Duaj si Krishti. ” Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e Tij për shlyerjen e mëkateve tona.
Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.” (1 Gjoni 4:10-11) Perëndia na fton që të kemi të njëjtën dashuri si Krishti, në çdo marrëdhënie tonën, veçanërisht në martesë. Shkrimet thonë: ” Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të.” (Efesianëve 5:25) Një rregull i mrekullueshëm për martesën! Bëj gjithçka mundesh për të gëzuar, inkurajuar dhe ndihmuar gruan edhe sikur të të duhet të heqësh dorë nga disa prej dëshirave të tua. Duaje gruan me aq pasion e sakrificë sa Krishti të deshi ty.
Një tjetër mënyrë për të bërë atë që Krishti ka bërë me ty, është të japësh ashtu siç Krishti të ka dhënë ty.
Bibla thotë: “Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i Cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së Tij.” (2 Kor. 8:9) Duke qene se Jezusi ka dhënë kaq bujarisht për ne, duhet të japim bujarisht nga pasuria jonë ndaj njerëzve në nevojë, deri në pikën e sakrificës.”Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?” (1 Gjoni 3:16-17)]
Mëso të tjerët ashtu siç të mësoi Krishti ty.
Apostulli Pal, dikur shkroi: “Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve”. (1 Kor. 15:3) Me fjalë të tjera, ai udhëzoi ashtu si Krishti e kishte mësuar atë. Nëse ke mësuar të vërtetën e Perëndisë në Shkrime dhe rrugën e Shpëtimit me anë të besimit në Krishtin, mos lejo të vërtetën të mbytet, të humbasë apo të shtrembërohet. Dhe mos e mbaj të vërtetën për vete. Krishti vetë mësoi këtë të vërtetë; shumë njerëz kanë vuajtur dhe kanë vdekur për ta ruajtur këtë të vërtetë, që t’ia përçojnë fëmijëve, fqinjëve, e ta përhapin atë në shumë kombe. Kështu që kur e merr dhe e beson këtë të vërtetë nga Krishti, ruaje atë, mbaje të pastër dhe tregojua të tjerëve. Mëso të tjerët ashtu siç të mësoi Krishti ty.
Ja dhe diçka tjetër që mund tu bësh të tjerëve ashtu si bëri Jezusi me ty: “Fal ashtu si Zoti të fali ty”. (Kolosianëve 3:13) A mbështetesh te Jezusi që të marrësh falje? A beson se Ai nuk do t’i përdorë kundër teje mëkatet e tua? Atëherë fali ata që të kanë bërë keq. Mos i përdor ato mëkate kundër tyre. Ndoshta ata nuk e meritojnë të falen, po ti a meriton të falesh? Jezusi na fal edhe atëherë kur nuk e meritojmë. Bëj ashtu si Jezusi ka bërë për ty. Fal edhe njerëzit që nuk e meritojnë faljen.
Rregulli i dytë i artë është: bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty. Mirësia e Krishtit na jep fuqi për të qenë të mirë me të tjerët. Ajo që Jezusi ka bërë është burimi dhe motivimi i çdo sjelljeje që është me të vërtetë e krishterë. Dhe motivimi bëhet akoma më i fuqishëm kur shqyrtojmë rregullin tonë të tretë të artë.
3.Bëju të tjerëve atë që do t’i bëje Jezusit.
Trego të njëjtën mirësi ndaj çdo njeriu që takon, sikur po ia tregon dashurinë vetë Jezusit. Hebrenjëve 13:2 thotë se duhet të tregohemi mikpritës ndaj njerëzve të panjohur: ” Sepse disa duke praktikuar mikpritjen, pa ditur pritën engjëj!”. A nuk do të trembeshe po të zbuloje se duke keqtrajtuar një njeri të panjohur, ke keqtrajtuar një engjëll? A nuk do të emocionoheshe po të zbuloje se kur ke treguar mirësi ndaj dikujt, ai ka qenë një engjëll. Nëse të duket emocionuese të ndihmosh një engjëll, sa më tepër është kur ndihmon Jezusin, mbretin e engjëjve? Nëse do të tregoheshim të mirë me të panjohurit që mund të jenë engjëj, aq më tepër do të jemi të mirë kur kuptojmë se Zoti e merr atë si një mirësi e treguar ndaj tij.
Jezusi thotë: ” Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” (Mateu 25:40) Kur ushqen të uriturit, t’i ushqen Jezusin. Kur i jep një gotë ujë një të eturi, ti i jep ujë Jezusit. Kur i jep rroba njerëzve në nevojë, ti i jep rroba Jezusit. Kur viziton të sëmurët në spital, apo të burgosurit në burg, ti viziton Jezusin. Ana tjetër e medaljes është se kur i shpërfill këta njerëz, ti shpërfill Jezusin.
Bëju të tjerëve atë që do t’i bëje Jezusit, sepse Jezusi trajton çdo njeri personalisht. Nuk ka asnjë njeri të parëndësishëm apo të vogël. Jezusi thotë: ” Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.” (Mateu 18:5) Dhe Ai thotë se çfarëdo që t’i bëjmë ndonjërit prej këtyre të vegjëlve ia kemi bërë atij. “Kush shtyp të varfrin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë”. “Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i Cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë”. (Fjalët e Urta 14:31; 19:17)
Në një farë mënyre, ne nuk kemi se çfarë të bëjmë për Jezusin. Çfarë mund të bëjmë për Atë që tashmë ka bërë gjithçka për ne? Në natyrën e Tij hyjnore, Biri i Perëndisë, gëzon praninë e Perëndisë Atë dhe, Frymë së Shenjtë. Pra Ai nuk ka nevojë për asgjë nga ne. Jezusi në natyrën e Tij hyjnore është ngritur në qiell, pra nuk mund ta shohim Atë apo të bëjmë diçka drejtë për drejtë për të.
Megjithatë ndonëse, nuk mund të bëjmë asgjë në mënyrë të drejtë për drejtë për Jezusin, ne mund të bëjmë shumë gjëra për të tërthorazi. Si? Duke qenë të mëshirshëm ndaj atyre që janë krijuar sipas imazhit të Krishtit Krijues, e që kanë të njëjtën natyrë njerëzore si Jezusi. A dëshiron të jesh i ashpër me Jezusin? Nëse nuk do, atëherë mos u trego i ashpër ndaj njerëzve që janë bërë sipas imazhit të tij. A dëshiron t’i tregosh dashuri, Jezusit në këmbim të dashurisë së Tij për ty?
Atëherë tregoji dashuri atyre që Jezusi i quan vëllezërit e Tij. Ti nuk mund ta shikosh Perëndinë dhe nuk mund ta shohësh Jezusin në fronin e tij qiellor, por ti mund t’i shohësh njerëzit e tjerë, e mund të sillesh me njerëzit e tjerë ashtu siç do të silleshe me Zotin. ” Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh? Ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.” (1 Gjoni 4:20-21)
Është mrekulli të dish se Perëndia është bërë një në personin e Jezusit, është gëzim të dish se me anë të besimit, Jezusi të quan ty vëlla, motër, shok apo shoqe.
Por mos harro, se ai i quan vëlla e shok edhe njerëzit që takon ti dhe e quan personale trajtimin tënd ndaj tyre. Prandaj mos u zi as mos u grind me dikë tjetër, nëse nuk do që të zihesh e të grindesh me Jezusin. Mos shpërfill dhe as mos keqtrajto të tjerët, nëse nuk do që të keqtrajtosh dhe shpërfillësh Jezusin. Nëse e ke bërë Jezusin mikun dhe vëllanë tënd, atëherë tregoje se sa shumë e do Jezusin duke dashur njerëzit që ai dërgon në jetën tënde. Bëju të tjerëve atë që do t’i bëje Krishtit vetë.
Tani që kemi shqyrtuar këto tre rregulla të arta, unë mund të përfytyroj një tregtar religjioz që thotë: (shënim:pastor është shaka me ironi brenda)”Hej, më erdhi një ide gjeniale! Do të bëj një tufë byzylykësh dhe zinxhirësh me një tresh të artë në të. Ky treshi i artë, do t’i kujtojë njerëzve tre rregullat e arta, kështu edhe unë bëj një dorë me para.”
Miqtë e mi, unë nuk jam tregtar, nuk dua të shes asgjë me tresha të artë. Edhe sikur të mos kesh një byzylyk me numrin tre, apo një varëse me numrin tre në qafë, shpresoj të mos i harrosh këto tre rregulla të arta. Dhe me hirin e Perëndisë, shpresoj t’i hedhësh në praktikë.
Bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty.
Bëju të tjerëve atë që Jezusi ka bërë për ty.
Bëju të tjerëve atë që do t’i bëje Jezusit.