Do ta filloj me një shembull, kur ndodh që dëgjojmë disa parime biblike, ndërkohë që shpërfillim disa të tjera. Bibla thotë gjëra të mrekullueshme, për dashurinë e Perëndisë. Por nëse merr vetëm këto pohime për dashurinë dhe shpërfill pjesët e tjera të Biblës të cilat flasin për zemërimin e Perëndisë, ti mbetesh me një pamje sentimentale të Perëndisë. Nuk i merr seriozisht paralajmërimet e Tij për gjykimin, dhe ti nuk ia ke idenë, se përse Jezusi duhet të vdiste. Vetëm kur i merr seriozisht pohimet për dashurinë e Perëndisë dhe gjykimet e Tij, do të shohësh se si Jezusi vuajti ndëshkimin e Perëndisë, për hatër të mëkatit. Vetëm kur kupton këtë mund të pendohesh për mëkatet e tua dhe t’i besosh vetëm Jezusit për shpëtimin tënd.
Kjo na çon tek gjëja e tretë dhe kryesore që duhet pasur në mendje ndërsa lexojmë Biblën: Fokusohu tek Jezusi. Unë sapo kam theksuar se ne duhet të shohim të vërtetat e Perëndisë në unitet, jo si një tufë fragmentesh të izoluara. Por pse është e vërteta një unitet? Sepse të gjithë të vërtetat e Biblës formojnë një unitet personal në Zotin Jezus Krisht. Gjithçka që mësojmë në Bibël, Perëndia e ka vendosur me qëllim që të na afrojë më pranë Krishtit dhe të na bëjë më të ngjashëm me të.
Ti duhet të fokusohesh tek Jezusi me qëllim që të vërtetat e Biblës të bëhen fokusi yt. Ti do të keqpërdorësh dhe keq lexosh atë që Bibla thotë po që se nuk e shikon këtë në një marrëdhënie me Krishtin. Jezusi dikur u tha disa drejtuesve fetarë se studimi i tyre biblik ishte i kotë sepse ata refuzuan të pranonin se Shkrimet ishin për Të. Çdo gjë në Bibël, është atje për ta mbushur zemrën tënde me besimin në Jezusin, ta mbushë mendjen tënde me mendime për Jezusin, e ta mbushë jetën me karakterin e Jezusit.
Në fakt, teksa lexon Biblën, dëgjoje si të ishte zëri i Jezusit për ty, dhe fol me Jezusin ndërsa ai të flet ty. Ktheje leximin e Biblës në një dialog me Jezusin, dëgjoje atë dhe lutu atij, kërko që të qëndrosh në kontakt me Jezusin dhe në harmoni me Të.
Një parim i katërt për një përdorim të shëndetshëm të Biblës është ky: Praktikoje tek vetja. Mos përdor Biblën vetëm si një armë kundër njerëzve të tjerë. Disa prej përdorimeve më të këqija të Biblës vijnë kur je aq i zënë duke e aplikuar atë tek dikush tjetër saqë harron ta praktikosh tek vetja.
Pse disa burra e dinë ekzaktësisht atë që thotë Bibla, që gratë duhet të jenë të nënshtruara, mirëpo i kushtojnë shumë pak vëmendje asaj që bibla thotë për burrat, që t’i duan gratë e tyre deri në vetësakrifikim? Pse disa gra që e kanë gjuhën të gjatë, i mbajnë leksione burrave mbi atë se çfarë thotë Bibla, por harrojnë se çfarë thotë Bibla për gratë grindavece: ” Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njëra- tjetrës.” (Fjalët e Urta 27:15)
Pse njerëzit me një punë të mirë dhe me shumë para, i citojnë të varfërve pjesë nga Bibla për dembelizmin që sjell varfëri dhe, shpërfillin vargjet që paralajmërojnë të pasurit kundër shfrytëzimit të të tjerëve dhe refuzojnë të ndajë atë që kanë me të tjerët? Pse disa njerëz që janë me të vërtetë dembelë, dhe abuzojnë me sistemin e përkrahjes sociale citojnë vargje biblike për të ndihmuar të varfrit dhe shpërfillin pohime të tilla si:
” …po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë…” (2 Thesalonikasve 3:10)
Pothuajse të gjithë ne sillemi si ekspertë në zgjidhjen e mëkateve të të tjerëve në vend që të merremi së pari me mëkatet tona. Por sikurse e thotë Jezusi: ” Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: “Dale të të heq lëmishten nga syri”, kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.” (Mateu 7:4-5)
Kështu që sa herë që lexon Biblën, mos pyet së pari se çfarë thotë ajo për dikë tjetër. Së pari pyet Jezusin se çfarë do të thotë Ai ty në Fjalën e Tij. Nëse je bashkëshort, sigurohu se po i bindesh asaj që Bibla thotë për bashkëshortët para se të fillosh t’ia citosh Biblën gruas. Nëse je grua, dëgjo udhëzimet e Perëndisë për gratë para se të fillosh të korrigjosh burrin tënd. Nëse je i pasur, sigurohu që të dëgjosh paralajmërimet e Biblës për njerëzit e pasur, dhe jo paralajmërimet e Tij për të varfrit. Nëse je i varfër, apo je në telashe, sigurohu që nuk e ke shkaktuar vetë këtë, para se të fillosh t’ia hedhësh fajin për këtë shtypjes dhe diskriminimit të të tjerëve. Aplikoje Biblën tek vetja para se ta aplikosh tek të tjerët.
Parimi i pestë për të drejtuar në mënyrën se si e përdor Biblën, është kjo: përdori gjithmonë Shkrimet me dashuri. Kjo na kthen tek fakti se Jezusi është fokusi i Shkrimeve, dhe që e vërteta më e madhe, nuk është thjesht një gjë por një Person. Për shkak se e vërteta është personale, e për shkak se është themeluar në Jezusin, te Perëndia që është dashuri, kemi nevojë të dëgjojmë se çfarë ka për të thënë Perëndia. Ne kemi nevojë për dashuri që t’i komunikojmë të tjerëve të vërtetat e Perëndisë. Ne kemi nevojë për një zemër që e do Perëndinë, që të dëgjojmë se çfarë na flet ai, pa u penduar për këtë dhe, ne kemi nevojë për një zemër që i do të tjerët, me qëllim që tu flasim atyre të vërtetat e Perëndisë në një mënyrë që i ndërton dhe nuk i shkatërron.
Këto janë pesë parimet bazë për ta përdorur Biblën si duhet në vend që ta tundim atë si një dehur një ferrishte. Së pari, rregullo marrëdhënien tënde me Perëndinë, së dyti dëgjoje se çfarë thotë Bibla në tërësi. Së treti, fokusohu tek Jezusi. Së katërti, aplikoje Shkrimin tek vetja, jo vetëm tek të tjerët. Dhe së pesti, përdori gjithmonë Shkrimet me dashuri. Këto pesë gjëra janë të pandashme. Ato shkojnë bashkë. Në atë shkallë që ti e përdor Biblën kështu, Perëndia do të afrojë më pranë tij dhe të vërtetës së Tij. Ti përjeton bekime në jetën tënde dhe bëhesh një bekim për të tjerët.
Sidoqoftë, nëse zemra jote nuk është në rregull me Perëndinë, dhe ti zgjedh ato vargje që të interesojnë ty, nëse Krishti nuk e mbush zemrën tënde, dhe nuk po të drejton mendjen, nëse po i përdor vargjet biblike si një armë kundër të tjerëve, në vend që ta lejosh atë të të qortojë dhe korrigjojë ty, nëse nuk je i motivuar prej dashurisë për Perëndinë dhe të tjerët, atëherë ti dhe Bibla jote bëhet një mallkim në vend që të bëhet një bekim.
E vetmja mënyrë për të këmbyer këtë është të kuptojmë se çfarë kemi qenë duke bërë, dhe të pendohemi e të kthehemi tek Perëndia. Mjaft mëkatove. Mjaft me justifikime. Mjaft e keqpërdore të vërtetën e çmuar të Perëndisë. Mjaft e shpërfille emrin e Tij të shenjtë. Kërkoji Perëndisë të të falë, për hir të Jezusit, e të të bëjë ty një person të ri.
Të merresh me plagët
Dhe tani një fjalë për disa prej jush që jeni lënduar prej keqpërdorimit të Biblës, nga dikush tjetër. Ndoshta ka pasur raste kur dikush ju ka cituar vargje të biblës, por të shtrembëruara. Ose thjesht kanë pohuar se janë të krishterë që besojnë Biblën, por kanë bërë gabime gjithsesi. Ne mund të lutemi që Perëndia t’i ndryshojë këto gjëra, dhe ai ndryshon shumë prej tyre, por gjithmonë ka disa hipokritë vërdallë, madje ka edhe njerëz të cilët janë të krishterë të vërtetë, por ndonjëherë e përdorin Biblën në mënyrën e gabuar. Pyetja është: Si do t’ia bësh, nëse ti je personi që është lënduar?
E di që ndihesh keq kur gjëra të tilla ndodhin, por e dyfishon tragjedinë duke lejuar marrëzinë e dikujt tjetër të të bëjë ty budalla. Mos lejo plagët e shkaktuara prej dikujt tjetër, të të mbajnë larg Fjalës së Perëndisë, Biblës dhe Krishtit. Kujto, Perëndia urren keqpërdorimin e Biblës më shumë se sa ti. Në të kundërt përse do të thoshte: “Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.” Mos lejo që një budalla që keqpërdor të vërtetën, të të kthejë ty kundër së vërtetës, përndryshe do të bëhesh edhe ti budalla.
Në vend të kësaj, beso tek Perëndia. Beso që edhe sikur çdo njeri të jetë një gënjeshtar, Perëndia është i vërtetë. Edhe sikur njerëzit të keqpërdorin Fjalën e Perëndisë, Fjala e Tij është e vërtetë. Besoje Biblën. Besoji Zotit Jezus Krisht. Pranoje Frymën e Shenjtë në zemrën tënde. Lër pas kujtimet e hipokritëve, të cilët abuzuan me Biblën, dhe mëso të gëzosh të vërtetën që Perëndia vetë të jep ty. Lër pas plagët e çdo njeriu që mban të vërtetat si një i dehur disa trëndafila me gjemba, dhe shijo trëndafilat e bukur që Perëndia vetë të jep ty. Prano dhuratën e Tij të çmuar, të jetës së re në Jezusin. Shijo aromën e ëmbël të mirësisë së Perëndisë. Shijo bukurinë e dashurisë dhe Të vërtetës së Tij.
Miq shpresoj të jeni nxitur për ta përdorur Biblën në kontekstin e duhur dhe ta përçoni mesazhin e saj pa shtrembërime, për të mirën tuaj dhe të atyre që ju doni. Nëse keni pyetje për këtë temë na shkruani në adresën që do të dëgjoni në fund.