Tre rregulla të arta

Print

Titulli: Tre rregulla të arta (pjesa 1)

Fillojmë pa humbur kohë. Motoja “çfarë do të bënte Jezusi?” WWJD është shfaqur shumë në vitet e fundit. WWJD duket si adresë telefoni i një stacioni radiofonik, por njerëzit me byzylykë që shënojnë WWJD apo me bluza që kanë këtë shënim nuk promovojnë një stacion radiofonik. Për shumë njerëz kjo është një moto, diçka për t’i kujtuar vetes në çdo situatë: “çfarë do të bënte Jezusi?”

Kjo moto mund të jetë shumë ndihmuese. Nëse kjo moto të bën që mos ta harrosh Zotin dhe të kujton që t’i ngjash më tepër Krishtit atëherë është diçka e mirë.

Por kjo logo ka kufijtë e vet. Unë nuk dua të shkurajoj ata që e kanë të lehtë të pyesin: “çfarë do të bënte Jezusi?” Por duhet të kemi kujdes nga kurthet e mundshme.

Një kurth është se kjo logo mund të bëjë para, pra të sjellë përfitime. Ky është një rregull i artë, por kur  tregtarët e përdorin për të bërë para, kjo mund të humbasë kuptimin. Fillimisht pyetja: “çfarë do të bënte Jezusi?” ishte tema e një libri shumë të shitur të një epoke më të hershme, me titullin: “Në hapat e tij” nga Çarls Sheldon (Charles Sheldon). Në këtë histori, njerëzit e qytetit transformohen në mënyrë të mrekullueshme kur vendosin t’i bëjnë vetes pyetjen: “çfarë do të bënte Jezusi?” para se të bëjnë diçka. Tani i gjithë libri është reduktuar në sloganin: “çfarë do të bënte Jezusi?” Slogani është reduktuar në katër shkronja.

Dabëllvë, dabëllvë, Jë Dë (WWJD). Dhe këto shkronja janë kthyer në një produkt mode që gjeneron të ardhura në besimin e krishterë.

Në shumë aspekte, ky proces karakterizon tendencat në marketingun e Krishterë. Dëshira për një studim të thellë Bible dhe reflektim të kujdesshëm, pakësohet, ndërsa dëshira për letërsinë artistike religjioze rritet.

Të tjerë nuk e marrin mundimin të lexojnë letërsinë fetare, ata nuk duan të lexojnë fare. Ata preferojnë sloganet dhe reklamat e mureve. Ka të tjerë që  preferojnë gjëra të vogla si: vathë apo byzylykë.

Në shumë librari të krishtera, më shumë para shpenzohen në gjëra artistike, se sa në ato jo artistike dhe më shumë shpenzohet në kaseta video, bluza, bizhuteri, filxhanë kafeje dhe produkte te tjera se sa në libra.

Unë nuk po them se letërsia artistike është e keqe, po kështu as sloganet apo bizhuteritë nuk janë domosdo të këqija. Por kur këto gjëra, zëvendësojnë leximin dhe studimin e kujdesshëm të së vërtetës së Perëndisë, Biblës. Diçka nuk shkon si duhet kur, “libraritë” e krishtera bëjnë më shumë për të shitur xhingla se sa të nxisin të menduarin përmes librave.

Diçka nuk shkon si duhet kur njerëzit varin një kryq në qafë për bukuri, por nuk duan të studiojnë të vërtetat e Biblës sikurse është pajtimi i njerëzve me Perëndinë, zëvendësimi apo shfajësimi, të cilat shprehin kuptimin e vërtetë dhe rëndësinë e kryqit. Po kështu diçka nuk shkon si duhet kur njerëzit vendosin një byzylyk me logo të Jezusit (WWJD) dhe pyesin “Çfarë do të bënte Jezusi”, por nuk studiojnë me vëmendje atë që Jezusi tha dhe bëri në Bibël. Në këto raste, ai send i çmuar mbetet veç një send, asgjë më tepër.

Por nuk janë të gjithë njerëzit kaq sipërfaqësorë apo të cekët. Unë njoh disa të krishterë të mrekullueshëm që i studiojnë Shkrimet me pasion dhe kanë shumë njohuri për Perëndinë, të cilët e kanë shumë praktike të përdorin një moto të shkurtër apo diçka të veçantë që t’i mbajë ata të fokusuar te synimi i tyre. Ata mund të venë një kryq në qafë, por jo për të zëvendësuar studimin e kujdesshëm të Biblës, por që t’i kujtojë Shpëtimtarin dhe rëndësinë e Tij për ta. Ata mund të vendosin një byzylyk me logon çfarë do të bënte Jezusi ( WWJD) jo për të zëvendësuar njohurinë e tyre Biblike, por si një kujtesë se duhet të hedhin në praktikë atë që Jezusi mëson në Bibël. Për ta një logo e tillë mund të jetë shumë ndihmuese.

Megjithatë, edhe sikur të mos jesh i cekët apo që nuk e vret shumë mendjen, edhe sikur logoja çfarë do të bënte Jezusi të jetë më shumë se një artikull marketingu për ty, duhet të jesh në dijeni të një kufiri tjetër. Në disa situata mund të jetë e lehtë të thuash me vete. “Bëj atë që do të bënte Jezusi”, por në raste të tjera kjo nuk të ndihmon aspak.

Çfarë do të bënte Jezusi në një funeral? Ai do të hapte arkivolin dhe do të kthente sërish në jetë të vdekurin. Çfarë do të bënte Jezusi për turmat e uritura? Ai do të merrte hua drekën e një djali të vogël dhe do të ushqente pesë mijë njerëz me të. Po me Satanin çfarë do të bënte Jezusi? Pas qëndrimit dyzetë ditësh në shkretëtirë pa ushqim, Ai do të merrej me Satanin menjëherë dhe do të mposhtte tundimet më të mëdha të Satanit.

Ti edhe unë nuk do të ngremë të vdekurit, nuk do të ushqejmë mijëra njerëz me një copë bukë e tre peshq, nuk do të mposhtim princin e errësirës me anë të pushtetit dhe pastërtisë sonë, ashtu siç bëri Jezusi. Në shumë raste, ne nuk jemi në gjendje të bëjmë atë që bëri Jezusi dhe as nuk duhet të përpiqemi.

Në raste të tjera, ne duhet të bëjmë gjëra që Jezusit nuk do t’i duhej t’i bënte. Ja një pyetje pa vend: Çfarë do të bënte Jezusi nëse do të mëkatonte? Pse e pavend? Sepse Jezusi nuk mëkatoi kurrë. Por ti edhe unë mëkatojmë shpesh; nuk i bindemi Perëndisë dhe u bëjmë keq njerëzve të tjerë. Ne shpesh kemi nevojë të pendohemi dhe të kërkojmë ndjesë, të kërkojmë falje, por Jezusi nuk pati asnjëherë nevojë të thoshte se i vinte keq, sepse ai nuk bëri asnjëherë diçka të gabuar.

Pra ndonjëherë nuk na ndihmon shumë pyetja: ” Çfarë do të bënte Jezusi?” Sepse ti nuk je Jezusi. Jezusi bëri gjëra që ti nuk mund t’i bësh (ringjallja e të vdekurve). Po kështu ti duhet të bësh gjëra që Jezusit nuk iu desh t’i bënte asnjëherë (si për shembull, kërkimi i faljes) etj.

Megjithatë ka raste kur mund të na ndihmojë shumë pyetja: ” Çfarë do të bënte Jezusi?”. Veçanërisht kur bërja e diçkaje të drejtë apo të duhur mund të jetë e kushtueshme apo e dhimbshme. Bibla thotë:” Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij”.(1 Pjetri 2:21) Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ekzistojnë mes nesh dhe Jezusit, ka plot baza biblike për të ndjekur shembullin e shenjtërisë dhe përulësisë së Jezusit, duke kërkuar që të bëjmë atë që është e drejtë në vend që thjesht të bëjmë diçka që është e lehtë. Prandaj unë i nxis të gjithë njerëzit që janë fans të motos “Çfarë do të bënte Jezusi”, të jetojnë sipas motos, kudo që u jepet mundësia.

Në të njëjtën kohë, unë dëshiroj të të ofroj tre moto të tjera që kanë baza më të forta në Fjalën e Perëndisë, tre rregulla të arta, që janë shumë më të çmuara se motoja “çfarë do të bënte Jezusi”.

  1. Bëju të tjerëve çfarë do të doje të të bënin ty

Ky pohim i Jezusit te Luka 6:35 zakonisht quhet rregulli i artë, prandaj po e filloj me të parin në tre rregullat e arta. Disa njerëz mund të synojnë që të bëjnë atë që bëri Jezusi, por rregulli i artë që Jezusi jep nuk duket kaq i fryrë apo shpirtëror. Ti nuk ke pse ta vesh veten në vend të Jezusit; thjesht mendoje veten në vendin e të tjerëve dhe bëju atyre atë që do të doje të të bënin ty.

Nëse je një burrë që qëndron ulur me telekomandë para televizorit, ndërkohë që gruaja jote rraskapitet që të pastrojë enët e të përgatisë fëmijët për të fjetur, vëru në vendin e saj. Çfarë do të doje të bëje në fund të një dite të lodhshme nëse do të ishe një grua e mbingarkuar me punë? A nuk do të doje pak ndihmë? Atëherë çohu, fike televizorin dhe ndihmoje gruan!

Nëse po mundohesh t’i shesësh diçka një personi tjetër, vëre veten në vendin e tij. A do të doje të të shisnin diçka, pa të thënë se ka një problem? A do të doje të të shtynin të bëje diçka që nuk është nevoja ta bësh, diçka që nuk mund ta përballosh pa hyrë në borxhe më të mëdha? Jo. Ti do të doje të dije të vërtetën dhe, nuk do të doje që të hyje në telashe financiare. Nëse do të doje të trajtoheshe kështu, atëherë trajtoi në të njëjtën mënyrë klientët e tu.

Trajtoji të tjerët ashtu siç dëshiron të trajtohesh prej tyre. Ky rregull i artë është shembulli themelor i gjithë urdhërimeve të Perëndisë, për tu marrë me njerëzit e tjerë.

Këtu po e mbyllim programin tonë edhe për sot. Do të vazhdojmë herën e ardhshme me rregullin e dytë të artë: Bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty.