Unë duhet të kujtoj

Print

Titulli: Unë duhet të kujtoj (pjesa 2)

Dua ta filloj me një histori që Luka tregoi në Dhjatën e Re.

Ti do ta gjesh këtë histori tek Luka 17.

Jezusi u takua me dhjetë burra që kishin lebër, një sëmundje e asaj kohe, e cila i bënte ata njerëz të pashpresë dhe të përzënë prej shoqërisë.

Jezusi i shëroi ata, që të dhjetë, për të shfaqur lavdinë e mrekullueshme të Perëndisë.

Kjo është një histori fantastike. Por kthehet në një histori ngacmuese, kur Luka thotë: ” Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.” (Luka 17:15).

Njëri prej tyre u kthye. Një nga dhjetë. Vallë e harruan të tjerët dhuratën e shërimit. A vepruan të tjerët tamam siç i paralajmëroi Mojsiu…se kur Perëndia i jep dhuratat e tij ne e kemi të lehtë të harrojmë Atë si dhuruesin, teksa gëzojmë me dhuratat tona.

Unë mendoj se Mojsiu, Davidi dhe Luka, po mundohen të na paralajmërojnë për dobësinë e madhe njerëzore, harresën.

A je ti kaq i prekshëm ndaj harresës njëlloj si unë?

Ka pasur një kohë në jetën e bashkësisë ku unë shërbeja si pastor kur gjithçka dukej e errët dhe e vështirë.

Njerëz kyç në shërbesë po përballeshin me kancerin dhe prognozën e ashpër.

Një aksident tragjik në një ekskursion mori jetën e shumë anëtarëve të kishës dhe lëndoi shumë njerëz të tjerë.

Shumë familje po përballeshin me situata shumë të vështira. Një foshnjë lindi i vdekur. Një tjetër foshnjë lindi në pre maturë dhe po luftonte për jetën.

Dukej sikur sapo shëroheshim nga një dhimbje, vinte tjetra.

Zemrat tona u rënduan. Prandaj vendosëm që të dilnim nga adhurimi normal i jetës sonë dhe për të kaluar pak kohë këtë herë me këtë psalm dhe me mesazhin e tij inkurajues.

Ne kishim nevojë të mendonim për dhuratat e mira të Perëndisë.

Prandaj është në të mirën tonë që të reflektojmë mbi këtë psalm ,ku Davidi flet me veten.

Dhe ai na paralajmëron se sa shpejt harrojmë. ” Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.”

Ai largohet pak që të bëjë një bisedë me veten. Ai veçohet dhe kalon një kohë reflektimi për tu frymëzuar, po kështu për të kujtuar.

Besoj se bashkësia jonë kishte nevojë për këtë. Jam i sigurt se edhe ti ke nevojë për këtë, apo nuk është kështu?

Pra Davidi bën shumë mirë që e fillon këtë Psalm dhe përfundon atë më fjalë që i dalin së brendshmi.

Ne thjesht na duket shumë e lehtë për të harruar dhuratat e Perëndisë, dhe kjo nuk është gjë e mirë as për ne, por nuk është as e drejtë përpara Perëndisë!

Mendoj se sot duhet të zhvilloj një bisedë me veten. Por do të ishte mirë ta bëja çdo ditë. Sikurse Davidi. Dhe unë mendoj se edhe ti duhet ta bësh këtë.

Dhe kur ta bëjmë këtë, do të zbulojmë sikurse Davidi, dy realitete shumë të rëndësishme.

Së pari është dhembshuria e Perëndisë.

Kjo është tema kryesore e kësaj dëshmie. Kur Davidi ndalon dhe reflekton, për t’i kujtuar vetes përfitimet e Perëndisë, çfarë të vjen në mendje?

Pra dëgjoni edhe njëherë këto fjalë: ai i fal mëkatet e tua, shëron sëmundjet e tua, e nxjerr jetën tënde nga gropa, të kurorëzon me dashuri dhe dhembshuri…. Davidi po flet prej përvojës së tij. Kjo është dëshmia e tij personale. Pas çdo pohimi ka edhe një kujtim personal. A mund të ndjesh përfytyrimet dhe kujtimet e tij që rrjedhin në mendje si një album fotografish me përshtypje nga njëzetë vitet e kaluara? Unë mund të bëj të njëjtën gjë. Dhe besoj se edhe ti mund ta bësh.

Ai fillon të flasë për natyrën e Perëndisë. Perëndia është i hirshëm dhe na jep më shumë nga sa meritojmë, nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona, ai ka një dashuri që është më e lartë se qiejt, ai largon mëkatet tona sa larg është lindja nga Perëndimi. Po, natyra e Perëndisë i ngjan asaj të një ati për fëmijët e vet, ai është i mbushur me dhembshuri.

Teksa po kujtonte këto gjëra, pra po shikonte pas në të kaluarën, ai hidhte vështrimin përpara.

Po, ai po shikonte përpara dhe tani kuptonte gjëra që më parë nuk i kuptonte.

Ose të paktën Fryma e shenjtë që po shkruante përmes tij, po vështronte përpara. Dhe ai po i paraprinte kohës kur Biri i Perëndisë së përjetshëm do të zbriste në tokë, duke marrë natyrën tonë dhe më pas për të dhuruar veten e tij në kryq, si Shpëtimtari ynë. Po, Perëndia na deshi aq shumë sa dërgoi Birin e tij, dhe Biri i Perëndisë ishte plot me dhembshuri sa që u kryqëzua për mëkatet tona, pra përmes dashurisë Ai na jep mundësinë të pendohemi, që të mund të falë mëkatet tona, të shërojë sëmundjen tonë, të shpengojë jetën tonë nga gropa, dhe të na kurorëzojë me dashuri dhe dhembshuri.

E di se kjo duket e paimagjinueshme, por është shumë e lehtë ta harrosh.

Ja përse një kujtesë e mirë, një rifreskim i kujtesës është një aleat shumë i mirë.

Ky është realiteti i famshëm që thekson: dhembshurinë  e Perëndisë. Realiteti i dytë, që theksohet është se sa të brishtë jemi ne si qenie njerëzore.

Ne përpiqemi t’i themi vetes se jemi të pathyeshëm. Sa më të rinj jemi aq më shumë e besojmë atë. Por gradualisht të gjitha këto përvoja të jetës na ndihmojnë të kuptojmë se jemi të brishtë.

Ndodhesha për një vizitë tek mjeku i familjes. Kisha kohë që po e prisja. Ai po merrej me diçka. Në këtë kohë të siguroj se mund të lexosh shumë revista në sallën e pritjes. Unë fillova të hedh një sy rrotull. Vura re se ai kishte varur një kornizë të vogël në mur. Titulli më tërhoqi vëmendjen.

“Një mësim për rëndësinë “. Shkova ta lexoja nga afër dhe me vëmendje. Nuk e prisja që të më ndikonte aq shumë. Nëse vërtetë dëshiron të dish se sa i rëndësishëm dhe i domosdoshëm je, shkruhej aty, merr një kovë me ujë, zhyte grushtin tënd për një minutë në ujë dhe më pas hiqe. Tani  shiko sa e madhe është vrima që ka lënë grushti në ujë.”

Nuk më pëlqeu fare kjo histori. Po përpiqesha fort të besoja se isha i rëndësishëm dhe i pathyeshëm. Por më duhej të mësoja se ishte e kundërta.

Davidi e kishte mësuar këtë gjë në kohën kur shkroi këtë Psalm. Ai kishte kaluar vite të gjata nëpër kodra si bari delesh.

Ai pa se fushat e lëna djerrë në dimër u kthyen në lëndina të gjelbëruara në pranverë dhe verë; por më pas po aq shpejt u thanë sërish. Ai vuri re se lulet mund të qëndronin drejt, duke u bërë ballë erës, por papritur filluan të rrëzohen. Dhe ato dele që dikur dukeshin aq të shëndetshme mund të bëheshin pre e grabitqarëve, ose mund të gjymtoheshin nga ndonjë sëmundje.

Prandaj ai shkruan;

Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.

Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;

në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.” (Psalmi 103:14-16)

Ndërsa në një psalm tjetër ai thotë, “… O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.

Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull.” (Psalmi 39:4,5)

Pra Davidi po i shkruante këto fjalë kur ishte i vetëdijshëm se sa i thyeshëm ishte ai.

Ai filloi të fliste me veten për këtë. Dhe koha kur ne ndihemi të thyeshëm, është koha kur është më e lehtë të kujtojmë dhe më e vështirë të harrojmë

Ja përse këto kohëra janë aleati ynë.

Pra kujtimi i gjërave e vuri në kontakt me realitete të famshme, si brishtësia e tij dhe dhembshuria e Perëndisë.

Ndoshta ti ndihesh shumë i thyeshëm, i brishtë dhe i cenueshëm. Ndoshta është koha e duhur për ty që ta shohësh më qartë se ndonjëherë më parë dhembshurinë e Perëndisë në Jezus Krishtin.

Tani hidhi një sy sërish fjalëve të Davidit. Dëshiroj të të tregoj se ku të çojnë këto fjalë.

Ato të çojnë drejt lavdërimit të Perëndisë, shumë më tepër se më përpara. Ai e fillon kështu psalmin. Shpirti im ti duhet ta bekosh Zotin, dhe unë e di se nuk do ta bësh këtë  nëse nuk kujton me të vërtetë mirësitë e tij, gjithë mirësinë e tij.

Kështu që ndalu, kujto dhe numëro… Atëherë do të kuptosh se sa i dhembshur ka qenë Perëndia me ty.

Dhe kur Davidi arrin në atë pikë, ka këtë dëshirë të madhe që adhurimi ynë për Perëndinë të rritet edhe më shumë.

Ndjej një farë mërzie në këtë pjesë të psalmit. Davidi i ngjan një pastori që dëshiron që bashkësia e tij të lavdërojë Perëndinë me më shumë zell se më parë.

Më duket si një person që dëshiron që kori të jetë më i madh se çka qenë ndonjëherë.

Dëgjo edhe një herë se si i mbyll ai vargjet e psalmit dhe si dëshiron që rrethi i tij të zgjerohet.

Kulmi i lavdërimit vazhdon të jetë në rritje. Ai fillon me” Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai.

Unë e marr këtë si një thirrje për engjëjt në qiell, që ti bashkohen me gjithë shpirt lavdërimit të Perëndisë.

Më pas kalon në hapin tjetër. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij”.

Tani Ai nuk po fton vetëm ushtrinë qiellore për ta lavdëruar, por edhe për gjithë shenjtorët që janë bashkuar me ta apo jo? Kujtoni se libri i Zbulesës po flet për një mori engjëjsh, dhe një ushtri të panumërueshme, që janë të krishterët e shpenguar. Ai dëshiron që të gjitha ata të lavdërojnë Perëndinë e hirshëm dhe të dhembshur.

Dhe edhe një herë Ai thotë: ” Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij”.

Ky është i gjithë kozmosi i krijuar. Të gjithë ne. Dhe i gjithë krijimi. Engjëjt, shenjtorët dhe gjithë krijimi.. do të lëvdojnë Zotin! Dhe përsëri ai thotë :“Shpirti im bekoje Zotin!”

E di se çfarë po bën ai? Ai po paraprin qiellin. Edhe unë mund ta ndjej se ai kishte mall për të qenë atje. A mund të ndodhë kjo? A e ke ndier ndonjëherë këtë? Ndonjëherë ne ndjejmë këtë nostalgji kur jemi të rrethuar nga problemet dhe vështirësitë. Atëherë ne kemi dëshirë të madhe për qiellin sikurse themi “më në fund do të heqim qafe telashet e kësaj bote”. Por arsyet e Davidit janë të tjera.

Ai është i mbushur me lëvdime për Perëndinë dhe për dhuratat e tij të mira në të gjitha ulje ngritjet e jetës, ndaj ai dëshiron të mbledhë turmën më të madhe dhe më të përzemërt, e cila do ti japë Perëndisë lëvdimin që i takon, dhe ai nuk mund të imagjinojë asnjë vend tjetër më të mirë se sa qielli për një grup si ky.

Në këtë anë të varrit ne mbajmë përbrenda shumë, por në qiell do të jemi në gjendje të heqim të gjitha pengesat. Më në fund do të jemi në gjendje të kënaqim plotësisht pasionin e shpirtit tonë për të lëvduar Perëndinë ashtu siç e meriton.

Pra nëse Davidi i psalmit 103 do të ishte i pranishëm sot, mendoj se do të merrte mënjanë secilin prej nesh dhe do të na paralajmëronte për prirjen e tmerrshme që kemi, pra që harrojmë të mirat dhe dhembshurinë e Perëndisë.

Sidomos në këto ditë të vështira, ai do të na thoshte “bëni kujdes”. Mos harroni. Gjeni pak kohë për të kaluar vetëm për vetëm, një vend ku mund të reflektoni për gjithë dhuratat e mira që Perëndia ju ka dhënë.

Numëro dhuratën e faljes, shërimit, të inkurajimit, të shpengimit të jetës sate, dhe të ripërtëritjes së forcës çdo ditë.

Numëro mëshirën e tij të përditshme, po kështu edhe dhuratën e jetës së përjetshme që vjen përmes Birit të tij Jezus Krishtit.

Dhe më pas lavdëro Perëndinë. Lavdëroje atë me gjithë zemër. Lavdëroje atë me lutje, lavdëroje me zërin tënd, lavdëroje atë duke jetuar në besnikëri. Dhe sigurohu se ke gjetur një kishë të mirë, që do të japë mundësinë të lavdërosh Perëndinë bashkë me ta.

Dhe mbaje shpresën të gjallë në zemrën tënde, për ditën kur do të mbërrish në qiell dhe do të jesh në gjendje të bashkohesh me engjëjt, shenjtorët dhe gjithë kozmosin për ta lavdëruar Atë, më në fund ashtu si e meriton Ai.