Thirrja për të luftuar

Print

Titulli: Thirrja për të luftuar? (pjesa 1)

Jezus Krishti është një gjeneral, kisha e krishterë është një forcë luftarake, të krishterët janë ushtarë, dhe të jetuarit si i krishterë është një luftë. Thirrja për tu bërë i krishterë është një thirrje për të luftuar. Kjo është një thirrje për tu rekrutuar në forcat e përgjithshme të Jezusit. Kjo do thotë të luftosh armiqtë e Tij, të ndjekësh strategjinë dhe objektivat e Tij, të veshësh pajisjet e Tij mbrojtëse dhe të sulmosh me armët e Tij.

Armiku nuk është një komb as një ushtri; armiku është shumë herë më i ashpër. Lufta nuk është një konflikt mes kombeve; fuqitë e përfshira ja kalojnë çdo kombi njerëzor. Armët nuk janë pushkë, as thika apo bomba që vrasin njerëzit; armët e Zotit shpërthejnë bunkerët e ligësisë dhe shkatërrojnë demonët. Krishterimi është një luftë shpirtërore, me pasoja më të mëdha dhe më jetëgjata se çdo luftë fizike dhe politike.

Nëse mendon se Jezusi erdhi për të sjellë paqen në botë, për ta kthyer në një vend të qetë, miku im kam frikë se nuk është kështu. Jezusi thotë: “…nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.” (Mateu 10:34) Jezusi erdhi për të filluar një luftë, dhe ai tashmë e ka fituar betejën përfundimtare. Por lufta nuk ka mbaruar ende. Jezusi i fton njerëzit të bashkohen me forcat e tij dhe të marshojnë me Të, drejt fitores përfundimtare. Rezultati është i sigurt, por lufta ende vazhdon dhe, nuk mund të ketë paqe derisa çdo fortesë të bjerë dhe të mundet armiku i fundit. Vetëm kur lufta të ketë përfunduar do të shijojmë përfitimet e paqes dhe të lirisë. Deri atëherë ne do të jetojmë në një zonë lufte. Ne ose duhet të luftojmë për Jezusin, ose do të jemi kundër tij. Është e pamundur të qëndrosh në zonë neutrale.

Ndoshta këto fjalë ju duken tepër të rënda dhe sulmuese? Në një pikë të caktuar të historisë, janë zhvilluar luftëra fetare të përgjakshme, nën simbolin e kryqit. Po ashtu krime të tmerrshme janë kryer në emër të Jezusit. Por Jezusi nuk e ka fjalën për këtë lloj luftimi. S’ mund t’i ndryshosh zemrat me forcë. Kur Krishti na fton të luftojmë, Ai e ka fjalën për një tjetër lloj lufte.

Fokusi ynë kryesor do të jetë te beteja shpirtërore, por së pari, le të themi dy fjalë për qeverinë dhe si e përdor ajo forcën. Disa njerëz janë pacifistë. Ata kundërshtojnë përdorimin e luftës në përhapjen e fesë, e po ashtu çdo formë tjetër të dhunës qeveritare. Pacifistët besojnë se lufta është gjithmonë e gabuar, se policia e pajisur me armë është gjithmonë e gabuar, se dënimi me vdekje është i gabuar. Por në Bibël, Perëndia i jep qeverisë pushtetin e shpatës për të kundërshtuar kombet sulmuese, po ashtu për të ndëshkuar kriminelët. (Romakëve 13:4)

Po a nuk kundërshton kjo pohimin e Jezusit: ‘që ti kthejmë faqen tjetër atij që na godet në njërën faqe?’ (Mateu 5:39) Jo, Jezusi thotë se nuk duhet të kërkojmë hakmarrje personale kur dikush na lëndon. Më mirë të durosh një lëndim se sa të shkaktosh një tjetër. Ne nuk duhet të jemi vigjilues të dhunshëm. Por kjo nuk do të thotë se qeveria nuk duhet të përdorë forcën, apo që një i krishterë nuk duhet ta përdorë asnjëherë forcën, apo që ai s’mund të ushtrojë detyrën e tij si ushtar, polic apo drejtues shteti. Policia duhet të ushtrojë forcën për të kryer detyrën në disa raste, gjykatat ndonjëherë duhet të japin dënimin me vdekje, por vetëm për krime makabre dhe, kur faji është përtej çdo dyshimi. Po ashtu një komb duhet t’i kthehet luftës, vetëm kur nuk ka mbetur asnjë zgjidhje  tjetër.

Pa dyshim që ndonjëherë zënkat na duken zgjidhja më e shpejtë, jemi më të prirur ndaj dhunës, por ndonjëherë është mirë të luftosh. Në një botë ku ligësia është kudo, një polici pacifiste do të sillte veç nxitjen e kriminelëve për të bërë më shumë krime dhe për të vrarë qindra njerëz të pafajshëm. Ndonjëherë për lirinë dhe drejtësinë duhet luftuar.

Pra, nëse ndonjëherë duhen luftuar tiranët dhe kriminelët, do të jetë shumë herë më e nevojshme për të luftuar Satanin dhe demonët e tij. Nëse përhapja e lirisë politike është diçka e mirë, sa më e mirë do të jetë mbrojta e lirisë shpirtërore dhe përhapja e saj. Ne duhet të qëndrojmë dhe të luftojmë për Krishtin, e të mos jemi paqebërësit shpirtërorë.

Paqe në kohën tonë?

Paqebërësit shpirtërorë nuk kërkojnë konflikt, thonë se nuk është nevoja të luftojnë. Disa kisha janë të etura të shmangin çdo shenjë lufte. [Ata nuk këndojnë këngët, “Para ushtarë të Krishtit, marshoni si për luftë.” ose “Ngrihuni, ngrihuni për Jezusin si ushtarë të kryqit. ” apo himne të tjera për tu ndeshur me Satanin dhe mëkatin. Ata nuk predikojnë pasazhe biblike që përshkruajnë  Krishterimin me fjalë ushtarake. Pse jo? Pse të mos përmendim këtu edhe luftën shpirtërore? Disa drejtues kishe dhe ndjekësit e tyre nuk e shohin Satanin si një kërcënim; me shumë mundësi ata nuk besojnë se Satani dhe demonët janë realë. Ata mendojnë se natyra njerëzore është kryesisht e mirë; dhe nuk shohin nevojën për të luftuar mëkatin. Ata nuk e shohin fenë e rreme si një rrezik për shpirtrat, ata nuk janë të etur të drejtojnë jo të krishterët në një marrëdhënie me Jezusin dhe kundërshtojnë ungjillëzimin ngulmues. Paqebërësit shpirtërorë mendojnë se duhet thjesht ta duam veten, të jemi tolerant me të tjerët dhe gjithçka do të shkojë mirë.

Bibla po ashtu pohon: Unë duhet të luftoj kundër mëkateve të mia, dhe sulmeve të të ligut kundër meje dhe, duhet t’i bashkohem misionit të Jezusit për t’i sjellë lirinë e ungjillit të tjerëve, e për t’i fituar ata për Krishtin. Por ky lloj luftimi, kundër Satanit në jetët tona personale po ashtu edhe shpërndarjen e ungjillit tek të tjerët, nuk duhet  të përfshijë dhunën fizike. Bibla e lejon qeverinë që të përdorë forcën fizike dhe armët në disa situata, por dhuna nuk është thirrja e kishës. Kisha nuk duhet të mobilizojë njerëzit për konflikt politik dhe ushtarak, por për luftë shpirtërore. Kur Bibla e fton kishën dhe të krishterët që të luftojnë, ajo e ka fjalën për diçka krejt ndryshe, për të bërë një luftë ndryshe, dhe jo me armët fizike.

Bibla e ka fjalën për luftën që bëhet në mbretërinë e padukshme,atë shpirtëroren, ku luftohet kundër Satanit dhe fuqisë së mëkatit. Kjo nuk kërkon armë, tanke, apo avionë luftarakë, por kërkon guxim, vendosmëri dhe forcë.

Të ndjekësh Jezusin do të thotë shumë më tepër se sa të jesh një njeri i mirë dhe i butë. Bibla e quan Jezusin te Zbulesa si një luan. (Zbulesa 5:5), dhe Shkrimi thotë ” i drejti është i sigurt si një luan. ” (Fja 28:1) A e sheh Jezusin si një luan me gëzof apo si një kotele me gëzof? A dëshiron të jesh një kafshë shtëpiake që ha, pi dhe rri shtrirë? Apo dëshiron të jesh një luan në shërbim të luanit më të madh, Jezus Krishtit? Që të jetosh si një i krishterë i vërtetë, nuk mjafton që të jesh i butë dhe i sigurt. Ti duhet të jesh i guximshëm, i fortë, madje në disa raste dhe i egër (ndaj të keqes).

Meqë ra fjala, mungesa e këtij mentaliteti luftarak ndaj të keqes, mund të jetë një nga arsyet pse shumë kisha kanë pak burra. Në vend të thirrjes së Perëndisë për të qenë të fortë, disa kisha i ftojnë burrat që të jenë si “qullacë”. Autori Xhon Eldrixh (John Eldredge) thotë:

“Krishterimi, sikurse kemi parë në disa raste, i ka bërë gjëra të tmerrshme njeriut. Vallë kur gjithçka ka përfunduar, a mendojnë njerëzit në kishë se Perëndia i vendosi në këtë tokë për të qenë njerëz të mirë. Nëse përpiqen fort, mund të arrijnë disi që të bëhen njerëz të mirë. Ky është modeli që ne kemi për pjekurinë e krishterë: që të jemi vërtetë njerëz të mirë.”

Por a po kërkon Zoti disa njerëz të mirë, apo luftëtarë frymërorë që ta prezantojnë denjësisht atë? Më duket se koha mbaroi.