Dua ta filloj me pjesën e shkrimeve për sot. (Mark 15:16-30)
Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domethënë në Pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.
17 E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.
18 Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!”.
19 Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.
20 Pasi e tallën, ia hoqën purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
21 Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandërit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.
22 Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: “Vendi i Kafkës”.
23 I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24 Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t’i binte secilit.
25 Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.
26 Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: “Mbreti i Judenjve”.
27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.
28 Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: “Ai u përfshi ndër keqbërësit”.
29 Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,
30 shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!”.
Teksti ynë sot flet për njerëz të pafuqishëm. Judenjtë jetojnë nën pushtetin okupator të Romës. Ata nuk kanë pushtet mbi kriminelët e dënuar, apo mbi çdo aspekt tjetër të sistemit të drejtësisë. Simoni nga Kirena, nuk ka pushtet për t’i rezistuar autoritetit të ushtarëve të cilët e detyrojnë këtë njeri të mbajë kryqin e një njeriu tjetër. Vetë Jezusi, i cili duhet të ketë gjithë pushtetin e botës, se kështu do ta mendonte çdo njeri, pra edhe Jezusi nuk tregon fuqinë e tij, në këtë tekst. Në fakt , Jezusi duket krejt bosh përsa i përket aftësisë apo fuqisë. Është tronditëse të shikosh mungesën e fuqisë.
Edhe ne sot, ndihemi të pafuqishëm, apo jo? Qeveritë të shtypin po aq sa të ndihmojnë; punët ashtu si i gjejmë edhe i humbasim; martesat zgjidhen, fëmijët largohen nga prindërit e tyre, politikanët korruptohen, dhe shumë kisha janë bosh. Kjo është arsyeja përse ne kemi nevojë për një Shpëtimtar të fuqishëm. Por në tekstin e sotshëm, Shpëtimtari ynë duket i pafuqishëm.
E gjithë kjo dobësi në tekstin tonë është e vështirë për tu kapërdirë. Realiteti i dhimbshëm i dobësisë politike, personale dhe fetare duket i pakapërcyeshëm.
Në fakt problemi është shumë më i thellë se sa dobësia e thjeshtë; ky është problemi i paaftësisë dhe mungesës së fuqisë absolute. Paaftësia politike e popullit të besëlidhjes së Perëndisë, pra judenjve, theksohet prej okupacionit romak të atdheut të tyre, ushtarëve tallës që ishin te Kryqi para Kryqëzimit të një njeriu me emrin “Mbreti i judenjve.”
Duke qenë se jetonin në një vend të pushtuar, populli i Perëndisë nuk kishte as një pushtet politik. Ata janë vërtet një objekt talljeje për armiqtë e tyre. Për më tepër, një pjesë e kësaj mungese të fuqisë është personale. Simoni nga Kirena, i cili mban kryqin e Jezusit, është një shembull i mirë i individëve që jetojnë nën shtypje, të cilëve u mungon fuqia.
Së fundi skena tragjike e Jezus Krishtit, i Cili është varur në kryq dhe nuk do të reagojë ndaj tallësve është një shembull tronditës i Mesias që nuk shpëton as veten e vet. Të paktën një person si Mesia, mbreti, Shpëtimtari, do të ishte në gjendje të tregonte disi forcën dhe pushtetin për t’i kursyer vetes sikletin dhe çnderimin e të qenurit i trajtuar ashtu siç u trajtua Jezusi.
Kudo në tekst gjejmë paaftësi, dobësi dhe mungesë fuqie.
Në fakt paaftësia, dobësia dhe mungesa e fuqisë në skenën e kryqëzimit është kaq e pakapërcyeshme sa që te 1Korintasve 1 23 Apostulli Pal e quan kryqëzimin e Jezusit ” një skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët.”
Fjala në greqisht që është përkthyer “gur pengese” është një fjalë prej së cilës rrjedh fjala skandal. Pali po thotë se kryqëzimi i Jezusit është skandal dhe marrëzi për pjesën tjetër të botës. Po me të vërtetë, Krishti i kryqëzuar duket me siguri si një skandal, një marrëzi.
Teksti ynë fillon sot me eksplorimin e marrëzisë skandaloze duke vështruar dobësinë politike.
Ushtarët e përqeshin Jezusin, e tallin, dhe e rrahin për të treguar fuqinë romake mbi dobësinë judease.
Ushtarët nuk mund të besojnë shpalljen e Jezusit se Ai është Mbreti i judenjve.
Kjo është për të qeshur, ia vlen të tallesh me të, dhe kështu bëjnë edhe ata. E gjitha kjo është një shaka politike për ta, ndaj edhe ata përfshihen në këtë sjellje të keqe.
Ata e veshin Jezusin me një rrobë të purpurt, për të tallur natyrën e tij mbretërore. Ata shtrëngojnë një degë të përdredhur me gjemba në formën e kurorës mbi kokën e tij, në shenjë talljeje. Kurorën në fakt e mbanin kampionët grekë dhe romakë kur ktheheshin nga lufta me fitore. Ata i japin atij një shkop për spektër, si ai që mban mbreti, por më pas e rrahin me të. Ata i afrohen Atij për t’i dhënë një puthje mbretërore, por më pas e pështyjnë në fytyrë. Ata bien në gjunjë në shenjë homazhi tallës ndaj Tij. Pse, sepse, këta ushtarë, që me shumë mundësi nuk ishin as judenj dhe as romakë, por thjesht njerëz të punësuar, e dinë se nuk ekziston asnjë pushtet politik në Jude. Ata e dinin se nuk kishin pse të frikësoheshin nga ky i ashtuquajtur mbret.
Pilati, sunduesi romak, i cili e kishte dënuar Jezusin me vdekje, mund të nuhaste pafuqinë politike të vartësve të tij.
Ai çuditet prej mungesës së vetëmbrojtjes të vetë Jezusit në mes të vuajtjes, dhe indinjohet prej urrejtjes ziliqare të autoriteteve fetare karshi Jezusit.
Pra Pilati përdredh thikën e përbuzjes ndaj vartësve të tij duke i folur atyre me ironi për shënimin akuzues që kishin vënë mbi kokën e Jezusit që thoshte: “Mbreti i judenjve.” “Kjo është më e mira që njerëzit mund të bëjnë,” pikërisht këtë thotë Pilati për këtë akuzë tallëse. Kështu pra dita kur Jezusi kryqëzohet është e mbushur me humor të keq dhe plot me tallje, dobësi , madje dhe paaftësi skandaloze.
Unë mendoj se mund të kuptojmë këtë lloj skandali sot, apo jo? Gazetat janë vazhdimisht të mbushura me skandale politike, dhe kështu ka qenë gjithmonë.
Dua të ndalem tek disa ngjarje botërore.
Unë isha i vogël kur u qëllua dhe u vra presidenti amerikan Xhon Kenedi (John F. Kennedy). Presidenti i parë amerikan që mund të mbaj mend ishte Riçard Nikson -Richard Nixon. Skandali në Uotergejt (Watergate) i dha fund presidencës së tij. Lufta e parë që kam dëgjuar është ajo e Vietnamit, dhe kjo luftë konsiderohet si një gabim dhe dështim për pjesën më të madhe të njerëzve. Presidenti i parë i Filipineve, ishte Markosi. Administrata e tij u mbyll me skandal dhe turp, ndërkohë që ai u arratis nga vendi, pasi u akuzua për krime të ndryshme humanitare dhe fiskale kundër popullit.
Këto dështime politike shumë dëshpëruese, që mbaj mend i përkasin viteve të fëmijërisë sime. Nuk e vë në dyshim se edhe ti ke shumë shembuj si ky për thënë, nga çdo cep i botës.
Ndonjëherë vështirësia jonë nuk ka lidhje fare me politikën. Ndonjëherë kjo është shumë personale. Me siguri kështu ishte rasti i Simonit të gjorë nga Kirena. Ne nuk e dimë realisht se çfarë ndodhi me të. Por dimë emrin e tij, dhe nga vinte, Simoni vinte nga Kirena, (që ndodhet në Afrikën Veriore); po kështu dimë se ai kishte dy bij, Aleksandërin dhe Rufin. Ne e dimë se kjo kohë është e tmerrshme për të. Nga një kohë e zakonshme e ditës kthehet në një ditë shumë të keqe për të, në një kohë të gabuar, duke u bërë pjesë e një procesi kryqëzimi.
Përfytyroni frikën dhe pasigurinë e tij teksa e detyrojnë të mbajë kryqin e Jezusit, i cili është rraskapitur nga kryqi.
Si një person i huaj në atë qytet, ai mund të mos e ketë ditur se çfarë mund të bënte dhe çfarë nuk mund të bënte përballë ushtarëve romakë. Me sa duket, ai nuk ishte në atë pozitë për t’i rezistuar ushtarëve romakë, të cilët e rekrutuan atë në shërbim.
Ai ishte personalisht i pafuqishëm. Ai u detyrua, në prani të dy bijve të tij të shërbente në ushtrinë romake, pa asnjë të drejtë apo zgjedhje personale. Aspak e këndshme kjo apo jo?
Mendoj se asnjëri nga ne nuk është në të njëjtën pozitë dobësie si Simoni, por ne i njohim dobësitë tona apo jo?
Unë jam i sigurt se të gjithë ne jemi mësuar me dështimet dhe dobësitë tona. Është shumë shqetësuese kur çështjet e shëndetit, humbja e punës, zhgënjimet e karrierës dhe dobësitë morale na pengojnë të jetojmë ashtu siç do të dëshironim ne. Pra çfarë bëjmë kur jemi në mes të kësaj dobësie personale?