Unë kam shpëtuar

Print

Titulli: Unë kam shpëtuar (pjesa 1)

Shumë njerëz mendojnë se Psalmet janë për lavdërimin. Disa i quajnë Psalmet libër lavdërimi. Dhe është e vërtetë që shumë prej tyre janë psalme lavdërimi. Por jo të gjithë. Pothuajse jo të gjithë! Mes tyre do të gjesh dëshmi falenderimi për dhuratat e jetës. Aty do të gjesh rrëfimin e mëkateve; mësime si të jetosh me urtësi; shumë thirrje të dhimbshme që vijnë nga jetë të cilat duket se po rrënohen. Po kështu do të dëgjosh disa thirrje të thella ankimi, prej njerëzve që jeta iu duket shumë e padrejtë apo që ndonjëherë Perëndia iu duket larg.

Këto psalme janë mahnitëse sepse janë të vërteta. Ato prekin të gjitha përvojat, emocionet dhe ulje ngritjet e pashmangshme që ka jeta. Ata mbulojnë të gjitha përvojat e jetës. Nuk ka asnjë përvojë jetësore që nuk reflektohet disi në Psalmet.

Unë mendoj se Psalmet janë një reflektim i shpirtit të jetës.

Fakti që ekziston një libër si psalmet në Bibël, fakti që Fryma e Shenjtë e Perëndisë, e pa të arsyeshme t’i drejtonte njerëzit që të shkruanin këtë libër, tregon se Perëndia më kupton mua. Në të vërtetë ai e kupton jetën time.

Po libri i Psalmeve është  edhe një libër shumë praktik sepse përfshin gjithçka të jetës.

Dhe kjo më ndihmon të ndiej një pjesë të trupit të Krishtit kudo në botë dhe nëpër shekuj, teksa këndoj dhe lutem për ato gjëra që qindra dhe miliona besimtarë kanë kënduar dhe janë lutur  përpara meje.

Prandaj në programet në vijim, do të doja të ndalemi bashkë tek disa psalme.

Kam përzgjedhur pesë psalme me shumë kujdes, për të reflektuar emocione dhe përvoja të ndryshme në jetën e krishterë.

Dhe unë dëshiroj të filloj sot me psalmin 34. Ky është një prej shumë psalmeve që shkroi mbreti David. Ai shkroi shumë psalme, megjithëse jo të gjithë. Psalmet kanë shumë autorë të tjerë.

E dini, është shumë e rëndësishme që të njiheni me historinë e jetës personale të Davidit, që fshihet pas këtij psalmi. Kjo është shumë e rëndësishme sepse, nëse do të kaloje shqetësime në jetë, si mendon kush do të ishte në gjendje të të inkurajonte më mirë: një person që nuk ka pasur asnjëherë telashe, apo dikush që ka kaluar vetë nëpër to dhe është rritur përmes tyre?!

Kush mund të kuptojë më mirë ,nëse ke humbur punën tënde dhe ndien ankth të thellë, se sa dikush që e ka kaluar vetë këtë përvojë?

Dikush që është operuar vetë më parë, mund të inkurajojë ty nëse përballesh me një operacion të ngjashëm. Ose nëse përballesh me kancerin, për shembull, do të shohësh se krijohet një lidhje e ngushtë me pacientët e tjerë.

Ata e kuptojnë shumë mirë njëri tjetrin. Pra ka një parim në jetë: njerëzit që kanë kaluar kohë të vështira, janë më të aftë të ndihmojnë ata që kalojnë kohë të vështira.

Kjo është arsyeja përse ky psalm është kaq i veçantë. Psalmisti vetë është një person që ka vuajtur dhe tani është në gjendje të inkurajojë të tjerët. Në këtë psalm gjen personin që i thirri Perëndisë dhe u çlirua, prandaj ai është në gjendje tëna inkurajojë ne të tjerët që i thërrasim sot Perëndisë.

Kështu pra, është shkruar Bibla. Si një libër shumë personal. Ai ka shumë biografi dhe histori personale brenda; kështu që kur e hapim Biblën jemi në gjendje të hyjmë direkt e në temë.

Ne të gjithë vijmë para Perëndisë me historitë tona. Çdo jetë është një histori. Unë kam timen, ti ke tënden, histori nga më të ndryshmet.

Historitë tona kanë rritje dhe gëzime, dhimbje dhe shqetësime, forcë dhe dobësi që jetojnë brenda qenies sonë.

Ne të gjithë i kemi ato. Po kështu edhe Davidi. Këtu ai po na fton të dëgjojmë historinë e tij.

Nëntitulli i këtij psalmi na tregon se cila pjesë e historisë së Davidit theksohet këtu. Thuhet kështu :”ai u shtir sikur ishte i çmendur paa Abimelekut, i cili e përzuri dhe ai u largua.” Kjo është historia. Me lejoni tua tregoj shkurt. Ajo gjendet tek 1 Samueli 21.

Davidi ishte vajosur prej Samuelit për të qenë mbret i Izraelit, por ai nuk ishte në fron sepse Sauli ishte ende mbreti në fuqi.

Sauli ishte bërë shumë xheloz për Davidin sepse Davidi kishte arritur një fitore mbresëlënëse me ushtrinë e tij. ç’është e vërteta, njerëzit po këndonin, ” Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij.”

Prandaj Sauli, në xhelozinë e tij, dhe në ligësinë e zemrës, vendos që të vrasë Davidin. Dhe ndaj lind nevoja që Davidi të arratiset, nga frika se mos e vrasin.

Ai jeton në shpella, fshihet prej armiqve, dhe është vazhdimisht në lëvizje, nga një zonë në tjetrën.

Në një moment të caktuar ai shkon në një qytet me emrin Gath, i cili i përkiste armiqve të tyre, Filistenjve. Me sa duket ai mendoi se mund të jetonte atje pa u zbuluar. Për pak kohë shkoi mirë, por më pas disa të rinj e njohën dhe shkuan i raportuan Akishit, mbretit të atjeshëm, se Davidi ishte në qytet.

Kështu që Davidi u thirr në prani të mbretit Akish. Për Davidin duhet të ketë qenë shumë e frikshme, sepse mbreti Akish mund ta tradhtonte shumë lehtë atë, ose mund ta shihte tek Sauli në këmbim të paqes me njëri tjetrin.

Kjo ishte një situatë vërtetë e rrezikshme. Por gjeje se çfarë bëri Davidi! Ai bën sikur është i çmendur. Ja se si e përshkruan 1 Samueli 21 këtë situatë: ” Kështu ndërroi mënyrën e sjelljes së tij para tyre dhe e hiqte veten si të marrë në duart e tyre; bënte shkarravina mbi kanatet e dyerve dhe lëshonte jargë mbi mjekrën e tij.” (1 Samueli 21:13) por mbreti Akish nuk e pëlqeu aspak këtë dhe tha, ” Ja, e shikoni, ky është i marrë; pse ma keni sjellë?”

Kështu që e la të lirë Davidin. Davidi ia mbathi dhe u kthye në kodra dhe në shpella për tu fshehur nga mbreti i keq Saul.

Ai kishte shpëtuar për fije.

Ky psalm lidhet me një ngjarje në jetën e Davidit. Por, a e dini se ai nuk e shkroi këtë psalm teksa qëndronte fshehur në Gath, dhe nuk i shkroi atë teksa po shtirej si një njeri i çmendur, dhe jam i sigurt se ai as nuk e shkroi atë menjëherë pasi u kthye në shpellë për tu fshehur. Unë mendoj se kaloi pak kohë para se ta shkruante.

Ky është një prej atyre psalmeve që është shkruar kohë më pas, në retrospektivë, atëherë kur kishte mjaftueshëm kohë, për të reflektuar për të gjithë këtë përvojë.

Ky është një psalm i shkruar përmes pasqyrës të së kaluarës. Dhe mesazhi i tij këtu është se: “Unë kam shpëtuar!…Po kam shpëtuar me të vërtetë! Unë jam një person i shpëtuar!” Më lejo të të tregoj se ky psalm ka tre pjesë, të cilat do t’i studiojmë bashkë, për të parë se çfarë mund të mësojmë nga Davidi.

Ai e fillon, Psalmin me tre vargje lavdërimi për Perëndinë. ” Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time…Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.”

Më pas ka një thyerje në Psalm që e ndryshon pamjen e tij. Duket sikur ai ndalet dhe thotë: “Tani, më lejoni t’ju tregoj se përse ndihem kështu, përse jam kaq i etur të lëvdoj Perëndinë, por edhe që ju të bashkoheni me mua në lavdërim.”

Dhe kështu ai shikon pas në retrospektivë, tek ajo përvojë. Koha ka kaluar tashmë; ai ka reflektuar me kujdes për gjithçka. Dhe kështu ai tregon historinë e vet duke përshkruar atë që ndodh brenda tij.

Nëse dëshiron ta njohësh historinë nga jashtë, atëherë duhet ti drejtohesh maskimit të tij, kërcënimit të Saulit, teksa u dërgua para mbretit. Kjo është gjithçka nga jashtë. Por nëse dëshiron të dish historinë nga brenda, është kjo.

Ai thotë: i kërkova Zotit ndihmë; i thirra atij në frikën time, i thirra Zoti në shqetësimin tim. Pikërisht këtë bëra. Dhe më pas ai tregon historinë se si Perëndia e shpëtoi. ” Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.”

Pra kjo është pjesa e dytë e psalmit. Dhe më pas në pjesën e tretë, ai kthehet drejt nesh që e lexojmë këtë psalm, në mes të përvojave të jetës sonë dhe thotë:” Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai!” Ai kthehet drejt familjes dhe miqve të tij, drejt atyre që do të adhurojnë bashkë më të në Jeruzalem, por edhe drejt nesh që, na duket jeta e vështirë dhe na jep një inkurajim.

Ju e dini se fjalët e Davidit, mund t’i flasin çdo përvoje apo lajmi që marrim.

  • Një ditë fola me një mikun tim, nusja e djalit të tij, ishte diagnostikuar me kancer të avancuar.
  • Fola me një baba që ishte shumë i shqetësuar për mirëqenien e djalit të tij.
  • Pata një bisedë me një mikeshën tim që humbi punën krejt papritur, dhe nuk dinte ku të përplasej.
  • Fola me një vejushë të re, burri i së cilës vdiq para kohe për shkak të një ataku zemre.
  • Fola me një mikun tim të cilit i ishte vonuar pensioni prej disa muaj për shkak të krizës ekonomike.
  • Fola me një mik tjetër, i cili mori vesh se një i njohuri i tyre, mëngjesin e kaluar kishte mbetur i vrarë në një aksident me makinë.

Fjalët e Davidit kanë shumë kuptim në të gjitha këto situata që përmenda më lart. Po historia jote si është? A ka historia jote shqetësime dhe frikë? Nëse po, atëherë ky psalm vlen edhe për ty, miku im. Si mendon çfarë dëshiron të na thotë Davidi përmes kësaj historie? Për ta zbuluar këtë, bashkohu me ne në programin e radhës ku do të ndalemi më gjatë tek inkurajimi në kohë frike dhe vështirësie. Mos e humbisni programin tonë  Fjalët e Shpresës.

Zoti të bekoftë ty miku im dhe gjithë familjen tënde dhe të dashurit e tu.