Tri dëshirat nxitëse

Print

Titulli: Tri dëshirat nxitëse (pjesa 1)

Sa fantastike është tema sot. Fillojmë pa humbur kohë. Shefi është kthyer. Pas një kohe të gjatë, themeluesi dhe pronari i kompanisë është kthyer. Të gjithë habiten kur e shohin. Disa lumturohen. Të tjerët frikësohen.

Para shumë kohësh, shefi u largua për punë jashtë shtetit. Para se të largohej ai thirri personelin e menaxhimit, bashkë me ta edhe ty. Ai i caktoi çdo personi një buxhet si dhe një pjesë të kompanisë për ta menaxhuar. Ai ju tha të gjithëve se do të largohej për pak kohë, por nuk ju tha për sa kohë. Doli që ai qëndroi më gjatë se sa e kishit pritur. Javët u kthyen në muaj dhe më pas në vite.

Gjatë asaj kohe, disa prej menaxherëve punuan shumë. Ata kërkuan mënyra krijuese për të zgjeruar pjesën e tyre të biznesit. Disa të tjerë nuk punuan shumë dhe nuk ndërmorën rreziqe. Ata u munduan të shmangnin humbjet e mëdha, por nuk bënë përpjekje të tjera në arritjen e fitimeve më të mëdha.

Të gjithë punonjësit e dinin se shefi do të kthehej një ditë, por kur u kthye të gjithë ju u befasuat. Zyra jote filloi punën si çdo ditë tjetër. Ju të gjithë ishit duke u marrë me punët tuaja kur papritur ai hyri në derë.

“Dua të takohem me secilin prej jush sot,” njoftoi shefi. “Dua një raport nga secili prej jush për punën tuaj në biznes.”

Çfarë ndodh me ty po me të tjerët. Vetëm pas pak.

Ti u gëzove shumë që pe shefin. Ti e admiron atë dhe e pëlqen, të ka munguar shumë qëkur u largua. Por njëkohësit je edhe nervoz. Ky është çasti i së vërtetës. Kur të hysh në zyrën e shefit dhe të raportosh, do të vlerësohet e kaluara jote, dhe e ardhmja do të varet tek ai vlerësim.

Ti ke punuar fort, dhe gjatë kohës që ke qenë menaxher disa gjëra kanë shkuar mirë, por ke bërë edhe gabime.

Shefi është i shkëlqyer dhe sigurisht që ti nuk mund t’i menaxhosh disa gjëra aq mirë sa ai. Ti hyn në atë takim me një sërë ndjesish të ndryshme: i emocionuar që do të raportosh në disa mënyra se si ti ke ndihmuar që biznesi të zgjerohej, por i zhgënjyer dhe në siklet për mundësitë e humbura dhe rastet që ke dështuar.

Pasi ti mbaron me raportin, shefi të shikon në sy. Ti ndihesh sikur ai mund të shohë gjithçka përmes teje, dhe sikur ai di gjithçka për ty. Kur shiheni në sy, të duket sikur të ndal zemra. Por menjëherë një buzëqeshje e ëmbël ia mbulon fytyrën dhe shefi të thotë:”Kështu bëhet puna! Bravo! “Punë e paparë! E di çfarë? Ti më pëlqen. Ti je një punëtor i mirë dhe i besueshëm.”

“Në fakt”, vazhdon ai, “Jam kaq i lumtur me punën tënde sa që do të ngre në detyrë. Kur isha larg, unë e zgjerova kompaninë dhe i shtova shumë departamente të reja.  Tani dua që njerëzit e mi më të mirë, t’i drejtojnë ato. Ti ke dhënë prova në gjëra të vogla, tani është koha të lëvizësh në gjëra më të mëdha. Unë do të vë në krye të disa prej aksioneve të mia më të mira.”

Ai të takon me njërën dorë, e tjetrën ta hedh në qafë dhe me një përqafim të ngrohtë të thotë: “Unë dua të të shpërblej ty dhe, do të bëj shumë më tepër se sa një ngritje rroge. Unë do të bëj ty bashkëpronar. Unë dëshiroj që ti të jesh një anëtar i përhershëm i skuadrës, pjesë e familjes sime. Çdo gjë e imja që më bën të lumtur është e jotja sa herë që të duash. Rezidenca ime është edhe e jotja. Kuzhinieri im është edhe i yti. Makina ime është edhe e jotja. Aksioni im është edhe i yti. Anëtarësimi në lojën me kuaj është edhe i yti. Llogaria ime e shpenzimeve është edhe e jotja. Unë dua që ti të marrësh pjesë në lumturinë time.”

Si do të ndiheshe pasi të dëgjoje këto fjalë? Në rast se je nëpunës dhe gjërat të kanë ecur mbarë, ndoshta e di mirë se çfarë do të  thotë të punosh për një shef të shkëlqyer i cili me të vërtetë të do dhe të vlerëson ty.

Ti e ke provuar sa fantastike është të ndihesh i vlerësuar dhe i miratuar, të promovohesh dhe të marrësh detyra më të rëndësishme, si dhe të shpërblehesh me një pagesë më të mirë dhe përfitime të tjera partneriteti.

Megjithatë edhe sikur të punosh për një shef të mirë, është e vështirë ta besosh se ka një shef kaq të mirë apo, një punë që të sjell kaq të mira.

Të nxitur prej dëshirave

Por kjo nuk është thjesht fantazi; është realitet. Një shef i tillë ekziston dhe ky është Jezusi. Kjo është ekzaktësisht mënyra se si Jezusi do të trajtojë çdo person që i shërben atij besnikërisht. Ai do të thotë: “Dhe i zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd.” (Mateu 25:21) Jezusi do të na lavdërojë dhe do të na shpërblejë me kënaqësitë e tij të përjetshme. Këto tri gjëra: lavdërimi, promovimi dhe shpërblimi janë dëshirat shtytëse të një shpirti të shëndetshëm.

Sipas Jezusit, jeta i ngjan një pune. Ai është shefi. Ne jemi punëtorët, ndërsa vlerësimi përfundimtar bëhet në ditën e gjykimit. Më e rëndësishmja në jetë është të jemi në gjendje të përballemi me Zotin atë ditë dhe të dëgjojmë se si na lavdëron Ai për punën tonë të mirë, po ashtu të shohim mundësi për rritje përgjegjësie në mbretërinë e Tij dhe, të shijojmë lumturinë e Tij përgjithmonë. Ky është qëllimi i çdo njeriu të shëndetshëm. ( sh.i.p shpirtërisht).

Nëse dua që të ndihem i vlerësuar apo i lavdëruar a më bën ky fakt krenar dhe egoist? Ndoshta po, por jo detyrimisht. I vetmi problem, nëse mund ta quaj kështu, nuk është dëshira për të qenë i vlerësuar, por zgjedhja e diçkaje më të vogël se lavdërimi përfundimtar i Zotit.

Shpirti im është krijuar në atë mënyrë që të kërkojë lavdërimin nga vetë Perëndia dhe, nëse përqendrohem vetëm te fakti që t’i bëj përshtypje njerëzve, do të kem gjithmonë një boshllëk në shpirt. Unë kam një dëshirë të fortë për të dëgjuar Jezusin që më thotë, se jam i mirë dhe besnik dhe për punën time të thotë “Të lumtë”.

A bëhem njeri i etur për pushtet, nëse dëshiroj të jem i rëndësishëm dhe të marr përsipër përgjegjësi më të mëdha? Ka mundësi, po jo detyrimisht. Problemi i vetëm që mund të kem nuk është dëshira e fortë për të qenë i rëndësishëm, por fakti që kënaqem me diçka me të vogël se vlerësimi që të jep në fund Perëndia.

Unë jam krijuar sipas imazhit të Perëndisë, jam kurorëzuar me lavdinë e vetë Perëndisë, projektuar që të mbretëroj me Të mbi mbretëritë e mëdha.

Çdo përgjegjësi që kam tani është një bazë bindëse për gjërat e mëdha që do të marr në të ardhmen. Në rast se do të mendoj se suksesi im këtu në tokë është ai që më bën të rëndësishëm, asnjëherë nuk do të më duket sikur kam arritur mjaftueshëm, gjithmonë do të përndiqem prej ndjenjës së dështimit.

Kjo nuk ngjan aspak me suksesin, më shumë do ta quaja dështim. Edhe sikur karriera ime të shkojë mirë dhe të jem duke drejtuar një korporatë apo një vend, asgjë në këtë botë nuk mund të përmbushë dëshirën për rëndësi. Unë kam një dëshirë të zjarrtë për të dëgjuar këto fjalë prej Jezusit: “Shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra.”

Në rast se dua lumturi, kënaqësi dhe shpërblime, a më bën kjo lakmitar? Ka mundësi, por jo detyrimisht.

Problemi i vetëm që mund të kem, nuk është dëshira ime tepër e madhe, por fakti që kënaqem me pak.

Pra, në rast se e kërkoj kënaqësinë më të madhe te shijimi i ushqimit apo tek emocionet e sportit, a te pasioni i dashurisë, unë nuk do të jem asnjëherë me të vërtetë i lumtur. Disa kënaqësi do të bllokohen prej shëndetit të dobët apo financave të këqija. Edhe sikur të qëndroja gjithmonë i shëndetshëm dhe i pasur sa për plotësuar çdo dëshirë, përsëri shpirti im do të mbetej  i paplotësuar. Unë jam krijuar për kënaqësi të mëdha dhe të përjetshme, asgjë nuk mund t’i zëvendësojë ato. Unë kam një dëshirë të fortë që të dëgjoj Jezusin të më thotë: “Hyr në gëzimin e Zotit tënd.”

Cilat janë dëshirat e tua më të forta? Nëse i di përgjigjet e këtyre pyetjeve të thjeshta do të kuptosh se çfarë dëshiron me gjithë zemrën tënde. Së pari, kujt po mundohesh t’i pëlqesh? Së dyti, çfarë të bën të ndihesh i rëndësishëm? Së treti, çfarë të jep kënaqësi? Përgjigju këtyre pyetjeve dhe do të kuptosh shumë për veten dhe dëshirat e tua.