjithë skena degjeneroi në një trazirë politike, religjioze dhe sociale.
Drejtuesi politik thjesht ndjek tekat e turmës. Drejtuesit fetarë, thjesht shpikin rregullat e tyre dhe lenë mënjanë të vërtetën dhe me tërbim ziliqar manipulojnë rrethanat që të dënojnë me vdekje një njeri të pafajshëm.
Turma ndërkohë, e njëjta turmë që dikur kishte mirëpritur Jezusin në Jeruzalem, e cila kishte parë dhe përjetuar mrekullitë e Tij, dhe ishte çuditur prej mësimeve të Tij të thella, tashmë ishte bërë një turmë keqbërësish që donte derdhje gjaku. Trazira, konfuzioni, pasiguria dhe kaosi sundonte qytetin.
Për ne do të ishte e lehtë thjesht të vajtonim dhe të kritikonim ata njerëz që lejuan të ndodhte kjo. Por a nuk është e vërtetë se edhe ne biem ndonjëherë në të njëjtin kurth? A nuk është e vërtetë se drejtuesit tanë politikë shpesh marrin vendime vetëm për të kënaqur turmat. A nuk ka shumë drejtues fetarë, të cilët kërkojnë të mbrojnë vetëm veten? Po ne vetë a nuk ndihemi ndonjëherë si njerëz që ecin me mentalitetin e turmës?
Dua të sjell sërish disa statistika që i referohen situatës që folëm dje, në lidhje me kuisin që disa studentë në Amerikë bënë në një panair. Sipas këtij sondazhi, 91% e amerikanëve, nuk besojnë se ka një të vërtetë absolute.
Me fjalë të tjera, ashtu si Pilati ata bëjnë këtë pyetje retorike:” Cila është e vërteta?” dhe as nuk presin as nuk pranojnë një përgjigje definitive. 51% e amerikanëve besojnë se Jezus Krishti mëkatoi gjatë jetës së vet. Me fjalë të tjera, ata besojnë se Jezusi ishte si çdo njeri tjetër, ndoshta ishte një njeri i mirë, ndoshta ishte një njeri i madh, por gjithsesi ishte thjesht njeri.
Por ajo që më çudit më shumë është se 40 përqind e të rilindurve sërish në Amerikë, besojnë se Jezusi mëkatoi.
Me fjalë të tjera, edhe midis të krishterëve të përkushtuar, një përqindje e madhe e njerëzve besojnë se Jezusi nuk ishte i përsosur. Nga këto statistika a nuk të duket se jetojmë në të njëjtin konfuzion social, politik dhe religjioz që Jezusi përjetoi në kohën e vet? Unë mendoj se po ! Trazira, pasiguria dhe kaosi shpesh mbizotërojnë në botën tonë sot, njësoj si në kohën e Jezusit.
Të kthehemi sërish te Jezusi. Jezusin e fshikullojnë dhe më pas e dorëzojnë për ta kryqëzuar. Por Ai sërish nuk thotë asgjë. Asgjë. Ai thjesht rri dhe pret. Më pas zbulojmë nga teksti ynë se kjo është e vetmja gjë që Ai bën. Jezusi është i vetmi që nuk nxitet prej ndjenjave të veta apo ndjenjave të njerëzve të tjerë. Ai qëndron i patundur. Ai është i vetmi që nuk po kërkon as interesin dhe as dëshirat e veta.
Ai qëndron i patundur. Ai është i vetmi i cili qëndron i qetë dhe aspak i shqetësuar. Ai qëndron i patundur. Në mes të gjithë konfuzionit politik, religjioz dhe social, Jezusi qëndron i patundur, në të vërtetën absolute, dhe në paqe të plotë.
Ndryshe nga Jezusi, shohim se veprimet e Pilatit, kryepriftërinjve dhe turmës dështojnë.
Disa dekada pas kryqëzimit të Jezusit, paqja politike dështon plotësisht. Rebelimi shpërthen. Institucionet fetare, dhe status kuoja, përmbysen teksa Roma shtyp rebelimin.
Për Kryepriftërinjtë nuk dëgjohet të flitet më pas kësaj ngjarjeje. Çlirimi për të cilin turma ka aq nevojë, hidhet tutje teksa tempulli i Jeruzalemit shkatërrohet dhe populli jude shpërndahet kudo duke mbetur pa atdhe pothuajse për dy mijë vjet.
Në kontrast me Jezusin, e gjithë bota gjithmonë është munduar të ndjekë dëshirat e veta dhe të arrijë suksesin e vet. Por as kjo nuk zgjidh gjë. Prej mëkatit të parë të Evës dhe Adamit, gjatë kohës së Krishtit dhe deri sot, bërja e diçkaje për të ndihmuar veten tonë nuk ka zgjidhur asgjë në fund.
Kjo ka sjellë gjithmonë trazirë, mëkat dhe dhimbje. Shumë shpesh, ne pohojmë se përpjekjet tona, programi politik, pozicioni ynë dhe ndërtesat fetare, apo programet sociale do të sigurojnë çlirimin dhe shpëtimin.
Por kjo është një gënjeshtër, që të çon drejt e në gropën e ferrit. Ekziston vetëm një njeri, një mënyrë, një Shpëtimtar i Cili mund të sigurojë shpengimin. Ai është Jezusi, Ai qëndron i qetë dhe në paqe të vërtetë mes shamatës që e rrethon.
Po a e kuptojmë ne Jezusin? A mund të kuptosh se çfarë po ndodh këtu? Jezusi i vetmi person në këtë ngjarje që duket sikur është pasiv, në të vërtetë është i vetmi që realizon diçka. Vetëm Ai qëndron për të pranuar të vërtetën e profecisë. Profecia e Isaias, 53:4-5 thotë: ” Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.”
Jezusi e di se këto fjalë janë për Të.
Ai e di se duhet të vdesë për të sjellë shpëtimin dhe çlirimin për të gjithë ata që besojnë te Ai. Atë që Pilati, kryepriftërinjtë dhe turma nuk e kuptuan, ai ishte i vetmi që e kuptoi dhe ngulmoi që profecia të përmbushej. Vetëm Jezusi përqafon veprimin e vërtetë që na sjell ne shpëtimin.
Ku na nxjerr kjo? A na nxit të bëjmë veprime dhe kalkulime politike si Pilati, apo na nxit të bëjmë veprime ziliqare ashtu si kryepriftërinjtë, apo na nxit të kemi mentalitetin e turmës, të irrituar e gati për të vrarë?
Shpresoj të mos jetë kështu. Mos harro se arritjet e përkohshme të Pilatit, për të kënaqur turmën, në fund dështuan. Kësisoj, dëshira ziliqare e kryepriftërinjve për të mbrojtur statusin dhe pozitën e tyre fetare dështoi në fund.
Për më tepër, dëshira e turmës, për të realizuar çlirimin e vërtetë, duke derdhur gjak, dështoi në fund.
Pra le të dalim prej turmës, larg dëshirës ziliqare për të mbrojtur pozicionet e privilegjuara dhe status kuonë, duke i kthyer kurrizin Shpëtimtarit të kryqëzuar. Zotit tonë Jezus Krisht.
Dëshiroj ta përfundoj këtu programin tonë duke ju bërë këtë pyetje të thjeshtë: Ku qëndron ti në jetën tënde të përditshme, a je me kryepriftërinjtë, me Pilatin, me turmën apo me Jezusin? Më kupto drejt, nuk po të pyes nëse beson te Jezusi apo nëse je shpëtuar përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Nuk po të pyes thjesht për besimin. Po të pyes diçka që ka lidhje me jetën e përditshme. A e dorëzon para Zotit, Shpëtimtarit- frikën, ankthin, pasigurinë, dhe qëndrim “se mund t’ia dalësh vetë”?
Do të rrëfej diçka. Për mua është një luftë e vërtetë të qëndroj çdo ditë me Jezusin.
Po. Fjala luftë është çelësi i gjithçkaje. Unë mundohem përditë, të qëndroj në Jezusin dhe jo në forcën time, as në të vërtetën time. Po ti? Ku qëndron ti dhe me kë qëndron?
Mund të lutesh bashkë me mua që Zoti të jetë fuqia jote në ecjen e besimit:
Lutja.