Unë jam

Print

Titulli: Unë jam (pjesa 1)

Po është vërtetë, në këto raste dëshirojmë dritë, por jo gjithmonë, në fakt ndonjëherë nuk na intereson drita fare. Për shembull, nëse na vjen turp për diçka apo duam të fshehim diçka jo të mirë, apo identitetin tonë të vërtetë,  ne i fshehim ato në errësirë.  Ne nuk dëshirojmë të kemi dritë. Dëgjoni këtë pjesë që kam shkëputur për ju:

53 Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët.

54  Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në oborrin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojtarët dhe ngrohej afër zjarrit.

55  Dhe kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.

56  Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.

57  Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan dëshmi të rreme kundër tij duke thënë:

58  “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: ‘Unë do ta prish këtë tempull të bërë me dorë, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër jo të bërë me dorë’”.

59  Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përputhej. (Marku 14:53-59)

Pyetja për ne sot është: nëse i hedhim një sy tekstit sipas ungjillit të Markut, kuptojmë se çfarë prirje ka njeriu ti fshehë gjërat në errësirë apo të qëndrojë në dritë?

Herën e fundit që dëgjuam për Pjetrin, mësuar se ai ishte në errësirë. Marku na tregon se ai së bashku me dishepujt e tjerë e kishin braktisur Zotin në kopshtin e Gjetsemanisë, dhe u zhdukën mes natës së errët. Por tani, ndërsa Marku hap një paragraf të ri në ungjillin e tij, gjejmë disa hapësira drite. Duket se Pjetri, nuk është larguar plotësisht. Në vend të saj ai ndjek Jezusin në “largësi.”

Është e vërtetë se Pjetri vetëm e ndjek Jezusin nga larg. Por Pjetri vazhdon që ta ndjekë. Në fakt, Pjetri e ndjek Jezusin gjatë gjithë rrugës deri tek oborri i pallatit ku autoritetet fetare do të marrin në pyetje Jezusin.

Pjetri madje shkon afrohet tek drita e zjarrit. Ndoshta Pjetri është gati të qëndrojë me guxim në dritën e Zotit të tij. Ndoshta ai dëshiron të dalë jashtë errësirës së arratisjes së tij prej kopshtit dhe të qëndrojë në dritën e zotërisë së tij. Por nëse ti ke dëgjuar historinë e plotë,  besoj se e di shumë mirë se nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, Pjetri nuk dëshiron aspak që njerëzit ta njohin se kush është ai.  Në fakt, siç do ta shohim më vonë në kapitullin tjetër, Pjetri nuk është as i gatshëm të pranojë se e njeh Jezusin.

Pjetri nuk dëshiron të shohë dritë. Ai qëndron i fshehur në errësirë.  Ai dëshiron ngrohtësinë e zjarrit por jo dritën.

Pjetri dëshiron të ngrohet, por dritën nuk e do ama.

Më bën shumë përshtypje, sepse shumë prej nesh sillen kështu në jetën tonë shpirtërore. Ne ndjekim Jezusin, por preferojmë ta bëjmë këtë në largësi.  Neve na pëlqen të kemi ngrohtësinë e miqësisë së Jezusit, Por nuk duam që drita e së vërtetës së tij të nxjerrë në pah thyerjen tonë.

A njeh njerëz, të cilët shkojnë në kishë vetëm për ngrohtësinë e miqësisë dhe për të ndier gëzimin e të qenit në gjendje tu tregojmë të tjerëve se janë besnikë.  Por kur drita ndriçon në thyerjen e tyre dhe kur u thuhet se janë mëkatarë që kanë nevojë të pendohen, ata nuk dëshirojnë të jenë më në atë dritë.

A njeh ndonjë person si ky që përshkrova unë ? Apo ti vetë je si njëri prej tyre që të pëlqen emri i krishterë dhe miqësia e krishterë, por nuk të pëlqen drita e vërtetë? A je në errësirë?

Pjetri nuk është i vetmi person në tekst që qëndron në ngrohtësinë e pranisë së Krishtit pa përqafuar dritën.

Teksti ynë na tërheq vëmendjen tek Sinedri. Sinedri ishte këshilli që drejtonte popullin jude gjatë kohës së mbretit Herod, dhe Perandorisë Romake.  Ky ishte një organizëm politiko- religjioz që përfshinte studiues Bible, teologë, dhe pleq të popullit të Perëndisë që mendohet se përfaqësojnë dritën e së vërtetës së Perëndisë, për gjithë Izraelin dhe për gjithë botën!

Detyra e Sinedrit ishte të interpretonte ligjin e Perëndisë dhe të gjykonte drejtësisht njerëzit që dilnin aty para. Sinedri interpreton shkrimet, për tu shpjeguar qartë njerëzve, dhe për të bërë dallimin mes dritës dhe errësirës.  Nëse ka pasur ndonjë grup që ka pasur liri për të hyrë në dritë ishte ky. Por këtë natë, ata nuk ishin të interesuar për dritën, aq më pak për Pjetrin. Ata ishin mbledhur si agjentë të errësirës.

Teksti ynë e bën shumë të qartë këtë errësirë që nga fillimi. Fundja fundit, ata takohen natën në errësirë. Kjo është e përshtatshme sepse dëshirojnë ta shohin Jezusin të vdekur. Prandaj ata kërkojnë prova kundër tij në mes të errësirës së natës.

Sinderi nuk ka për detyrë të gjejë prova kundër askujt. Detyra e tyre është të gjejnë të vërtetën. Por ky nuk është një gjyq i mirëfilltë në kërkim të dritës dhe së vërtetës.

E gjitha kjo është një shtirje. Ata fikin dritën e së vërtetës që të mund të arrijnë qëllimet e tyre.  Ata fikin dritën e së vërtetës duke sjellë dëshmitarë të rremë kundër Jezusit.

Nëse dikush dëshiron të jetojë në errësirë, ka shumë njerëz rrotull tij që mund ta ndihmojnë të nxjerrë jashtë përdorimit dritat. Pra nuk është e vështirë për Sinderin të gjejë njerëz që do të dëshmojnë duke thënë gënjeshtra për Jezusin. Problemi me dëshmitarët e rremë, është se ata gënjejnë dhe shpesh bien ndesh me fjalët e tyre.

Ne lexojmë në tekstin tonë se historitë e dëshmitarëve të rremë nuk përkonin.

Edhe atëherë, kur thoshin se Jezusi kishte thënë diçka në lidhje me shkatërrimin e tempullit, dhe rindërtimin e tij në tre ditë, dëshmia e tyre nuk përputhej me të tjerët.

A e sheh se çfarë ndodhi me të tjerët në tekst?  Sinedri, pleqësia e popullit të Perëndisë, mësuesit e librit të besëlidhjes së Perëndisë nuk ishin të interesuar për dritën apo të vërtetën.

Në vend të kësaj, ata po fshiheshin në mes të natës, në errësirë, sepse ishin një organizëm i thyer. Kur fjalët e Jezus Krishtit- Fjalës që u bë mish- Dritës së botës- nuk u shkojnë më për mbarë qëllimeve të tyre, ata në vend të dritës zgjedhin errësirën.  Kur Jezusi tha fjalë që nuk pajtoheshin me mendimet e tyre, ata fikën dritat.

Kur Jezusi foli fjalë kundër tempullit të Herodit dhe praktikave hipokrite në atë tempull, ata fikën dritat.

Kur ai u foli për hipokrizinë e drejtuesve fetarë dhe politikë të asaj kohe, ata sërish fikën dritat.

Dua të pyes edhe një herë,  ne sot a i fikim dritat para të vërtetave jo shumë të njohura të Jezusit?

Disa nga ju mund të kujtojnë shumë mirë ngjarjen që ndodhi para tre vjetësh, e cila bëri shumë bujë në media, kur dikush pohoi se kishte gjetur një “kuti me eshtra” në Jeruzalem e cila përmbante eshtrat e Jezusit dhe të anëtarëve të familjes së tij.

Shumë arkeologë të njohur, qoftë të krishterë dhe jo të krishterë, menjëherë deklaruan se emrat Jezus, Mari dhe Jozef ishin shumë të njohur në atë kohë, dhe po kështu se nuk kishte gjasa që këto eshtra t’i përkisnin Jezus Krishtit.

Gjithsesi, gjatë asaj kohe u zhvilluan shumë emisione televizive, e po kështu kryetitujt e gazetave thonin se tashmë ishin zbuluar eshtrat e Jezusit të vdekur.

Sigurisht që ne nuk duhet të habitemi kur media laike refuzon me guxim faktin se Jezusi është ringjallur.

Por aty kishte të paktën edhe disa përfaqësues të kishës të cilët ishin të gatshëm të fiknin dritat.

Kohë më parë në një reklamë të një programi që shqyrtonte të ashtuquajturat eshtra të Jezusit, dëgjova një person, i cili identifikohej si prift i krishterë, i cili thoshte:

“Në rast se kanë gjetur eshtrat e Jezusit në një varr, kjo nuk do të lëkundte aspak besimin tim.  Besimi im, nuk mbështetet në ringjalljen fizike të Jezusit,” tha ai. “Unë pres që eshtrat e Jezusit të jenë varrosur diku.” Si mund të thotë këto fjalë një prift i krishterë?!

Nëse e njohim mjaftueshëm gjendjen e kishës së krishterë, në botën perëndimore, besoj se nuk tronditemi nga këto komente. Në shumë prej kishave në perëndim dhe mes shumë drejtuesve, pleqve, pastorëve, dhjakëve, apo profesorëve atje është fikur drita e së vërtetës.

Pavarësisht dritës që sjell e vërteta e Palit tek 1 Korintasve 15:14 ku ai thotë: “Por nëse Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe, i kotë është edhe besimi juaj,” ka ende njerëz në kishë që refuzojnë doktrinën bazë të besimit tonë.  Kur Jezusi thotë: “Unë jam rruga e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon te Ati veçse nëpërmjet meje,” ne mundohemi të gjejmë një mënyrë tjetër, apo pohojmë se janë të shumta rrugët efikase që të çojnë te Perëndia.

Me pak fjalë, ne e shkëpusim dritën e asaj të vërtete që nuk na pëlqen apo që nuk duket e mirë për veshët tanë. Por edhe ne sot njohim errësirën e formuar nga refuzimi i dritës, ashtu si Sinedri në atë kohë.

Më në fund i erdhi radha kryepriftit në pjesën tonë. Ai ulet në vendin më të lartë të autoritetit dhe të dritës, që përfaqëson popullin hebre. Ai është ngritur në atë pozitë, sepse qëndron në linjën e duhur të priftërisë. Ai qëndron aty për të vërtetën. Po është e vërtetë se ky pozicion ishte bërë jashtëzakonisht politik në atë kohë, por ai është sërish, përfaqësuesi njerëzor më i lartë, i Perëndisë së plotfuqishëm, Perëndisë së dritës. Por çfarë ndodh më pas, Çfarë e pyet Kryeprifti, Jezusin?

Si rrjedhin ngjarjet dhe detaje te hollësishme, do ti ndjekim ne herën e ardhshme, ne po te njëjtën ore, këtu ne programin Fjalët e Shpresës!