Po, rezultatet e keqpërdorimit të Biblës janë shkatërruese, aq sa nuk mund ta llogarisim dëmin. Ne nuk mund të numërojmë të gjithë njerëzit që largohen prej kishe, për shkak të prindërve të tyre, apo drejtuesve të kishës, a të hipokritëve të tjerë që i cituan Biblën edhe pasi ata kishin kryer krime të tmerrshme. Ne nuk mund të fillojmë të numërojmë tërë njerëzit që jo vetëm lëndojnë të tjerët por shkatërrojnë edhe veten duke cituar Shkrime dhe duke përdorur njohurinë e tyre biblike si një justifikim për mëkatin. Ne as nuk mund të përfytyrojmë se sa kjo e hidhëron dhe e pikëllon Perëndinë, ndërsa sheh se fjalë të shenjta të Librit të Tij, të keqpërdorura, mund të shkaktojnë shumë dëme dhe dhimbje.
E trishtueshme të themi, që disa njerëz fajësojnë Perëndinë për mënyrën se si njerëzit e keqpërdorin Biblën. Por a duhet fajësuar Perëndia? A do thoshe se trëndafilat janë të këqij vetëm se një i dehur por i tundte ato dhe po lëndonte veten dhe njerëzit e tjerë?
Apo do thoshe se Perëndia gaboi kur krijoi trëndafilat? Sigurisht që jo. Po kështu as ne nuk duhet të fajësojmë Biblën, as njerëzit budallenj që e kanë keqpërdorur atë. Në vend të kësaj, ne duhet të pyesim se si mund ta kuptojmë Biblën si duhet ta përdorim me kujdes sipas qëllimit të Perëndisë.
Bibla mund të jetë e rrezikshme. Pse? Mos vallë ka gënjeshtra? Jo, aspak, ajo është e rrezikshme sepse është plot e përplot me të vërteta. Gënjeshtrat mund të jenë të rrezikshme, por e vërteta mund të jetë edhe më e rrezikshme. Sa më e sigurt të jetë një e vërtetë, dhe sa më i lartë autoriteti që fshihet pas asaj, aq më i rrezikshëm bëhet kur ne e keqpërdorim atë. Kjo e bën Biblën librin më të rrezikshëm që ekziston, sepse mbështetet prej autoritetit të vetë Perëndisë. Ai flet me aq autoritet dhe të vërtetat e Tij janë aq të fuqishme sa që kur ne i përdorim ato të vërteta sipas interesit dhe paragjykimit tonë, mund të bëjmë gjëra të tmerrshme dhe të ndihemi të sigurt që kemi mbështetjen e plotë e vetë Perëndisë.
E thashë më lart se të dehurit, dhe ata që rrahin gratë, shpifësit dhe perversët mund të gjejnë vargje biblike e t’i shtrembërojnë për t’iu përshtatur ligësive të tyre. Përveç këtyre dhe shumë mëkateve të tjera individuale, unë mund të shtoj një numër të madh mëkatesh sociale, që janë kryer prej atyre që citojnë Biblën. Sa shumë njerëz janë vrarë e prerë në luftëra fetare, apo janë torturuar prej fshikullës së një skllavopronari, apo kanë përjetuar diskriminim të tmerrshëm dhe mizori prej grupeve të njerëzve që marshojnë nën një kryq dhe citojnë vargje nga Bibla?
Kur shikon të gjithë dëmin që mund të sjellin njerëzit fetarë që citojnë Biblën, mund të kesh prirjen të refuzosh Biblën. Ti mund të tundohesh të refuzosh çdo nocion që lidhet me të vërtetën absolute. Ti kupton se do të ishte më mirë të shikoje gjithçka thjesht si çështje opinioni. Nëse askush nuk do të besonte në diçka siç është e vërteta absolute, atëherë askush nuk do ta përdorte atë kundër të tjerëve. Po të mos kishte standarde morale detyruese, ndoshta të gjithë ne mund të merreshim vesh shumë mirë e të respektonim njëri- tjetrin. Sa vjen e rritet numri i njerëzve që ndihen sikur keqpërdorimi i së vërtetës do të shpërthejë idenë se e vërteta absolute nuk ekziston.
Ta bësh këtë është njëlloj sikur të mundohesh të parandalosh rrëmbimin e avionëve duke hedhur në erë të gjithë avionët. Sigurisht, është e tmerrshme kur dikush rrëmben një avion, por mos ia hidh fajin avionit për këtë. Fajin e ka rrëmbyesi. Mos shkatërro të gjithë avionët. Hap sytë se mos rrëmbejnë avionin tënd. Këtë duhet të bëjmë kur përballemi me faktin që e vërteta mund të vidhet dhe të përdoret për të mbajtur të tjerët peng.
Mos fajëso të vërtetën; fajëso personin që po vjedh të vërtetën. Mos moho të vërtetën e Biblës, në vend të kësaj, mundohu të ndihmosh ata që janë dëmtuar prej keqpërdorimit të Biblës, dhe më pas mundohu të mbrohesh kundër keqpërdorimit të të vërtetave biblike në të ardhmen.
Veç kësaj, nuk mund ta shkatërrosh të vërtetën edhe sikur të duash. E vërteta mbetet e vërtetë, pavarësisht se çfarë ndodh. Ti mund të mohosh atë apo ta shpërfillësh, por nuk mund ta shkatërrosh. Fjala e Perëndisë mbetet përjetë. Kështu edhe ti mund të përballesh me faktin që Bibla është e vërtetë nga fillimi deri në fund, e të mësosh se si mund ta përdorësh si duhet në vend që ta përdorësh në mënyrën e gabuar.
Pesë parime
Çfarë përfshin kjo? Dua t’ju prezantoj me pesë parime bazë, si ta përdorim Biblën në mënyrën e duhur, të pesta këto shkojnë bashkë.
E para është kjo: rregullo marrëdhënien tënde me Perëndinë. Kur lexon Biblën, nuk do ta kuptosh drejt mesazhin po që se nuk e ke mirë marrëdhënien me vetë autorin e Biblës, me Perëndinë. Për të kuptuar të vërtetën nuk mjafton vetëm dëgjimi i fjalës me vesh. Ti duhet ta bësh tënden atë të vërtetë. Në Bibël është një lutje e cila thotë: ” Ja, unë jam mbrujtur në paudhësi… Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës… O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.” (Psalmi 51:5,6,10)
Që të kesh një raport të mirë me Perëndinë, ti duhet të ndryshosh nga brenda. Pikërisht pasi Fjalët e Urta 26 flasin për të dehurin që kap gjembat me dorë, ai vazhdon duke sjellë pamjen e një pohimi të rëndë: ” Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.” (v. 11) Një qen di të sillet vetëm si qen, dhe një budalla mëkatar nuk mund të veprojë ndryshe, veç si një budalla mëkatar. Ai ka nevojë të bëhet një person i ri. Por që kjo të ndodhë, ai së pari ka nevojë të kuptojë se sa shumë i duhet të ndryshojë. Vargu tjetër pas atij që flet për të vjellat e një qeni, është ky: ” A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.” (v. 12)
Mendo sërish për të dehurin në historinë tonë që tund trëndafilat. Ai mendon se është i zgjuar dhe shumë i qetë, por ai po lëndon veten dhe familjen. Problemet e tij të jashtme, vijnë si pasojë e problemeve të brendshme: ai është i dehur. Dhe për shkak se është i dehur, ai nuk kupton me të vërtetë se çfarë po bën. Ai nuk mund të mendojë si duhet apo ta kontrollojë veten si duhet. Me qëllim që të sillet si duhet, së pari ai duhet të kuptojë se sa budalla ka qenë. Ai duhet të ndryshojë nga brenda.
Kjo vlen jo vetëm për të dehurit. Kjo vlen për të gjithë ne. Ne duhet të ndryshojmë nga brenda. Ne kemi nevojë që Fryma e Shenjtë të na japë një frymë të re dhe një zemër të re. Ne duhet të ndreqim marrëdhënien tonë me Perëndinë.
Parimi i dytë për ta përdorur si duhet të vërtetën biblike, është dëgjo tërë Biblën. Mos u fokuso vetëm tek një varg, apo në disa vargje tek tuk. E vërteta e Perëndisë nuk është një përmbledhje thëniesh të izoluara. Është një unitet. Çastin që ne e izolojmë një pjesë të mësimeve të Biblës nga pjesa tjetër, ne e shtrembërojmë atë apo e keqkuptojmë kuptimin e saj të vërtetë.
Për shembull, Bibla thotë se fëmijët duhen disiplinuar dhe ndëshkuar, ndoshta edhe fizikisht në disa raste. Abuzuesi i fëmijës fokusohet në këtë të vërtetë ndërsa rreh fëmijën e vete që pa gdhirë, duke pohuar se Bibla e mbështet disiplinën. Por ai e shpërfill (se kështu i bëhet mirë atij) pra shpërfill vargun ku thuhet se disiplina duhet bërë me dashuri dhe shumë e kufizuar. Një varg si ai i Kolosianëve 3:21, ” Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.” i hyn nga njëri vesh, i del nga tjetri.