Zona e besimit
Gjëja e parë është: të kesh besimin që të lidh ty me Perëndinë dhe praninë e Tij në jetën tënde. Zona e bekimit është zona e besimit. Nëse Perëndia është në jetën tënde, shëndeti, financat dhe marrëdhëniet me familjen dhe fqinjët shpesh lulëzojnë si rezultat i kësaj.
Në kohën e Dhiatës së Vjetër, arka e besëlidhjes ishte një shenjë e pranisë dhe fuqisë së Perëndisë dhe, kjo mund të sillte bekime të jashtëzakonshme të besimit.
Në një rast, populli i Izraelit po shkonte për të çuar arkën në kryeqytetin e tyre, por ata mëkatuan dhe një njeri me emrin Uzzah mbeti i vdekur si rezultat i kësaj. Në atë pikë, ata vendosën që arka ishte një fat i keq apo tepër i rrezikshëm, kështu që edhe ata e vendosën atë në shtëpinë e një njeriu me emrin Obed Edom. ” Arka e Perëndisë mbeti tre muaj pranë familjes së Obed-Edomit në shtëpinë e saj; dhe Zoti bekoi shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithçka që ishte pronë e tij.” (1 Kronikave 13:14) Kur Izraelitët panë se kjo shtëpi ishte bekuar me të vërtetë, ata vendosën që ta kthenin arkën në kryeqytet, në Jeruzalem, dhe kësaj here ta bënin siç duhej. Kjo shënoi fillimin e një epoke të artë për Izraelin nën mbretin David dhe Mbretin Salomon. Me Perëndinë në mendjen e tyre dhe, me besimin që shkëlqente, kombi dhe populli i tij lulëzoi më shumë se çdo herë tjetër në historinë e tyre. Këtë mund të bëjë prania e Perëndisë për një individ, një familje apo një komb.
Larg Perëndisë dhe pranisë së Tij në jetën tënde, ti je jashtë zonës së bekimit. Rezultati mund të jetë: rënie në shëndetin fizik, humbje e mirëqenies emocionale dhe mendore dhe, dështim në punë e financa. Megjithatë mund të themi se, Zoti mund të dërgojë disa gjëra të mira në rrugën tënde për njëfarë kohe: fëmijë të mrekullueshëm, ndjenja të mira, fitime financiare, por dhuratat e tij hidhërohen në gojën tënde ndërsa vazhdon ti shijosh ato larg Dhuruesit. A e dini se shkalla e vetëvrasjes është më e lartë mes njerëzve shumë të pasur. Pasuria pa Perëndinë shpesh sjell mjerim. Prandaj pavarësisht nëse Perëndia i mban dhuntitë e tij apo dërgon gjëra të mira, që kthehen në mallkime, po të mos kesh besim përfundon në zonën e mjerimit. Kur zona e mjerimit bëhet përfundimtare dhe e vazhdueshme, kthehet në një ferr.
Megjithatë, nëse e vendos besimin te Perëndia dhe i beson Jezusit si Shpëtimtarit Tënd, ti hyn në zonën e bekimit. Bibla thotë ” I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin.” (Efesianëve 1:3) Bekimet fizike, financiare dhe marrëdhëniet me njerëzit shpesh janë po aq të mira, por bekimi kryesor është bekimi shpirtëror, një marrëdhënie me Zotin dhe prania e Frymës së Tij në zemrën dhe jetën tënde.
Prindërit dhe gjyshërit e mi ishin njerëz me besim të madh, kështu që unë u rrita i rrethuar prej shumë bekimeve shpirtërore. Unë nuk kisha pse të kërkoja lart e poshtë për Perëndinë. Unë e shihja atë përditë në dashurinë e prindërve të mi dhe në leximin e Biblës apo në kohën e lutjes çdo vakt. Unë e takoja Perëndinë çdo javë teksa adhuronim në kishë së bashku me besimtarët e tjerë. Po ashtu kam mësuar vazhdimisht për të në një shkollim të krishterë. Unë u rrita në zonën e besimit, dhe ajo zonë është e imja personalisht. Unë e shikoj Jezusin si Shpëtimtarin tim, dhe tani gruaja ime dhe unë e bëjmë shtëpinë tonë një zonë besimi dhe bekimi për fëmijët tanë. Në ditën e Nënës, shumë prej nesh mund ta falënderojnë Perëndinë për nënat dhe baballarët e mbushur me besim, të cilët kanë jetuar nën bekimin e Perëndisë dhe na i kanë kaluar edhe neve besimin.
Por të tjerë janë rritur pa një ide të mirëfilltë të Perëndisë dhe të bekimeve të tij në jetën e tyre. Kështu mund të jetë rasti yt. Prindërit e tu nuk ishin njerëz të besimit dhe nuk të rritën sipas besëlidhjes së Perëndisë. Por kjo nuk do të thotë se ti ke ngelur jashtë zonës së bekimit përgjithmonë. Familja nuk përcakton destinacionin tënd. Bibla i flet njerëzve që janë rritur pa Perëndisë dhe ju thotë, ” duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë.” (1 Pjetri 1:18-19) Nuk ka rëndësi se sa prej paraardhësve të tu ishin në zonën e mjerimit pa Perëndinë, ti tani mund të jetosh në zonën e bekimit. Nuk ka rëndësi se sa gjatë ke jetuar në zonën e mjerimit, nuk ka rëndësi se sa gabime ke bërë, nuk ka rëndësi gjërat që ngrihen kundër teje, ti mund të jetosh në zonën e bekimit. Jezusi thotë se kushdo që beson në të dhe në Perëndinë Atë, ” ka kaluar nga vdekja në jetë.” (Gjoni 5:24) Fryma e Shenjtë vjen në jetën tënde dhe ti kalon nga zona e mjerimit në zonën e bekimit.
Zona e faljes
Zona e bekimit është zonë besimi; po ashtu zonë faljeje. Është atje ku e kaluara nuk duhet të përcaktojë të ardhmen tënde, është vendi nga ku ti mund t’ia fillosh nga e para. Shumë gra të reja nuk janë krenare për të kaluarën e tyre dhe, ato nuk mendojnë se mund të jenë nëna apo gra të mira. Disa janë kaq të burgosura prej ndjenjës së tyre të fajit dhe pavlefshmërisë sa që nuk mendojnë se mund të martohen me një burrë të shkëlqyer apo të rrisin fëmijë të mbarë. Ato mendojnë se meritojnë të ndërrojnë burrat dështakë njëri pas tjetrit. Ato i zgjedhin burrat sikur të ishin duke kërkuar për probleme. Duket sikur po mundohen të ndëshkojnë veten.
Por për shkak të Jezusit ti nuk ke përse të jetosh në atë mënyrë. Ti nuk ke pse të paguash çmimin për mëkatet e tua. Jezusi pagoi atë çmim me gjakun e tij. Ai dëshiron të jetojë në bekimin e faljes, jo në mizorinë e fajit të vazhdueshëm dhe zgjedhjeve vetë ndëshkuese. Bibla thotë ” Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin! Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi. ” (Psalmi 32:1-2) Falja është bekimi që bën të mundur shijimin e bekimeve të tjera.
Një nënë ishte përtokë emocionalisht dhe më tha se donte të fliste me mua. Ajo ndihej e shkatërruar. Ajo ishte e depresionuar dhe disa herë kishte menduar t’i jepte fund jetës. Problem i saj më i madh nuk ishte jeta aktuale. Shtëpia e saj ishte e mrekullueshme, puna e saj ishte shumë e mirë, bashkëshorti nuk po e linte dhe, fëmijët ishin mirë. Por ajo nuk mund të jetonte me të kaluarën e saj. Ajo kishte bërë gjëra që nuk ia kishte thënë asnjëherë askujt, gjëra që unë nuk mund t’i përmend këtu, për arsye konfidencialiteti dhe se nuk do të ishte mirë të përshkruaja ato në një transmetim publik. Teksa ajo rrëfente ngjarjet e tmerrshme njëra pas tjetrës, lotët filluan të më rrëshqisnin mbi faqe, si për atë ashtu edhe për ata ndaj të cilëve ajo kishte mëkatuar.
Pas çdo mëkati të përshkruar, pavarësisht se sa i tmerrshëm ishte, i thosha: “Gjaku i Jezusit e pastron këtë mëkat.” Pastaj ajo më tregonte mëkatin tjetër, dhe unë sërish i thosha: “Gjaku i Jezusit pastron këtë mëkat.” Sërish, sërish, dhe sërish unë shpalla faljen e Jezusit mbi shpirtin e saj fajtor. Ajo kohë rrëfimi dhe faljeje nuk ishte një ndreqje e menjëhershme për tërë betejat e saj të brendshme, por ishte pika e kthimit. Ajo filloi të shërohej përbrenda dhe shumë përpara se të fillonte të lulëzonte pozitivisht dhe të shijonte bekimet e Perëndisë. Çfarë bekimi të jesh falur, pastruar dhe pranuar prej Perëndisë!