Isaia 44:9 ” Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë…”
Idhujtaria na dëmton sepse na trullos. Isaia 44 përshkruan se si një metalpunues bën një idhull prej një materiali që e njeh mirë: prej metali. Ky idhull metali supozohet që do ta bëjë atë më të fortë, por mjeshtri inatoset, lodhet dhe meket gjatë procesit të punimit. Metalpunuesi mund të jetë i mençur kur bie fjala te aftësia teknike e përpunimit të metalit, por tregohet budalla në rast se e adhuron atë send. Më pas Isaia përshkruan një zdrukthëtar që ka të njëjtin problem. Aftësia e tij teknike është përpunimi i drurit dhe, jo i metalit, prandaj druri është idhulli që Ai adhuron. Ai pret një trung, gjysmën e djeg në zjarr, ndërsa gjysmën tjetër e adhuron. Çfarë marrëzie! ” Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë” pohon Isaia “ sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.” (44:18) Ata janë shumë të zënë me adhurimin e gjërave të kota që bëjnë prej metali apo druri, sa që bëhen edhe vetë të marrë.
Bibla e bën këtë të qartë edhe te psalmi 115. Psalmi fillon: “Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.” Psalmi 115 më pas bën kontrastin mes Perëndisë besnik dhe idhujve të bërë nga dora e njeriut.
Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.
Kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin, kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.
Pasi ka thënë këtë, psalmisti shton një tjetër pohim armiqësor: ” Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.” Me fjalë të tjera, ti je formuar prej asaj që adhuron; idhujt që t’i ndërton të japin formë ty. Nëse bën idhull disa objekte të pajeta, dhe të pavlera ti vetë bëhesh i pavlerë dhe i pajetë. Ti fundosesh në nivelin e idhullit tënd.
Si lidhet kjo me adhurimin e teknologjisë? Po kur ti i kthen shpinën Perëndisë së gjallë dhe personal, duke e bërë teknologjinë të vetmin realitet të lartë, burimin më të madh të së vërtetës, objektin e mahnitjes, dhe e vendos atje besimin për shpëtimin tënd, atëherë fillon t’i ngjash më shumë një sendi se sa një personi. Ti e zbraz universin jetës tënde dhe e shikon gjithçka si një makineri.
Në tekno-idhujtari gjithçka që studiojmë kthehet në makineri dhe në teknikë. Gjithcka që nuk mund të matet apo të përshkruhet me statistika, thjesht nuk ekziston. Ne marrim diçka komplekse dhe të mrekullueshme sikurse është mendja njerëzore, dhe i bashkëngjisim një numër duke e quajtur testi i inteligjencës. Nëse e bëjmë këtë njerëzit kthehen në një grupim që mund të përshkruhen me një numër.
Një aspekt shumë i veçantë i tekno-idhujtarisë është natyra ekonomike. Në tekno-idhujtari, flasim shumë për standardet e jetesës, ndonëse jetojmë pa ndonjë standard të caktuar. Ne ndonjëherë mendojmë se standardi i jetesës sonë është shumë më i lartë krahasuar me brezin e mëparshëm, madje kemi shifra që e vërtetojnë këtë. Por çfarë tregojnë realisht ato shifra?
A jemi ne më të mirë apo më të lumtur se sa ishin prindërit tanë? Është e vërtetë se meqenëse kemi furrat me mikrovalë dhe makina luksoze jemi më të lumtur? Por njëherazi kemi më shumë divorce, më shumë drogë dhe depresion. Ne nuk kemi fare marrëdhënie me fqinjët, dhe nuk shkojmë mirë as me familjen tonë, por sërish themi se kemi një standard të lartë jetese! Në rast se ti nuk e beson këtë, pyet ekonomistët, ata kanë shifra që e vërtetojnë këtë!
Ironia më e madhe e tekno-idhujtarisë është se sa më shumë i besojmë statistikave dhe teknologjisë, aq më shumë përkeqësohet situata jonë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë forma të kontrollit të lindjeve dhe aborteve, por sërish kemi më shumë fëmijë të lindur jashtë martese se më parë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë pajisje kaq të sofistikuara për policinë apo forcat ushtarake, megjithatë bota është bërë tepër e rrezikshme. Ne nuk kemi pasur asnjëherë kaq shumë programe edukative, megjithatë shkrimi e këndimi vazhdojnë të bien ndjeshëm.
Ne nuk kemi pasur asnjëherë kaq shumë “ekspertë” në psikologji dhe sociologji, megjithatë nuk kemi pasur asnjëherë kaq probleme sociale dhe psikologjike sa ka sot. Nuk kemi pasur asnjëherë kaq informacione dhe studime, megjithatë jemi shumë më tepër konfuzë për identitetin tonë dhe pse jemi gjallë. A është e mundur që po adhurojmë perënditë e gabuara? A është e mundur që po e kërkojmë shpëtimin në drejtimin e gabuar?
Sërish, mos më keqkuptoni. Nuk po them se teknologjia është diçka e keqe, apo se biologjia, sociologjia dhe psikologjia, apo gjithë “ologjitë” e tjera janë të këqija. Kur Bibla sulmon adhurimin e idhujve të bërë prej druri, argjendi apo ari, realisht nuk po sulmon drurin, argjendin apo arin, po kështu as mjeshtërinë e punimit të tyre. Kjo po sulmon idhujtarinë. Kësisoj, unë nuk po sulmoj praktikimin e shkencës as nuk po mohoj përfitimin prej shpikjeve të reja. Unë i admiroj shkencëtarët dhe shpikësit dhe e vlerësoj shumë teknologjinë. Por kur i hyjnizojmë këto gjëra, bekimet bëhen mallkime. Teknologjia dhe shkenca janë ndihmës shumë të mirë por edhe perëndi të tmerrshëm.
Nëse adhurojmë Perëndinë e jetës, dashurisë dhe drejtësisë, edhe ne bëhemi më të gjallë, më të dashur, më të drejtë, më besnikë. Në rast se e vendosim besimin në një proces mekanik apo në një këndvështrim mekanik, ne vetë kthehemi në makineri. Sikurse e thotë edhe psalmi115:8 ” Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.”
Kthehemi te Perëndia
Ne duhet të pendohemi për tekno- idhujtarinë tonë dhe të kthehemi te Perëndia i vërtetë që na krijoi. Çfarë përfshin kjo?
Së pari ne duhet të pranojmë se Zoti i plotfuqishëm është realiteti i vetëm themelor. Vetëm ai është i përjetshëm. Gjithçka tjetër bazohet në Të. Para se të krijohej universi, ekzistonte Perëndia, dhe pasi kjo botë të zhduket, ai do të vazhdojë të jetë Perëndia. Te Isaia 46 Zoti thotë: ” …sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua.” Kjo është arsyeja përse tregohemi kaq budallenj kur mundohemi ta reduktojmë dashurinë, besnikërinë dhe lirinë vetëm në kategorinë e gjërave mekanike apo materiale. Para se materia të ekzistonte, ishte dashuria, besnikëria dhe liria, sepse ishte Perëndia, Triniteti i shenjtë, Ati, Biri dhe Frymë e Shenjtë. Realiteti shpirtëror paraprin realitetin material, sepse Perëndia është frymë.
Së dyti, sapo dallojmë Perëndinë e gjallë si i vetmi realitet përfundimtar, duhet të pranojmë Fjalën e Perëndisë si e vetmi autoritet përfundimtar. Ishte Fjala e Perëndisë që e solli krijimin në ekzistencë.
Ishte Fjala e Perëndisë e shkruar në Bibël që solli të vërtetën hyjnore në një formë të kuptueshme.
Ishte fjala e Perëndisë e bërë mish në Jezus Krishtin që na zbuloi karakterin e Perëndisë dhe na shpëtoi. Studimet dhe eksperimentet mund të jenë ndihmuese dhe informuese në shumë raste, por themeli i jetës sonë, autoriteti ynë më i lartë, mund të jetë vetëm Fjala e Perëndisë.
Së treti, ne duhet të qëndrojmë të mahnitur para Perëndisë dhe të mrekullohemi prej madhështisë dhe misterit të Tij. Gjithçka që bëjmë me teknologjinë, çdo gjë që e masim dhe e eksplorojmë me teknikat tona, nuk mund të krahasohet me Perëndinë e pafund dhe të shkëlqyer që krijoi të gjitha gjërat dhe, na dha mendje për të studiuar atë që Ai ka bërë e që ta përdorim atë. Perëndia dhe jo teknologjia duhet të jetë objekti kryesor i mahnitjes sonë.
Së katërti, ne duhet t’i besojmë këtij Perëndie të madh dhe të lavdishëm, si i vetmi Perëndi që mund të na shpëtojë. Teknologjia, nuk mund bëjë asgjë për të ndryshuar problemet tona më të mëdha që janë mëkati dhe vdekja. Teknikat terapeutike, mund të na ndihmojnë të ndryshojmë disa sjellje, por kur bie fjala te mëkati nuk mund të na falë fajin as të largojë mëkatin që është në çdonjërën prej zemrave tona. Kjo nuk mund të restaurojë marrëdhëniet tona të thyera me njerëzit e tjerë dhe me siguri nuk ka për të shëruar marrëdhënien tonë me Perëndinë. Kur bie fjala te vdekja, teknologjia mjekësore mund të përballet me sëmundje të caktuara dhe të shtyjë vdekjen për një farë kohe, por kjo nuk mund të mposhtë përfundimisht vdekjen dhe as të na japë jetë të përjetshme. Mëkati dhe vdekja janë çështje shumë serioze që teknologjia nuk mund t’i zgjidhë. Vetëm Perëndia mund të merret me to. Jezusi u përball me mëkatin duke derdhur gjakun e tij nw kryq. Ai u përball me vdekjen përmes fuqisë jetëdhënëse të ringjalljes. Pra besoji Jezusit. Vetëm Ai mund të shpëtojë dhe të ndryshojë ty.
Kur ti adhuron idhuj të pajetë, ti bëhesh si ata, por kur adhuron Perëndinë e jetës, dashurisë, shenjtërisë, besnikërisë dhe së vërtetës që ka ardhur tek ne në Jezusin, bëhesh më shumë si Ai, ndërkohë që Fryma e Tij punon brenda teje. Ti zbulon identitetin tënd të lavdishëm si fëmijë i Perëndisë dhe i trajton të tjerët me dashurinë dhe respektin që i takon çdo njeriu që mbart imazhin e Perëndisë. Ti si fëmijë i Perëndisë mund të shijosh dhe ta studiosh krijimin si një dhuratë; ti mund të përdorësh teknologjinë për lavdinë e Zotit; ti mund të duash njerëzit për faktin se janë bërë sipas imazhit të tij; por ti nuk mund të adhurosh asnjë njeri. Adhurimin tënd ruaje për Perëndinë dhe vetëm për Perëndinë.
Ti i tregon vendin e vet teknologjisë, e po kështu u lë njerëzve vendin që u takon, vetëm kur i jep Perëndisë vendin e Tij që është: froni i jetës tënde.