Zotëria me emrin Ndoshta është pa paragjykime. Sill para tij çfarëdo lloj çështjeje dhe pyete se çfarë mendon për diçka, nëse është e mirë ose jo dhe ai do të përgjigjet: “Ndoshta është mirë… ndoshta keq.”
Zotëria me emrin Ndoshta është i drejtë. Ai shikon të dyja anët e një çështjeje. Ai asnjëherë nuk thotë se njëra palë e ka mirë apo tjetra gabim. Ai u jep të dyja palëve të drejtë.
Zotëria me emrin Ndoshta është tolerant. Ai nuk është shumë entuziast për bindjet e tij dhe nuk sulmon bindjet e të tjerëve. Nëse ka një mosmarrëveshje apo një zënkë, këshilla e tij është: “Jeto dhe leri të tjerët të jetojnë.”
Zotëria me emrin Ndoshta është i kujdesshëm. Ai nuk pranon të shqetësohet apo përkushtohet në diçka. Qëndrimi i tij është: “Mendohu mirë para se t’i hysh diçkaje, se kush nxiton gabon. Mos bëj gabime trashanike. Me të parë me të bërë.”
Zotëria me emrin Ndoshta është realist. Ai ka parë mjaftueshëm sa për të mos u kapur në gjërat që njerëzit e tjerë emocionohen shumë kur i bëjnë. Zotëria me emrin Ndoshta, nuk hip në një veture që është duke ecur me shpejtësi, as nuk e ndalon atë. Ai thjesht rri larg dhe e lë atë të vazhdojë rrugën e vet.
Ai ka parë aq shumë vetura që ecin me shpejtësi dhe e di se pothuajse çdo njëra prej tyre përfundon e përplasur. Edhe pse të tundon ideja që të hipësh, pse ta duhet ta bësh, mund të përplasjesh, a e di këtë? Nga ana tjetër, nëse mendon se është diçka e gabuar, pse të marrësh mundimin për ta ndaluar atë? Nëse vetura përplaset rrugës, pse të harxhosh energji duke u munduar ta ndalosh atë?
Kur gjërat janë kështu, mund të duket sikur zotëria me emrin Ndoshta e ka ndarë mendjen se çështja në fjalë është e destinuar të dështojë. Por sigurisht që ai është tepër tolerant, për ta bërë këtë. Ai duhet të mendojë që ekziston mundësia që ndonjëri prej këtyre mjeteve të ketë një rezultat të mirë dhe të mos jetë thjesht një modë kalimtare. Pra ai i kthehet vazhdimisht përgjigjes së tij të preferuar: ndoshta po… ose ndoshta jo. Ai nuk e di me siguri dhe nuk ka nevojë ta dijë. Nëse është keq, do ta shkatërrojë veten. Dhe nëse është diçka e mirë, atëherë zotëria me emrin Ndoshta mund të thotë se nuk ka parë asnjëherë diçka të mirë.
Si mendon, a nuk do t’i duheshin botës më shumë njerëz si ky: mendje hapur, të drejtë, tolerantë, të kujdesshëm, realistë. A nuk duhet të jemi të gjithë kështu? Ne kemi pasur kaq shumë konflikte gjaku, në të cilat të dyja palët ishin të sigurta se kishin të drejtë dhe se armiqtë e tyre e kishin gabim; kaq shumë zënka politike që ishin të kufizuara dhe të këqija në shpirt; kaq shumë beteja të shëmtuara religjioze, ku çdokush pohon se ka një vend në të vërtetën.
Nëse çdo person në botë do të bëhej si zotëria me ermin Ndoshta, apo zonja me emrin Ndoshta, a nuk do të ishte fantastike kjo?
Ndoshta po… ndoshta jo!
Nëse do të ishe gati të thoshe: “Po!”, nëse do të ishe gati të thoshe që ne gjithë duhet të jemi si zotëria me emrin Ndoshta dhe, e ke provuar, ke parë se sa e vështirë është të jesh si zotëria me emrin Ndoshta në mënyrë të vazhdueshme. Ka gjithmonë një ndoshta kur ti je zotëria me emrin Ndoshta. Edhe atëherë kur vjen puna te pyetja, a ia vlen të jesh zotëria me emrin Ndoshta apo jo!
Por mjaft folëm për këtë. Mjaft folëm për zotërinë me emrin Ndoshta në mënyrë abstrakte. Le ta shohim në veprim zotërinë. Le ta shohim atë duke shfaqur anën më të mirë të tij, duke qetësuar një turmë të zemëruar dhe duke ndaluar një vrasje.
Më pas do të bëjmë pyetjen: A ja vlen që zotëria me emrin Ndoshta të jetë heroi ynë?
Një turmë vrasëse
Në këtë rast, emri i vërtetë i zotërisë me emrin Ndoshta është Gamaliel. Në kohën e tij Gamalieli ishte mësuesi më i famshëm në Izrael. Ai ishte i moderuar. Ai shmangte ekstremet. Gamalieli ishte i qetë, i ndjeshëm dhe gjakftohtë për gjithçka, edhe atëherë kur rrethohej prej njerëzve gjaknxehtë. Te veprat 5 Bibla tregon se si Gamalieli luajti një rolë të rëndësishëm në ndalimin e një vrasjeje.
Dëgjoni se çfarë ndodhi. Disa njerëz që e quanin veten apostuj, po pohonin se do të bënin mrekulli, duke pohuar se Jezusi i Nazaretit, një njeri që u kryqëzua dhe u varros pak ditë para kësaj, tani ishte gjallë dhe ishte lartësuar në fronin e Perëndisë. Shumë njerëz u përfshinë në këtë lëvizje dhe drejtuesit fetarë kryesorë, nuk e pëlqenin këtë. Ata i udhëzuan apostujt që të ndalonin dhe i kërcënuan që t’i ndëshkonin ata nëse nuk do ta bënin. Por harxhuan frymën kot. Apostujt vazhduan predikimin e tyre dhe shërimet në emrin e Jezusit.
Pra stabilimenti religjioz hyri në aksion. Ata i arrestuan apostujt dhe i hodhën ata në burg. Por gjatë natës njerëzit ia mbathën disi. Ata thanë se një engjëll i çliroi ata. Kur agoi ata u kthyen sërish në tempull, duke mësuar njerëzit e duke i nxitur si të ndjekin këtë Jezus. Pra drejtuesit fetarë, bënë atë që bëjnë shpesh drejtuesit: ata i ftuan njerëzit në takim. Një grup ushtarësh nga siguria e tempullit i morën apostujt dhe i shoqëruan në një takim të këshillit të vendit, Sinedrit.
Prifti i lartë tha: “Ne ju urdhëruam që të mos mësoni në emrin e Jezusit, ju prapëseprapë e keni mbushur Jeruzalemin me mësimet tuaja dhe jeni të vendosur të na bëni fajtorë për gjakun e këtij njeriu.”
Pjetri dhe apostujt e tjerë u përgjigjën: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.”
Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru. Perëndia e lartësoi në të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të Tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij”.
Por stabilimenti fetar nuk donte të dëgjonte këto fjalë. Kush kujtonin se ishin këta apostujt që guxonin t’i flisnin kështu një grupi njerëzish me prestigj dhe edukatë të lartë? Ku e gjetën të drejtën këta të ashtuquajtur apostuj, të pohonin se Perëndia ishte në anën e tyre? Si mund të thoshin ata se një njeri nga Nazareti që ngriti revolta, u dënua për blasfemi pikërisht nga ky panel ekspertësh , do të ishte Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i Izraelit? Çfarë u dha këtyre apostujve të padurueshëm të drejtën të thoshin se pohimet e tyre ishin po ashtu pohimet e Perëndisë vetë në Frymë?
Gjithë këto nerva! Bibla thotë se kur drejtuesit fetarë dëgjuan këto gjëra, u tërbuan fare dhe donin ta dënonin me vdekje. Ata kishin në mend të vrisnin apostujt pikërisht atje në vend.
Zëri i tolerancës
Por para se të bënin diçka të nxituar, Zotëria me emrin Ndoshta do t’i ndalonte. Gamalieli, thotë Bibla, ishte një “një mësues i ligjit dhe nderohej nga të gjithë njerëzit.” Kur Gamalieli fillonte të fliste, njerëzit dëgjonin dhe nuk bëhej fjalë ta ndërprisnin. Ai kërkoi që apostujt t’i linin vetëm ,që ai të mund të fliste në një seancë të mbyllur me miqtë e tij, anëtarët e Sinedrit. Më pas iu drejtua atyre:“Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t’u bëni këtyre njerëzve. Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.
Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.
Tani unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve dhe t’i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet, por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!”.”
Fjalimi i tyre i preku ata. Më pas i ftuan apostujt brenda dhe i rrahën me kamxhik. Më pas i urdhëruan që të mos flisnin në emrin e Jezusit dhe i lanë të shkonin. Çfarë ndodhi me ta? Merita e kujt është që u liruan? E Gamalielit, e Sinedrit, e vetë atyre apo e Perëndisë.