Vëllai që ti shikon

Print

Titulli: Vëllai që ti shikon (pjesa 2)

Planifikuesi i padukshëm

Por kjo na kthen tek problemi, atje ku filluam. A nuk është më e lehtë, të duash një perëndi të përsosur, se sa të duash njerëz e papërsosur? Jo medoemos. Perëndia meriton dashuri më shumë se çdokush tjetër, por ne nuk mund ta kuptojmë këtë. Ne nuk mund ta prekim atë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndihmuar atë, sepse ai nuk ka nevojë për ne. Shumë prej nesh nuk e dinë se si është Perëndia në të vërtetë, dhe ne mund të mendojmë se e duam atë, kur në të vërtetë ne duam versionin e Perëndisë që imagjinojmë ne.

Në fakt, disa prej gjërave që e bëjnë Perëndinë më të denjë për dashurinë tonë, janë disa gjëra që ne i pëlqejmë më pak. Si mëkatarë ne priremi të mos pëlqejmë asnjë që është më i shenjtë se ne. Ne priremi të mos pëlqejmë asnjë që është më i zgjuar, më i fortë, dhe më i aftë se ç’jemi ne. Disa prej njerëzve që nuk i pëlqejmë më shumë, janë ata që ne i kemi më shumë zili. Por Perëndia është Ai, të cilin e kemi më shumë zili ndër të gjithë, edhe pse nuk e pranojmë këtë.

Ne do donim të ishim Perëndi. Do të donim të kishim fuqinë e Perëndisë për të bërë gjithçka që duam ne. Do donim  të kishim autoritetin e Perëndisë për të vendosur  ç’është e mirë dhe ç’është e gabuar. Ah sa duam ne, që të kemi lirinë e Perëndisë për të drejtuar universin sipas planeve tona. Thellë brenda nesh dëshirojmë të jemi Perëndi. Ne nuk e durojmë faktin që Perëndia është Perëndi dhe ne nuk jemi. Kjo ndjenjë ndaj Perëndisë së padukshëm, shfaqet në fyerjen që i bëjmë njerëzve që Zoti vendos në jetën tonë.

Është e lehtë të mendosh që dashuria për Perëndinë do të thotë të ndihesh mirë ndaj tij, të thuash disa fjalë të devotshme, dhe mbase të këndosh herë këtu e herë atje këngë fetare. Por një prej mënyrave kryesore për të treguar dashurinë e vërtetë, për Perëndinë që nuk e sheh, është të duash njerëzit që i sheh. Ti mund të thuash, “Unë e dua Perëndinë. Unë mendoj që Ai është i mrekullueshëm. Por ti duhet t’i shohësh me çfarë njerëzish të tmerrshëm kam të bëj në familje dhe gjetkë. Ti mund të thuash: Shiko, Perëndinë mund ta dua, por këta njerëz as që bëhet fjalë.”

Kjo është një pyetje e lehtë: Kush të vendosi ty në atë familje të veçantë? Kush të solli në atë lagje, me ata njerëz acarues në fund të rrugës? Kush ta siguroi punën që ke, me ata njerëz që të ngrenë nervat? Kush pret që ti të duash ata njerëz, që në të kundërt nuk do t’i kishe takuar kurrë? E kush tjetër veç Perëndisë!

Perëndia është Ai që planifikon jetën tënde. Nëse e urren planifikimin, atëherë po urren Planifikuesin. Nëse urren njerëzit që Ai ka vendosur në rrugën tënde, ti urren Zotin që i ka vendosur ata në shtegun tënd. Sipas Biblës, Perëndia është Ai që planifikon jetën dhe marrëdhëniet e tua. Ai cakton çdo gjë sipas stinës në jetën tënde, dhe vendos pozicionin ekzakt, me qëllim që të zgjatesh drejt Tij dhe ta gjesh Atë. (Veprat 17:26-27) Perëndia i formon të gjitha gjërat, përfshi këtu çdo detaj të jetës tënde dhe çdo marrëdhënie, që të gjitha këto të jenë në përputhje me qëllimin dhe planin e Tij. (Efesianëve 1:11) Pra nëse urren faktin se si po të ndodhin gjërat në jetë dhe, nëse urren njerëzit në jetën tënde, në të vërtetë ti po urren Perëndinë. Mos e gënje veten. Nëse ti nuk i do ata që ti sheh, ti nuk mund të duash planifikuesin, i Cili i bëri këta njerëz të jenë pjesë e jetës tënde.

Të duash ikonën e Perëndisë

Një tjetër arsye përse ti nuk mund të duash Perëndinë pa dashur njerëzit përreth teje, është se çdo person shërben si një ikone e Perëndisë ndaj të tjerëve. Bibla thotë se Perëndia e krijoi njeriun sipas imazhit dhe ngjashmërisë së tij. Një tjetër fjalë për imazhin është fjala ikonë. Shkrimi thotë se është qesharake të lëvdosh Perëndinë me gojën tënde dhe më pas të njëjtën gojë ta përdorësh për të mallkuar njerëzit të cilët janë bërë sipas imazhit të Tij, ata janë ikonat e tij. (Jakobi 3:9-10) Meqenëse Perëndia është i padukshëm, një mënyrë për të treguar dashuri për të është të duash ikonat e tij.

Disa fe njihen për statujat, pikturat, imazhet dhe ikonat. Por Perëndia nuk ka lejuar asnjëherë që populli i tij të bëjë idhuj apo të imazhe të gdhendur për të përfaqësuar Perëndinë apo për të qenë objekte të përkushtimit. Një arsye për këtë është se Perëndia i padukshëm dhe i pafund, refuzon ti caktohen kufij, të keqprezantohet apo të kontrollohet prej përdorimit të imazheve.

Nj arsye tjetër është që Perëndia ka bërë tashmë ikona ndaj të cilave mund të shfaqim dashurinë dhe përkushtimin tonë për Perëndinë. Njerëzit e tjerë janë ikona e Perëndisë për ne, dhe ne duhet t’i shërbejmë atij duke i shërbyer atyre. Perëndia nuk do që të puthim portrete të Jezusit apo të përulemi para statujave që kemi bërë ne. Perëndia nuk dëshiron që t’i duam ikonat apo tu shërbejmë atyre. Ai dëshiron që të duam dhe tu shërbejmë njerëzve, që janë ikona e tij, atyre që Ai ka krijuar. Sigurisht ata njerëz në të vërtetë nuk janë perëndi, e aq më shumë unë, por unë duhet ta shoh çdonjërën prej ikonave të Perëndisë dhe t’i trajtoj ata siç do ta trajtoja Zotin vetë, nëse Ai do të ishte në një situatë të veçantë. Fjalët e urta 19:17 thotë ” Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë. Jezusi thotë se në fund të botës, Ai do tu thotë atyre që janë të shpëtuar, se ushqimin, strehën, miqësinë dhe mikpritjen që treguan ndaj të tjerëve ia treguan atij. Ata do të pyesin: ” Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë?” Jezusi do të thotë: ” sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” (Mateu 25:40) Jezusi do t’i tregojë këtyre personave të neveritshëm që refuzuan ta ndihmonin atë kur ia kishte nevojë për këtë.

Ata do të thonë: ” Zot, kur të pamë të uritur ose të etur… dhe nuk të shërbyem?” Jezusi do të thotë: ” sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua.” (Mateu 25:45) Jezusi e merr personalisht mënyrën se si ne i trajtojmë të tjerët. Marrëdhënia jote me Zotin duket tek mënyra se si i trajton të tjerët, sepse çdo njeri është imazhi i Perëndisë, krijuar sipas imazhit të Tij.

Nëse e ke vështirë t’i duash disa njerëz, ndoshta kjo ndodh për shkak  të përplasjeve të personalitetit të tyre me tëndin, edhe sepse qëllimi i tyre ndërhyn në rrugën tënde. Por nëse nuk mund të duash dikë që e shikon, për shkak të ndryshimeve mes teje dhe tij, si mund të duash Perëndinë që nuk e sheh, i Cili është shumë herë më ndryshe? Ti i ngjan më shumë mëkatarëve të tjerë se sa Perëndisë. Pjesë e trajnimit bazë, për të dashur Perëndinë, i Cili është absolutisht ndryshe nga ti, është të duash njerëzit të cilët ndryshojnë shumë pak nga ty.

Një ikonë është një lidhje fizike me diçka shpirtërore. Qëndrimet shpirtërore shfaqen në veprimet fizike. Një tjetër person është një ikonë e Perëndisë dhe, veprimet e dashurisë në gjëra materiale janë ikona, apo shenja të dukshme të dashurisë tënde për Perëndinë. Bibla thotë:

“Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.

Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?

Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.” (1 Gjoni 3:16-18)

Nëse ti e do Zotin dhe je drejtuar për në qiell, kjo shfaqet në një ndihmë fizike për vëllanë që ti shikon. Nëse e refuzon Perëndinë dhe je drejtuar për në ferr, kjo duket në shpërfilljen që i bën nevojave fizike të një ikone të Perëndisë, vëllanë që ti e shikon.

Por çfarë marke është dashuria e Perëndisë? A nuk të deshi Ai ty, kur ti ende nuk kishe lindur?