Tre rregulla të arta

Print

Titulli: Tre rregulla të arta (pjesa 2)

Trajtoji të tjerët ashtu siç dëshiron të trajtohesh prej tyre. Ky rregull i artë është shembulli themelor i gjithë urdhërimeve të Perëndisë, për tu marrë me njerëzit e tjerë.

“Sepse urdhërimet: `Mos shkel kurorë, mos vra, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rreme, mos lakmo’ dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: `Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’.” (Romakëve 13:9) Urdhërimet e Perëndisë nuk janë thjesht urdhra që duhen ndjekur në mënyrë mekanike. Ato janë mënyra për t’i dashur të tjerët ashtu siç e do veten, mënyra për tu bërë të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty.

Ti nuk do të doje të të vrisnin, apo jo? Atëherë mos vrit.

Ti nuk do të doje të të plaçkitnin apo të të vidhnin, apo jo? Atëherë mos vidh.

Ti nuk do të doje që bashkëshorti të të tradhtonte apo të shkonte me një tjetër, do doje? Atëherë mos tradhto.

Ti nuk do të doje të të gënjenin apo të të merrnin nëpër gojë. Atëherë mos bëj dëshmi të rreme.

Ti nuk do të doje që njerëzit të të rrethonin si grabitqarë, duke dashur të marrin atë që është e jotja, apo do doje? Atëherë mos lakmo tjetrin.

” Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.” (Mateu 7:12)

Një ekspert në ligjet fetare erdhi një here te Jezusi. Ai e dinte se thelbi i ligjit të Perëndisë është “të duash Perëndinë më shumë se gjithçka, e ta duash të afërmin tënd porsi vetvetja”. Por ai nuk ishte i sigurt se kush ishte i afërmi tij. Pyetja e tij tregon mungesë dashurie. Nëse i do të tjerët si veten, nuk e vret shumë mendjen janë apo nuk janë të afërmit e tu. Përkundrazi, bëhesh një i afërm i mirë për ta. Sillesh me ta si do të doje të silleshin me ty, po të ishe në vendin e tyre.

Jezusi e bëri të qartë këtë pikë duke i treguar ekspertëve fetarë historinë e një njeriu që u grabit, u rrah, dhe u la si i vdekur. I pari ishte një drejtues fetar, më pas kaloi një tjetër, e pa djaloshin shtrirë përtokë, por bëri sikur nuk e pa dhe shpejtoi hapin që të kalonte në anën tjetër. Më pas u shfaq një samaritan, ia mjekoi plagët, e çoi në një han dhe pagoi faturën e qëndrimit derisa burri të shërohej. A nuk do të doje të silleshin me ty kështu, nëse do të ishe keq, dhe i grabitur? Atëherë sillu dhe ti kështu me njerëzit e tjerë në nevojë, që has rrugës.

Bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty. Rregulli i artë është i thjeshtë; nuk duhet një studiues për ta kuptuar atë. Rregulli i artë është shumë i qartë, nuk vihet në diskutim. Duhet ta pranosh në ndërgjegje. Nuk bën dot ndryshe. Kështu duhet të sillesh me të tjerët nëse do që edhe ata të sillen mirë me ty. Rregulli i artë është një udhërrëfyes i mrekullueshëm për sjelljen njerëzore. Nëse çdo njeri në botë i do të tjerët siç do veten, nëse e vëmë veten në vendin e tyre dhe u bëjmë atë që do të donim të na bënin ne, atëherë nuk do të kishte grindje, as divorc, as mizori, as hile në marrëveshje biznesi, as luftë, veç mirëkuptim dhe dashuri.

Ka vetëm një problem. Nuk ka rëndësi se sa i thjeshtë apo i drejtë është Rregulli i artë, nuk ka rëndësi se sa shumë e admirojmë dhe e lavdërojmë atë, ne nuk jetojmë sipas tij! Ne jemi egoistë. Ne dëshirojmë që njerëzit të na kuptojnë, por nuk mundohemi t’i kuptojmë. Për veten tonë e dimë se si duam të na trajtojnë, por të tjerët ama nuk i trajtojmë ashtu.

Nëse do të kishim vetëm këtë rregulli të artë, do të ndiheshim fajtorë, të acaruar dhe të dënuar. Sepse ndonëse ky rregull na tregon se si duhet të sillemi ndaj të tjerëve, nuk na çliron prej egoizmit, as nuk na jep fuqi për të dashur të tjerët dhe të sillemi me ta siç do të donim të silleshin me ne. Rregulli i Artë tregon kuptimin thelbësor të ligjit të Perëndisë, por ky nuk na aftëson të jetojmë sipas ligjit të Perëndisë. Pra le të konsiderojmë rregullin e dytë të artë.

  1. Bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty

Para se të fillosh t’i shpëtosh egoizmit dhe tu bësh të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty, së pari duhet të dish çfarë ka bërë Jezusi dhe të kënaqesh me Të. Para se të fillosh t’i duash të tjerët, duhet ta përjetosh njëherë vetë dashurinë e Perëndisë dhe ta duash Zotin me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde, me gjithë forcën tënde.

Fundja fare, sipas Jezusit, urdhërimi për të dashur të tjerët si veten është urdhërimi i dytë më i madh; por i pari fare është të duash Perëndinë. Dhe ti nuk mund ta duash Perëndinë derisa të shijosh mirësinë e tij në Jezusin dhe të pranosh me besim gjithçka që ka bërë Krishti.

Ne nuk mund ta krijojmë dashurinë në veten tonë; ne vetëm mund të duam si rezultat i dashurisë së një Tjetri. Perëndia është dashuri; nuk jam unë. Dashuria buron prej Perëndisë, asgjë nuk e shtyn atë, përveç faktit se Perëndia është dashuri. Por unë nuk jam Perëndi dhe dashuria buron pafundësisht nga qenia ime nëse nuk shtyhet nga dikush tjetër. Dashuria mund të rrjedhë nga unë, vetëm nëse dashuria e Perëndisë rrjedh në mua, në Krishtin dhe më pas te të tjerët. Sikurse e thotë edhe Bibla: ” Ne e duam atë, sepse Ai na deshi i pari.” (1 Gjoni 4:19)

Dhe kështu rregulli i dytë i artë është: “Bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty”. Kjo tregon shumë më tepër se sa thjesht modelin si duhet t’i trajtojmë të tjerët; po kështu na tregon se nga buron fuqia për ta bërë këtë. Fuqia vjen nga vetë dashuria e Perëndisë në Krishtin, zbuluar në një mënyrë sjelljeje të ëmbël, të hirshme, që Jezusi vetë shfaqi këtu në tokë dhe, e treguar më së miri në gatishmërinë e tij për të vdekur, që njerëzit mëkatarë të kenë mundësinë e një jete të re. Kur Fryma e Shenjtë të bind ty për dashurinë e Krishtit të mbush me gëzim, mirënjohje për të. Fryma të shtyn ta duash Perëndinë e t’i duash të tjerët sikurse Krishti të ka dashur ty.

T’i ngjash Jezusit mund të kthehet në një barrë nëse mundohesh të bësh atë që Jezusi do të bënte, pa pranuar më parë atë që Ai tashmë ka bërë për ty, nëse e merr Jezusin si shembull para se t’i besosh Atij si Shpëtimtarit dhe Zotit tënd.

Por sapo beson në Krishtin, si personi që përmbushi Ligjin e Perëndisë për ty, me anë të bindjes së përkryer dhe vdekjes sakrifikuese, ti mund të pranosh dashurinë e Tij dhe jetën e përjetshme si një dhuratë, pa u ndjerë sikur e ke merituar atë dhe pa qenë plotësisht i mposhtur prej faktit se nuk je në nivelin e përsosmërisë së Krishtit.

Më pas kur kapesh në fuqinë marramendëse të dashurisë së Perëndisë në Krishtin, ajo fuqi bëhet gjithmonë e më shumë dominuese në sjelljen tënde. Po kështu modeli i mirësisë së Jezusit në ty shkëlqen akoma më shumë dhe bëhet akoma më tërheqës teksa sillesh kështu me të tjerët: “Bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty.” Bibla e përdor këtë parim në shumë mënyra.

Kemi parë deri tani dy parime:

  1. Bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty.
  2. Bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty.

Herën e ardhshme do të shohim parimin e tretë

  1. Bëju të tjerëve atë që do t’i bëje Jezusit.