Fillojmë pa humbur kohë. Pjetri nuk ka për ta lënë kurrë Zotin e tij, ai është gati të vdesë për Jezusin! Pjetri i premton Jezusit se nuk do ta lerë kurrë Atë as nuk do ta brakisë. Me Pjetrin pajtohen dhe gjithë dishepujt e tjerë. Pjetri është i fortë dhe po kështu pjesa tjetër e dishepujve.
Shumë prej nesh sot thonë se janë të fuqishëm. Kjo do të thotë se ne jemi lidhur ngushtë me Zotin, kishën dhe besimin tonë. Veprimet dhe përkushtimet tona e vërtetojnë atë. Ne jemi pleq dhe dhjakë, mësues të takimit të fëmijëve, dhe prindër të perëndishëm; ne e lexojmë Biblën dhe shkojmë në kishë rregullisht. Ne jemi të fortë – të fortë në përkushtimin tonë ndaj Zotit! Megjithatë dështojmë. Po ne dështojmë! Ndonëse e dimë se Pjetri është shkëmbi, i forti, ai prapëseprapë dështoi. Si ka mundësi? Pse nuk mundi Pjetri të mbante premtimin që kishte dhënë? Pse nuk jemi ne në gjendje të mbajmë premtimet? Pse nuk jemi në gjendje të parashikojmë vështirësitë e të qenit ndjekës i Krishtit? Jezusi parashikon ekzaktësisht se çfarë do ti ndodhë Pjetrit dhe dishepujve.
Ata e dinë se çfarë po u afrohet, megjithatë ata flenë gjumë dhe harrojnë fare çfarë kanë thënë. Kështu bëjmë edhe ne. Si ka mundësi që ndodh kjo dhe si mund të gjejmë forcë në dobësitë tona?
Për ti dhënë përgjigje pyetjeve tona do të ndalemi tek teksti: Marku 14:32-38
32 Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur”.
33 Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;
34 dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar”.
35 Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë.
36 Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!”.
37 Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?
38 Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët”.
Unë mendoj se shenjën e parë të dobësisë së trupit të dishepujve dhe të forcës së Zotit e gjejmë në tre urdhërimet e para të Jezusit për dishepujt në kopshtin e Gjetsemanisë. Ai thotë: “Uluni… qëndroni… shikoni…” Këto fjalë nuk janë shumë tërheqëse. As nuk janë fjalë veprimi. Edhe unë vetë, i kisha të paqarta në fillim por i kuptova më vonë. Le ti kthehemi shqyrtimit të ngjarjes, në kopshtin e Gjetsemanisë.
Jezusi shkon në kopsht që të lutet dhe i udhëzon dishepujt që thjesht të ulen dhe të rrinë me të teksa ai lutet.
Ai merr me vete tre dishepuj, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin.
Jam shumë i bindur se këta të tre ndiheshin disi të nderuar që ishin zgjedhur të qëndronin pranë Jezusit në këtë kohë nevoje. Unë jam i sigurt se ata ndiheshin të afirmuar për forcën dhe aftësinë e tyre.
Fundja fare, të tre këta dishepuj të Jezusit kishin bërë pjesën e tyre të reklamimit dhe promovimit të vetes.
Jakobi dhe Gjoni, secili më vete, dëshironte të ishte më i madhi në mbretërinë e qiellit, dhe kërkonin të uleshin njëri në krah të majtë dhe tjetri në krah të djathtë të Jezusit.
Pjetri ngulmonte se edhe sikur të tjerët ta braktisnin Jezusin ai do të mbetej besnik. Po ata ishin krenarë, të sigurt, dhe të bindur për cilësitë e vetes. Ndërsa tani ata shfaqen në një fazë tjetër më të rëndësishme. Ndryshe nga të tjerët, Jezusi i ka zgjedhur ata të shkojnë me të në kopsht. Jezusi i merr ata me vete. Çfarë nderimi!
Por gjendja e tyre e humorit ndryshon shumë shpejt, teksa Jezusit i shtohet shqetësimi dhe ankthi.
Ai u thotë të treve: “ Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje.” Sigurisht që dishepujt janë gati të bëjnë gjithçka për të ndihmuar Jezusin. Por çfarë u thotë Jezusi që të bëjnë? Ai thotë: “Qëndroni dhe shikoni!
Qëndroni dhe shikoni? Dyshoj se Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, dëshirojnë të bëjnë diçka, jo thjesht të rrinë të shikojnë.
Ata e shohin Jezusin të shqetësuar. Pasi Jezusi shkon pak më tutje, e dëgjojnë që thotë “ Nëse është e mundur që ajo “orë” të largohet prej Tij. Ata e dinë se Jezusi është në agoni, por nuk mund të bëjnë asgjë.
Para disa ditësh po flisja me një mikun tim, Tomin, në lidhje me përvojat më të dhimbshme në jetë. Ja se si kujton ai përvoja e tij më e dhimbshme në jetë:
“Më kujtohet ajo kohë e jetës sonë familjare ku unë si baba thjesht duhet të rrija dhe të shikoja. Gruaja ime Diana, ishte në sallën e lindjes, për të lindur fëmijën tonë të tretë, të cilin e dinim paraprakisht se ishte i vdekur. Mjekët e quajnë këtë rast, “i lindur i vdekur” Kontrolli me ultratingull i një dite më parë, konfirmoi se diçka nuk kishte funksionuar si duhet me fëmijën, kështu që fëmija ynë i tretë kishte vdekur në barkun e nënës së vet. Megjithatë Diana duhet ta lindte atë fëmijë. Çfarë stresi që ishte për mua, të shikoja atë që po lindte duke ditur që më parë se fëmija ishte i vdekur.
Nuk mund të bëja asgjë, veç të rrija e të shikoja. Ndërsa Diana nuk mund të bënte asgjë tjetër, veç të kalonte ato dhimbje, pa pritur nga ajo lindje një fëmijë të gjallë, por një foshnjë të vdekur. Sa e tmerrshme që ishte, nuk e shpjegoj dot me fjalë!”
Përvoja e mikut tim Tomit ishte shumë e dhimbshme vërtet.
Pyes veten a e ndjenë dishepujt të njëjtin stres që po përjetonte Jezusi? Duke mos pasur asgjë konkrete për të bërë, ata thjesht fjetën gjumë. Këtu ne shohim, të dhënën e parë se përse dështojmë. Ne kemi prirjen të mendojmë se është në dorën tonë të bëjmë diçka, të ndreqim diçka, apo të kursejmë diçka. Në rast se Zoti nuk na jep diçka konkrete për tu angazhuar ne ç’angazhohemi fare prej detyrave tona. Nëse nuk veprojmë, apo merremi me diçka, na zë gjumi. Pra me pak fjalë mendojmë se kjo është ajo që duhet të bëjmë ne, duke harruar ndonjëherë se Perëndia dëshiron që ta shohim Atë dhe po kështu planin që shpalos Ai.
Shumë prej nesh janë njerëz të veprimit. Pra dëshirojmë të bëjmë gjëra për Zotin. Ne duam të shtriqim muskujt tanë shpirtërorë dhe të bëjmë diçka. Por ndonjëherë ndodh në jetën tonë që Zoti na thotë thjesht: “shiko.”
Kjo do të thotë se duhet të presim që të shpaloset plani dhe mëshira e Perëndisë. Por problemi është se ne nuk jemi shumë të zotë për të pritur: ndaj na zë gjumi.
Por pikërisht ky dështim na jep neve të dhëna të tjera për forcën. Ajo që kuptojmë është e thjeshtë: Ndonjëherë nuk bëhet fjalë për ne apo për forcën tonë. Përkundrazi bëhet fjalë për dobësinë tonë dhe forcën e Krishtit. Ndërkohë që dishepujt i zë gjumi për shkak të dobësisë dhe nuk arrijnë të shikojnë ashtu siç ju ishte thënë, Jezusi po lutet që vullneti i Perëndisë të bëhet. Pikërisht atje është burimi i forcës, për të cilën kemi nevojë.
Kur Jezusi u kthye te dishepujt, i gjeti ata duke fjetur. Ai foli drejtpërdrejt me Pjetrin, i ciki kishte pohuar se ishte më i forti. “ S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?” – e pyeti Jezusi Pjetrin. Përgjigja kuptohet se është e dhimbshme.
Jo, Pjetri nuk mund të rrinte zgjuar as për një orë.
Por në vend që t’i jepte lejë Pjetrit dhe të tjerëve që të largoheshin, Jezusi jep një urdhërim tjetër. Shikoni dhe lutuni! Tani Pjetri dhe të tjerët kishin diçka konkrete për të bërë. Ata duhet të luteshin! Jezusi vazhdon tu tregojë me detaje se përse duhet të luten. “ Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim,” i udhëzon Jezusi ata.
Tani ne mund të mendojmë se duke pasur diçka konkrete për të bërë, dishepujt me siguri do të jenë më besnikë. Fundja fare, lutja është diçka specifike për të cilën ishin trajnuar. Jezusi i kishte mësuar ata si të luteshin. Me siguri, këtë herë trupi i tyre nuk do të dështonte. Por ç’është e vërteta ata dështuan.
Unë shpesh mundohem të lutem, në dhomën e lutjes, në kishën tonë, gjatë mesditës. Por kjo pjesë e ditës zakonisht është plot me punë për mua. Punët janë më konkrete se sa lutja. Po e dëgjove mirë; thashë se, “angazhimi me punë është diçka më konkrete se lutja.” Shpesh të duket kështu edhe ty, apo jo? “Angazhimi me punë është më i prekshëm, më konkret se sa lutja. ” Ndoshta ti po çuditesh dhe thua: Po çfarë janë këto që po thua pastor? Fjalë për të thënë janë këto?! Por mendoj se duhet të jemi realistë!
Fëmijët duhen shoqëruar në shkollë, faturat duhen paguar, vizita te mjeku duhet bërë, kartolina e ditëlindjes për nipërit dhe mbesat duhet postuar, detyra e kursit duhet përfunduar, predikimet duhen shkruar, më pas duhen redaktuar dhe në fund duhen praktikuar. Po është e vërtetë, ne duhet të lutemi, por jemi shumë të zënë!
Ne nuk kemi kohë, por dishepujt ama kishin kohë për tu lutur. Ata po rrinin ulur në kopshtin e Gjetsemanisë dhe nuk kishin gjë tjetër për të bërë veç t’i bindeshin Jezusit dhe të luteshin.
Por në tekst nuk thuhet asgjë për lutjet e tyre. Në vend të kësaj, lexojmë se ata flenë gjumë.
Mendoj se nuk duhet të çuditemi nga kjo! Ndonjëherë edhe nëse kam kohë të lutem, unë nuk arrij të lutem.
Për shembull, edhe atëherë kur mes morisë së punëve, arrij të gjej kohë për tu lutur në dhomën e lutjes, unë nuk lutem. Po ta shpjegoj pak me mirë!
Koordinuesi i lutjes në kishën tonë, sigurohet gjithmonë që dhoma e lutjes të jetë e ngrohtë, e rehatshme dhe mikpritëse. Unë ulem në njërin prej kolltukëve të rehatshëm dhe filloj të lutem. Por shumë shpejt, rahatia e karriges, ushqimi në stomak dhe drita e zbehtë e dhomës, të nxisnin më shumë për gjumë se sa për lutje. Sa e turpshme, një pastor që fle gjumë në dhomën e lutjes! Ja pse thuhet: Fryma është gati, por mishi është i dobët.
Nëse është e turpshme të flesh gjumë gjatë lutjes, dhe nëse është marrëzi të merresh me punë në vend që të lutesh, atëherë sa tragjike duke të jetë për Jezusin kur sheh dishepujt e tij që flenë në orën e Tij të madhe. Jezusi thotë: “Fryma është gati, por mishi është i dobët.” Pikërisht në këto fjalë të vërteta e gjejmë veten edhe ne. Këtu kuptojmë se sa e lehtë është për njerëzit të dështojnë, të mos ia dalin mbanë në arritjen e diçkaje. Kjo ishte e dhëna e parë për ne, Jezusi na fton thjesht të qëndrojmë dhe të shikojmë. Vetëm të shikojmë? Jo vetëm! Kemi më shumë për të thënë, por na ndiqni herën e ardhshme, ku do të mësojmë se si t’i bindemi Jezusit kur trupi ynë është i dobët.