Tani do të ndalemi në një varg shumë të rëndësishëm për temën tonë, “Trupi është i dobët”. Pohimi që dua të them është shumë i thjeshtë: “Fryma është gati por mishi është i dobët.”
Ne si njerëz kemi dobësi, dhe trupi na tradhton. Qepallat mbyllen dhe qëllimet tona të besnikërisë sprapsen sapo biem në pasivitetin e gjumit.
Mishi është i dobët sepse edhe atëherë kur na është dhënë një detyrë e qartë si lutja, ne shpesh dështojmë për shkak të dobësisë tonë.
Por është pikërisht ky dështim qe përforcon edhe më shumë të dhënën e parë rreth forcës. Sepse kuptojmë sërish se ku gjendet burimi i forcës. Ajo nuk gjendet në ne, në mishin tonë, por diku tjetër. Ndaj le ti hedhim edhe një herë një shikim fjalëve që tha Krishti, nga lutja e tij e dytë në Kopshtin e Gjetsemanisë!
39 U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.
40 Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin.
Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.
42 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!”(Marku 14:40- 42)
Teksa dishepujt, po flinin për herë të dytë, Jezusi lutet për herë të dytë. Ai lutet me ankth. Ai lutet që kjo kupë të largohet prej tij, por njëkohësisht lutet që të bëhet vullneti i Perëndisë. Pasi kthehet nga lutja i gjen dishepujt në gjumë. Shpjegimi i vetëm që gjejmë është diçka nga ana fizike “ ishin rënduar kapakët e syve.”
Por pas kësaj vjen fjalia që e ndryshon krejt pjesën. Në fund të vargut 40, lexojmë, “ ata nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin.”
Ky është një zbulim i madh! Pjetri e mban gojën mbyllur.
Ai nuk mburret më. Jakobi dhe Gjoni nuk diskutojnë më nëse do të ulen në krah të majtë apo të djathtë të Jezusit në mbretërinë e Ti. Ata thjesht qëndrojnë në heshtje. A e morën ata një mësim të mirë? Po ne?
Ndryshimi që u ndodh është ky: Dishepujt qëndrojnë në heshtje, duke pranuar të paktën për një moment të vetëm dobësinë e tyre. Pjetri është i dobët. Ai është i sigurt për këtë. Ai nuk thotë asgjë. Kësisoj, Jakobi dhe Gjoni rrinë të heshtur në dobësinë e përgjumjes.
Atë që kemi parë tashmë te dishepujt, mund ta zbulojmë shumë mirë edhe te vetja jonë. Askush nga ne nuk është i fortë në vetvete. Të gjitha këto që folëm bashkë na çojnë drejt një të vërtete të pagabueshme: Ne vetë nuk kemi forcë, por qëndrojmë të heshtur dhe të dobët. Por sërish, kjo është e dhëna e fundit që na jepet për forcën tonë. Dobësia jonë e pashmangshme na nxit që të kërkojmë forcën e Krishtit. Por a do të na mirëpresë Krishti neve?
Ato çaste qetësie, në kopshtin e Gjetsemanisë, duhet të ketë qenë shumë e dhimbshme për Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin. Por imagjinoni se sa e dhimbshme duhet të ketë qenë për Jezusin i cili kthehet për herë të tretë dhe i gjen sërish ata duke fjetur. “Mjaft më” thotë Jezusi. Mjaft!
A e pyet ndonjëherë veten se në një ditë të caktuar Perëndia do të vijë në dobësitë tënde dhe do të thotë: “Mjaft më!” Unë e kam menduar. Në dobësinë dhe përgjumjen shpirtërore, kam frikë se Perëndia do të më përshkruaj pa hezitim si një rast i humbur. Unë mundohem të jem i fortë, por trupi im është i dobët. Çfarë duhet të bëj unë? Çfarë duhet të bësh ti? A do të heqë dorë Jezusi prej nesh?
Ne shpesh themi, Ai nuk do të heqë dorë.
Një grua në kishën tonë ishte në prag të vdekjes dhe ishte shumë e shqetësuar nëse Perëndia do ta cilësonte atë si një rast të pashpresë, për shkak të mëkateve të saj. Si pastor i kishës vendosa të flas me të. Ajo nuk kishte mëkate shumë të mëdha nisur nga standardet njerëzore, thjesht mëkate të vogla, gjëra që s’ia vlen as t’i përmendësh.
Për më tepër ajo besonte në Jezusin, kishte rrëfyer mëkatet e saj dhe po kështu e dinte se kishte marrë faljen përmes Jezus Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit të saj.
Pavarësisht këtyre gjërave, ajo kishte frikë teksa vdekja po i afrohej, se Perëndia do ta ndëshkonte për dobësitë dhe dështimet e saj. Ajo kishte frikë se Perëndia do t’i thoshte: “Mjaft, largohu prej meje, ti grua e dobët dhe e dështuar!”
A kishte arsye përse të shqetësohej kjo grua? A kam unë arsye përse të shqetësohem? A ke ti arsye për të qenë i shqetësuar? Po dishepujt a kishin arsye përse të shqetësoheshin? Po le të themi, edhe kishin edhe s’ kishin.
Po të gjithë ne, po të mos ishte për hirin e Jezusit do të kishim me qindra arsye për të qenë të shqetësuar.
Krishti, i drejti, Biri i Perëndisë, gjykatësi i madh i të gjallëve dhe të vdekurve, ka çdo të drejtë të na refuzojë për dobësinë tonë shpirtërore. Por jo, Jezusi, nuk vjen për të dënuar. Sikurse e thotë Gjoni 3:17, ” Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.”
Dëgjoje me kujdes këtë tekst. Teksa dishepujt qëndrojnë në heshtje, nuk dinë se çfarë të thonë, pasi janë kapur në gjumë për herë të tretë, pasi kanë dëgjuar Jezusin të thotë, “Mjaft!” Vetëm kaq, Jezusi nuk gjykon, por tregon hir të mahnitshëm.
Ai thotë:” Çohuni, të shkojmë.” Besoj se e kuptove tani. Ai thotë le të shkojmë. Ai përfshin veten në këto fjalë. Jezusi bashkohet me këta njerëz të dështuar, të heshtur dhe të përgjumur. Ky është hiri! Nëse do të isha në vend të Jezusit, e nëse do të isha i frikësuar në shumë aspekte, do t’i kisha thënë dishepujve të mi mburravecë, miqve të mi hipokritë, E dini çfarë, largohuni më mirë! Por Jezusi thotë, “Çohuni. Të shkojmë!” Ky është hiri; ky është Jezusi!
Të gjitha të dhënat u plotësuan tani. Ne, të krishterët e fortë dhe të perëndishëm, dështojmë për të njëjtat arsye që dështuan dishepujt e hershëm, e të perëndishëm.
Që do të thotë, ne mburremi me forcën dhe besnikërinë tonë. Ne mundohemi të çohemi me forcat tona dhe të vazhdojmë me forcat tona. Por kur veprojmë kështu, ne biem në gjumë dhe nuk shkojmë askund.
Vetëm pasi dëgjomë fjalët e Jezusit dhe pasi ecim me të ne jemi në gjendje të çohemi dhe të shkojmë.
Jezusi nuk është duke kërkuar dishepuj të cilët janë të përsosur. Ai nuk është duke kërkuar njerëz që nuk i zë asnjëherë gjumi në punë. Ai po kërkon njerëz që janë ndjekës të falur. Ai po kërkon njerëz që e dinë se janë të thyer dhe qëndrojnë në heshtje para Tij, të zhveshur prej pretendimeve, gati për ta ndjekur Atë.
Pra çfarë duhet të bëjmë ne sot? Të sugjeroj thjesht këtë; le të ulemi në heshtje para Jezusit ashtu si Pjetri, Jakobi, dhe Gjoni.
Kur ka qenë hera e fundit që ti qëndrove qoftë edhe 15 minuta në heshtje para Perëndisë? Provoje sot. Fill pas mbarimit të programit tonë. Thjesht ulu në qetësi para Zotit, për pesëmbëdhjetë minuta. Mos bëj asgjë. Thjesht rri në praninë e Zotit, pa mburrje, pa shtirje. Thjesht rri në qetësi.
Nuk do të jetë e lehtë. Ndoshta do të duash të bësh diçka, të thuash diçka, të ndreqësh diçka. Por rezistoi këtij tundimi. Thjesht rri në heshtje dhe shiko se çfarë do të bëjë Zoti. Pasi të kesh qëndruar në heshtje, duke parë. Fillo lutu.
Lutu të mos biesh në tundimin që t’i besosh vetes dhe forcave të tua më shumë se Perëndisë. Lutu rregullisht, rrëfe dobësinë e mishit, e cila përfshin tendencën për të besuar se trupi është i fortë, çka na shtyn të besojmë se mishi është i fortë. Pasi të jesh lutur, çohu dhe shko me Jezusin.
Unë nuk e di se çfarë nënkupton për ty të shkosh me Jezusin. Kjo mund të shtyjë të shkosh në punë, të kujdesesh për nipërit dhe mbesat apo qoftë të lexosh gazetën. Por, kudo që shkon, çfarëdo që bën, bëje në praninë e Zotit, duke besuar se forca e Tij do të mposhtë dobësinë tënde.
Në përfundim të gjithçkaje, ne heshtjen dhe dobësinë tënde dëgjo fjalët e Jezusit plot hir dhe fuqi: “Çohuni. Le të shkojmë.”
Amen