Tekno-idhujtaria

Print

Titulli: Tekno-idhujtaria (pjesa 1)

Në vitin1898, Morgan Robertsoni shkroi një histori për një anije të madhe rreth 244 metra e gjatë, më e madhja që ishte ndërtuar deri atëherë. Katërmbëdhjetë vite më vonë, u ndërtua një anije e vërtetë diçka më shumë se 244 metra e gjatë. Anija e romanit kishte helikë të trefishtë; anija e vërtetë kishte po ashtu helikë të trefishtë. Anija në roman mund të arrinte shpejtësi deri në 25 nyje; po kështu edhe anija reale mund të arrinte deri në 25 nyje.

Anija në roman kishte kapacitet prej tre mijë personash; po kështu anija e vërtetë kishte vend për tre mijë persona. Anija në roman kishte varka shpëtimi vetëm për një pjesë të vogël të udhëtarëve, por askush nuk e vriste mendjen për këtë, sepse mendonin se ishte e pamundur që anija të përmbytej. Kjo gjë vlente edhe për anijen e vërtetë.

Anija në historinë e Robertsonit filloi lundrimin përgjatë Atlantikut me shumë pasagjerë pasanikë dhe të vetëkënaqur. Në një natë të ftohtë prilli, e goditi një ajsberg, dhe anija u fundos. Edhe anija e vërtetë e filloi udhëtimin nëpër Adriatik një natë të ftohtë prilli, në vitin 1912 dhe u fundos.

Anija e vërtetë u quajt Titanik. Anija imagjinare në romanin e Robertsonit, e shkruar katërmbëdhjetë vite më parë quhej Titan.

Pak e frikshme, apo jo? Duket sikur romani profetizoi se çfarë do të ndodhte në jetën reale. Por Morgan Robertsoni nuk pohoi se ishte profet, që ofronte profeci të pagabueshme dhe të frymëzuara nga Perëndia. Për më tepër ai nuk pati një vizion të drejtpërdrejtë, të ofruar nga Perëndia për ngjarjet e së ardhmes.

Romani i tij për anijen Titan kishte shumë ngjashmëri dhe ndryshime me Titanikun. Autori e njihte shumë mirë teknologjinë e ndërtimit të anijeve, i dinte se si do të ishin tendencat e ndërtimit në dy dekadat e ardhshme dhe e dinte mjaftueshëm rreth natyrës njerëzore për të kuptuar se çfarë mund të ndodhte në rast se njerëzit nuk do të ishin të përulur dhe të kujdesshëm, në rast se do t’i besonin teknologjisë më shumë se sa duhej, dhe me krenari do të pranonin se nuk mund të ndodhte asgjë e keqe. Ndoshta, në planin e Perëndisë, romani i Robertsonit për Titanin shërbeu si paralajmërim kundër krenarisë, por ky paralajmërim kaloi pa u vënë re disa vite më vonë kur Titaniku nuk kishte mjaftueshëm varka shpëtimi dhe dikush tha këtë marrëzi: “As Perëndia nuk do të ishte në gjendje të fundoste Titanikun”.

Tiro Titaniku

Romani i Morgan Robertsonit për një anije të fundosur, nuk ishte pjesë e profecisë së Biblës, por Bibla ka një profeci të rëndësishme për një anije, e cila do të kishte një fund të keq.

Në librin e Ezekielit Zoti u përball me qytet- shtetin e Tiros. Tiro ishte një qytet-port mesdhetar afro 160 kilometra në veriperëndim të Jeruzalemit. Kjo ishte një qendër për transport mallrash dhe tregti ndërkombëtare, me një flotë të shkëlqyer anijesh, por me shumë shpikje, e lukse nga më të ndryshmet. Banorët e Tiros ishin të arsimuar, shumë të zotët për biznes, të begatuar dhe krenarë. Qyteti i Tiros pati një ekonomi kaq të bekuar sa që njerëzit mendonin se do të ishin gjithmonë të pasur, dhe në një pozicion aq strategjik saqë Tiro nuk do të mund të pushtohej kurrë.

Por Perëndia ishte lodhur me Tiron. Tek Ezekieli kapitulli 27 Zoti e përshkruan Tiron si të ishte një anije. Ai thotë se është qytet i fortë, i shkëlqyer, i ndërtuar mirë, drejtuar prej specialistëve, i mbushur me lukse dhe lloj-lloj të mirash, por i destinuar të fundosej. Tiro ishte si Titaniku. Njerëzit mrekulloheshin me luksin dhe teknologjinë e tij dhe mendonin se nuk mund të fundosej. Por Perëndia i tha Tiros titanik:” Pasuritë e tua, mallrat e tua, prodhimet e tua, detarët e tu, pilotët e tu, ata që ndreqnin të çarat, trafikantët e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë te ti dhe gjithë ajo mori që është mes teje do të bien në zemër të deteve ditën e shkatërrimit tënd.” (Ezekieli 27:27)

Perëndia kishte një mesazh të veçantë për mbretin Tiro. Te Ezekieli 28 Perëndia i tha këtij drejtuesi arrogant:

” Bir njeriu, i thuaj princit të Tiros: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se zemra jote është ngritur dhe ke thënë: “Unë jam një perëndi… ndërsa je një njeri dhe jo një perëndi, ndonëse e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë.

Me diturinë tënde dhe zgjuarsinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua;

me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur.” (Ezekieli 28:2-5)

Me teknologjinë, tregtinë e transportimin e mallrave që kontrollonin interesin financiar në shumë vende, Tiro ngjante si një korporatë moderne, shumëkombëshe dhe shumë fitimprurëse.

Duhej një njeri i fortë që të drejtonte gjithë këto miliarda, duhej një njeri i talentuar si Perëndia, të paktën kështu mendoi mbreti Tiro. Sidoqoftë, Perëndisë nuk i bënte shumë përshtypje. Ndaj edhe Zoti i tha se do të shkatërrohej për arsye se mendonte që ishte i mençur sa Perëndia: ” Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë.” (Ezekieli 28:9-10)

A e shijoi Perëndia rrënimin e Tiros apo shkatërrimin e mbretit të tij të shkëlqyer? Aspak, Perëndia thotë te Ezekieli18:32 “Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes.” Fjalët e fundit të Perëndisë për Tiron dhe mbretin e tij i ngjajnë vajtimin. Tiro kishte shumë talent, profesionalizëm, bukuri dhe pasuri, kishte kaq shumë dhurata të mira prej Perëndisë, sa që shkatërrimi i Tiros ishte një tragjedi.

Rrënimi i një qytetërimi kaq të madh dhe të shkëlqyer ishte tragjik, por banorët duhet të gjykoheshin për krenarinë dhe ligësinë e tyre. (Ezekieli 28:11-19) Ashtu si një prej anijeve të tij të mëdha, edhe Tiro dhe teknologjia e tij do të rrënohej. Profecia u përmbush. Qyteti krenar dhe mbreti i tij u zhdukën.

Ashtu si Tiro, ne kemi civilizime që janë të mrekullueshme në shumë aspekte. Ne jetojmë në një kohë të historisë kur qytetërimi dhe teknologjia është më e përparuar. Ne kemi arritur gjëra të mëdha dhe kemi prodhuar mrekulli që brezat e kaluar as nuk i kanë imagjinuar. A nuk do të ishte turp që të shkatërronim gjithë këtë dhe të sillnim gjykimin e Perëndisë mbi vete, përmes krenarisë dhe mosbindjes sonë?! Do të ishte aq tragjike sa shkatërrimi i Tiros titanik.

Në fakt, do të ishte më tragjike, dhe gjykimi do të ishte akoma më i tmerrshëm, në dritën e fakteve se ne kemi më shumë akses në të vërtetat e Perëndisë se sa Tiro.

Tiro ekzistonte shumë shekuj para se të vinte Jezusi.  Asokohe kishte më pak zbulesa rreth Perëndisë. Ne nga ana tjetër, kemi mundësinë të mësojmë gjithçka për Jezusin: kemi mësimet e Tij, jetën e tij të përsosur, mrekullitë e mëdha, vdekjen e tij që pagoi për mëkatet tona, kemi ringjalljen dhe faktin që Ai është mbi gjithçka. Nëse e refuzojmë atë pavarësisht kësaj, çfarë ndodh?

“Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen me më shumë tolerancë se ju.” (Mateu 11:22)

Mesazhi i Biblës për gjykimin e Tiros nuk ishte vetëm për Tiron. Ky është një paralajmërim për të gjithë ne, veçanërisht për ne që jemi bekuar me njohuri, teknologji dhe pasuri.

Ky është një paralajmërim për të gjithë ata që e shpërfillin Perëndinë dhe tundohen ta venë njeriun në krye të gjithçkaje dhe si Zot të gjithçkaje.