Trëndafilat e një të dehuri

Print

Titulli: Trëndafilat e një të dehuri (pjesa 1)

Kjo është historia e një të dehuri dhe shkurres së trëndafilit: Njëherë një burrë u zgjua pas një natë të vështirë, pasi kishte pirë dhe ishte bërë dru. Kur ra alarmi, thuajse iu ça koka. E mbuloi kokën me jastëk, dhe mërmëriti nëpër dhëmbë diçka të ngjashme me fjalët: “tërhiqe zvarrë oktapodin.” Gruaja e tij kishte dëgjuar edhe më parë atë lloj mërmëritje dhe e dinte se ç’do të thoshte: “Njofto zyrën time.” Kështu që ajo telefonoi vendin e tij të punës dhe i njoftoi se ishte i sëmurë dhe nuk mund të shkonte në punë. Në tryezën e mëngjesit, ajo i përsëriti të njëjtën histori fëmijëve: Babai ishte i sëmurë dhe nuk do të hante mëngjes me ta. Më pas i çoi fëmijët në shkollë dhe më pas shkoi në punë.

Rreth mesditës i dehuri më në fund u zgjua sërish dhe u ngrit nga krevati. Ai shkoi drejt e tek vendi ku mbanin pijet alkoolike dhe shpenzoi pjesën më të madhe të pasdites duke pirë. Më pas vendosi të bënte një shëtitje në oborrin pas shtëpisë. Atje pa edhe trëndafilat.

Prapa shtëpisë ndodhej një gjemb trëndafili i lulëzuar, dhe disa trëndafila të kuq të çelur. Kur ai pa trëndafilat, i erdhi një ide. “Do t’i tregoj gruas sa burrë i mirë që jam. Do t’i bëj surprizë një tufë trëndafilash të sapo këputur. Unë mund të mos jem një bashkëshort i përsosur”,  mendoi ai me vete, “por këto lule nuk do t’i bëjnë keq. Ajo me siguri do t’i pëlqejë këto trëndafila!”

Me nxitim hyri në shtëpi e mori një thikë të mprehtë në sirtarin e kuzhinës. Ndërsa po dilte nga dera, rrëmbeu një shishe dhe hoqi disa gllënjka për të marrë forcë për punën që e priste përpara.

Kur arriti tek gjembi i trëndafilit, ai kapi një prej kërcejve. Tërhoqi dorën menjëherë prej shpimit. Gjaku po i rridhte në vende të ndryshme, atje ku e kishin shpuar gjembat. U ndal për një çast, pastaj kapi sërish kërcellin. Gjembat e shpuan sërish, por duroi. Preu degën, e më në fund e kishte në dorë. Ai e la mënjanë dhe kapi një tjetër degë, sërish me duart e gjakosura. Megjithatë falë alkoolit, nuk e ndiente dhimbjen që i sillnin gjembat.

Ai e mbajti degën për disa minuta, dhe në çastin që preu kërcellin e fundit, ai dëgjoi një makinë që po frenonte para oborrit të tyre.

Çfarë ndodh me këtë familje? A ja bën vërtet surprizën ky i dehur gruas së tij? Pas një çasti muzikor

Gruaja dhe fëmijët ishin kthyer. Ai mblodhi menjëherë trëndafilat në krahë, duke gërvishtur dhe shpuar kështu krahët dhe gjoksin. Më pas ktheu edhe një herë shishen e alkoolit dhe hyri në shtëpi për t’i bërë gruas dhe fëmijëve një surprizë të mrekullueshme.

Ai hodhi trëndafilat para fëmijëve të trembur dhe tha:”Hej kalamaja shikoni çfarë i kam sjellë nënës suaj!” Pastaj bashkë me disa trëndafila që kishte në krahë, përqafoi fort fëmijët.

“Ooo!” thirrën fëmijët ndërkohë që gjembat me majë i shpuan lëkurën. “Babi na lësho se po na vret” i thanë fëmijët.

” Çfarë problemi ka?” ia ktheu babai i dehur. “Nuk e doni babushin tuaj të dashur? Ejani më përqafoni!” Teksa po mundoheshin të liroheshin prej tij, i shtrëngoi fëmijët më fort pas vetes dhe gjembat po i hynin më thellë.

Ata bërtitën më fort, derisa në fund i la të shkonin dhe u kthye drejt gruas. Ai ia tundi trëndafilat në fytyrë dhe e pyeti:”Si të duken e dashur? Shumë të bukura, hë?” Ai u nis drejt saj, por u pengua dhe u përplas tek ajo. Kërcejtë me gjemba, e gërvishtën në fytyrë dhe e shpuan në qafë. Ajo thirri fort nga dhimbja dhe e shtyu atë me duar.

“Më lër rehat!” bërtiti ajo.”Ke pirë sërish apo jo? Kjo është nata kur kishim menduar të shkonim të gjithë si familje në ndeshje, por ti je dehur sërish.”

E ngërdheshura e të dehurit u kthye në të bërtitur: “ Nuk jam i dehur,” ia ktheu ai i zemëruar. “Unë thjesht piva disa gllënjka për tu zgjuar nga gjumi. Unë rropatem që të këpus lule për ty, ndërsa ti shiko si ma shpërblen! Epo mjaft tani,” tha ai duke hedhur sërish tufën e trëndafilave me gjemba mbi fytyrën e saj, “merri erë. Kanë erë të mirë, apo jo? Ti e di shprehjen : ‘ Një trëndafil me çdo emër tjetër nuk do të kishte aromë kaq të mirë. Një trëndafil është trëndafil…është trëndafil.'”

“Ti budalla i mjerë” bërtiti gruaja e inatosur teksa largonte gjembat me dhimbje prej fytyrës. “Mos më fol mua për trëndafila. Nëse dëshiron të citosh shprehje të famshme, provo këtë: “Pijaneci, pijanec mbetet.’ Po kjo tjetra si të duket: ‘Tërë pijanecët njëlloj janë, vijnë erë të keqe.'”

Kjo histori nuk ta ngre shumë humorin apo jo? Në fakt është një histori që e krijova unë, ndonëse gjëra të tilla nëpër familje ndodhin shpesh. Po ju tregoj këtë histori për t’ju ilustruar më mirë një fjalë të urtë nga Bibla.

Tek Fjalët e Urta 26:9 Bibla thotë: ” Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.” A mund ta përfytyrosh këtë? Një i dehur vjen vërdallë duke mbajtur një tufë trëndafilash me gjemba. Ai mendon se po bën diçka shumë të mirë, por nuk e di se po lëndon veten dhe njerëzit që ka pranë.

Ashtu si në këtë rast, edhe budallai sillet rrotull duke cituar thënie të mençura. Ai më shumë bën keq, se sa mirë.

Bibla e rrezikshme

Fjalët e urta bëhen të rrezikshme kur përdoren nga personi i gabuar. Kjo e vërtetë vlen edhe për Biblën vetë. Libri i Perëndisë është i përsosur, në çdo aspekt, por sërish mund të bëjë shumë dëme, jo se Bibla ka diçka të gabuar, por sepse kanë diçka të gabuar ata që e citojnë Biblën. Ashtu si trëndafilat janë të bukur, por jo kur janë në duart e një budallai, kështu edhe Bibla është e mrekullueshme me përjashtim të rastit kur një budalla e citon atë.

Ndoshta ti e di çfarë do të thotë të lëndohesh prej dikujt, që të lëndon ty dhe më pas e përkeqëson situatën duke të cituar vargje nga Bibla. Mbase ti vetë ndihesh fajtor për këtë: ti e keqpërdor Biblën në një mënyrë që lëndon të tjerët por edhe veten. Kjo është më e zakonshme se ç‘na pëlqen neve ta mendojmë.

Disa të dehur përdorin vargje biblike për verën, për të mbrojtur veten. Disa burra i rrahin gratë e tyre dhe pastaj përdorin vargje nga Bibla që flasin për nënshtrimin, ose prindërit abuzojnë me fëmijët e tyre, dhe citojnë vargje që fëmijët duhet të nderojnë prindërit.

Kritikuesit negativë, i rrëzojnë të tjerët dhe pastaj përdorin fjalë të urta biblike, që tregojnë se sa i mirë dhe ndihmues mund të jetë një qortim. Njerëzit e çoroditur thyejnë çdo urdhërim në Bibël, por në çastin që dikush e sfidon sjelljen e tyre, ata citojnë fjalët e Jezusit: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.” Lista vazhdon dhe është e gjatë. Për çdo pohim në Bibël, gjendet diku një budalla, qe mund ta gjejë një mënyrë për ta keqpërdorur apo abuzuar me të.

Por cili është rezultati i kësaj? Sigurisht njerëz të lënduar dhe të larguar prej kishe.