T’i mbijetosh përmbytjes

Print

Titulli: T’i mbijetosh përmbytjes (pjesa 1)

Te Zanafilla, kapitulli 7, Bibla thotë: “Në vitin e gjashtëqind të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën. Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net…”

Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë. Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave. Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan.

Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubit mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre.

Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit.

Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës.

Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë. Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë. (Zanafilla 7:11- 12; 7:17- 24)

Përmbytja botërore

Tani, ka nga ata që besojnë se përmbytja nuk ndodhi. Disa mendojnë se e gjithë historia e Noeut dhe ajo e përmbytjes është thjesht një gënjeshtër që dikush e ka parë në ëndërr. Të tjerët nuk do ta quanin atë gënjeshtër. Ata e vlerësojnë historinë e përmbytjes si një legjendë që u mëson shumë gjëra njerëzve, por realisht ata nuk mendojnë se ka ndodhur. Por përmbytja ishte e vërtetë. Bibla e pohon këtë, dhe Jezusi vetë e shpjegon qartë. Dhe nuk është mençuri të dyshosh Fjalën e Perëndisë në Bibël apo të mendosh se Jezusi e ka gabim. Përmbytja ishte reale, dhe Bibla e përshkruan atë shumë saktë.

Megjithatë ka nga ata njerëz që e vlerësojnë atë që thotë Bibla dhe besojnë se ka pasur një Noe të vërtetë dhe përmbytja ka mbuluar me të vërtetë tërë tokën.

Disa të tjerë e interpretojnë Zanafillën ndryshe, ata thonë se ujërat nuk mbuluan gjithë tokën, por vetëm një pjesë të tokës, vetëm atë pjesë që autori i Zanafillës njihte dhe kjo ishte zona e Lindjes së Afërme. Ata e pëlqejnë këtë interpretim sepse nuk e kuptojnë si toka mund të mbulohej prej ujërave. Ata mendonin se gjeologjia e tokës nuk mund të përballonte një përmbytje mbarëbotërore. Por sipas shkencës asgjë nuk mund të pengojë një përmbytje botërore dhe ka shumë gjëra në përshkrimet e Biblës që tregojnë se përmbytja ishte globale dhe jo thjesht lokale.

Zanafilla tregon se ujërat mbuluan gjithë tokën. Shkrimet thonë: ” Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan.” (7:19) Të gjithë njerëzit, zogjtë dhe kafshët u zhdukën, me përjashtim të atyre që ishin në arkë. Këto fjalë nga Bibla kanë shumë domethënie: një përmbytje mbuloi botën.

Nëse do ta mendonim përmbytjen në aspektin lokal, jo vetëm që do të zbehim domethënien e fjalëve të Zanafillës por kjo do të ngrinte shumë probleme e nuk do t’i jepte  aspak zgjidhje çështjes.

Nëse përmbytja do të mbulonte vetëm një zonë lokale, pse do t’i hynte mundimit Noeu për të ndërtuar një arkë? Pse të mos udhëtonte në një vend tjetër ku nuk do të kishte përmbytje? Pse duhet të harxhonte disa dekada për të ndërtuar një arkë, kur ai shumë mirë mund të kishte shpëtuar duke u zhvendosur diku tjetër?

Nëse përmbytja nuk do të mbulonte gjithë tokën, pse do ta urdhëronte Perëndia Noeun të fuste në arkë një çift nga çdo kafshë dhe shpend të tokës? Shumë lloje kafshësh jetojnë në zonë të ndryshme, kështu që edhe sikur të ngordhnin kafshët e kësaj zone të përmbytur, do të mbeteshin gjithmonë kafshët e mbijetuara në një zone tjetër. Po kështu është e vështirë të shpjegosh se përse zogjtë duhet të ishin në arkë nëse përmbytja nuk do të ishte mbarëbotërore. Zogjtë mund të fluturonin në një zonë tjetër dhe t’i shpëtonin përmbytjes.

Zanafilla thotë: “Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.” (7:24)

Janë pesë muaj nën ujë! Si do të mund të mbulonte malet për pesë muaj kjo përmbytje, pa prekur zonat e tjera? Uji përhapet kudo. Nuk ka mundësi që në një zonë uji të ngrihet në një lartësi shumë të madhe dhe të mos ndikojë zonat fqinje. Një dallgë e rrëmbyeshme apo një lumë i fryrë mund të shkaktojë një përmbytje lokale që zgjat pak kohë dhe shkakton shumë dëme. Por përmbytja e Zanafillës mbuloi malet për pesë muaj dhe zonave që ishin mbuluar me ujë iu deshën pothuajse një vit që të thaheshin. Asnjë përmbytje lokale nuk mund ta bënte këtë.

Një tjetër problem i këndvështrimit të përmbytjes lokale është se i zhvesh nga kuptimi premtimet e Perëndisë. “Unë e caktoj besëlidhjen time me ju: asnjë lloj mishi nuk do të shfaroset më nga ujërat e përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën”.” (9:11) Tani, nëse përmbytja e Zanafillës do të ishte lokale, premtimet e Perëndisë nuk kanë asnjë kuptim. Ka pasur shumë përmbytje lokale me humbje të mëdha në jetë njerëzish, pasi Perëndia bëri atë premtim. Por në rast se përmbytja e Zanafillës do të ishte me të vërtetë mbarë botërore, atëherë Perëndia e ka mbajtur me të vërtetë premtimin e tij. Nuk ka pasur kurrë më një përmbytje të atyre përmasave qysh prej kohës së Noeut.

Jezusi dhe apostujt e Dhjatës së Re konfirmojnë se përmbytja ishte mbarëbotërore. Jezusi e krahason përmbytjen me gjykimin që Perëndia do t’i bëjë botës në ardhjen e Tij të dytë, duke nënkuptuar se qëllimi i përmbytjes ishte po aq global sa edhe gjykimi përfundimtar. Jezusi thotë: “deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë”. (Mateu 24:39) Kjo duket universale. Apostulli Pjetër jehon fjalët e Jezusit duke thënë: “Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në ekzistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit, për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi”. (2 Pjetri 3:5-6) Sipas Jezusit dhe Pjetrit, gjykimi i ardhshëm do të shtrihet kudo ,ashtu siç u shtri kudo përmbytja në kohën e Noeut.

Ujë, kudo ujë

Është e vështirë të mohojmë atë që Bibla mëson për përmbytjen botërore, por disa njerëz e vënë në dyshim këtë duke u bazuar te të dhënat shkencore. Për shembull, si mund të ketë pasur mjaftueshëm ujë mbi tokë për të mbuluar malin Everest, mbi 8700 metra mbi nivelin e detit? Po mirë atëherë, pse janë gjetur fosile të krijesave detare në lartësitë e malit Everest?

Nëse këto fosile nuk kanë ardhur  prej përmbytjes së kohës së Noeut, atëherë i bie që mali ka qenë i mbuluar prej ujit në një pikë të historisë. Ne nuk duhet të pretendojmë se mali Everest ka qenë gjithmonë kaq i lartë sa është sot.

Malet dhe lëndinat mund të kenë ndryshuar shumë pas përmbytjes. Sot ka mjaftueshëm ujë në tokë, sa të mbulojë gjithë planetin me ujë deri në dymijë e shtatëqind metra, po të mos ishin malet, kodrat dhe përrenjtë të mos derdheshin në oqean.

Duket sikur çdo vend në këtë tokë, ka qenë nën ujë, në këtë përmbytje apo në një tjetër. Kudo nëpër botë shkencëtarët kanë zbuluar fosile të miliarda krijesave të ngordhura nën ujë. Disa të krishterë besojnë se shumë prej këtyre fosileve ishin depozituar gjatë përmbytjes apo gjatë një moti të keq, gjatë viteve pas përmbytjes. Sidoqoftë, shumë shkencëtarë, ia atribuojnë këto fosile jo vetëm përmbytjes së madhe botërore por edhe ngjarjeve të ndryshme përgjatë historisë së tokës.

Mund të jetë interesante të eksplorosh nëse ka prova dhe shpjegime shkencore të mjaftueshme për përmbytjen. Por besueshmëria e Biblës nuk varet tek aftësia jonë për të gjetur prova dhe shpjegime. Fjalët që thotë Perëndia janë gjithmonë më të besueshme se sa ato që thotë njeriu dhe kur bie fjala për përmbytjen, ka shumë gjëra që ne nuk i dimë.

Tiparet fizike të tokës mund të kenë qenë shumë ndryshe në kohën e përmbytjes, nga ç’janë tani. Uji mund të ketë ardhur shumë ndryshe nga si e mendojmë ne. Mbetjet e planetëve dhe të kafshëve mund të jenë depozituar në mënyra që nuk mund të parashikohen as të imagjinohen në termat e procesit të tanishëm.

Fundja fare, përmbytja nuk ishte thjesht një proces natyror, por një gjykim i mbinatyror. Ne nuk e dimë ekzakt se ku përdori Perëndia ligjet normale të natyrës dhe ku përdori fuqinë e Tij mrekullibërëse që e kapërcen çdo shpjegim natyror.

Bibla thotë:” Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.” (Zanafilla 7:11) Interpretuesi i shkëlqyer i Biblës, Xhon Kalvini, dha shpjegimin se Perëndia hoqi ligjet e krijuara që zakonisht e mbajnë ujin brenda kufijve të caktuara. Ujërat e oqeaneve të mëdhenj, lumenjve, liqeneve, burimeve nëntokësore “nuk rrodhën sipas drejtimit të tyre të zakonshëm”, thotë Kalvin, “Po kështu as shiu nuk pikoi prej qiellit”.

Uji filloi të buronte nga poshtë dhe të derdhej nga lart. Në fillim të krijimit Perëndia ndau tokën prej ujërave, por me përmbytjen Ai e theu këtë ndarje, në mënyrë që uji të mbyste tokën dhe çdo gjë të gjallë.

Ne nuk duhet të mohojmë përshkrimet e Biblës për përmbytjen e botës, bazuar në idetë aktuale për ujin dhe ligjet e natyrës, por as nuk duhet të jemi tepër të etur të “provojmë” përmbytjen në termat e gjeologjisë apo zbulimeve të fosileve. Është e mundur që të mbështetësh historinë e përmbytjes në termat e ligjeve natyrore dhe provave shkencore dhe, disa studiues të krishterë, veçanërisht shkencëtarët e krijimit, punojnë shumë për këtë. Kjo është diçka shumë e mirë, por realiteti i përmbytjes nuk mbështetet në aftësinë tonë për t’i shpjeguar gjërat nga ana shkencore.

Ligjet e natyrës nuk mund ta kufizojnë Perëndinë; ai i kontrollon ato ligje dhe mund të ndryshojë çdonjërin nëse dëshiron. Kur Perëndia shpëtoi Izraelin prej Egjiptit, ai kaloi mes përmes Detit të Kuq, në tokë të thatë, duke bërë që uji të ngrihej si dy mure të lartë në të dyja e anët, e duke bërë një shteg ku ata mund të kalonin pa problem në mes të detit. Kur Jezusi ishte në tokë, Ai eci mbi ujëra dhe qetësoi stuhitë e rrëmbyeshme, thjesht me një fjalë. Ne nuk mund ta shpjegojmë se si uji u ngrit lart si mur, apo se si Jezusi mundi të ecte mbi ujëra e të bënte që edhe ato t’i bindeshin zërit të Tij.

Por është e qartë se Zoti mund të bëjë atë që dëshiron. Ai mund ta bëjë ujin të dalë prej kufijve të tij të zakonshëm që ka caktuar. Mjafton që Zoti të japë një urdhër dhe uji bën atë që i thotë Ai.

Në kohën e Noeut, Perëndia urdhëroi ujërat të përmbytnin gjithë tokën dhe uji e bëri. Të gjitha përpjekjet tona për të shpjeguar se çfarë procesi mund të ketë përdorur, nuk do të ndryshojnë faktin bazë të përmbytjes së botës. Kjo ishte fatkeqësia më e madhe natyrore dhe erdhi si një gjykim i Perëndisë kundër ligësisë së njerëzimit dhe prishjes së tokës.