Çfarë ndryshimi ndodhi mëngjesin e Pashkës! Jezusi, ky njeri i vdekur, ishte gjallë dhe i pandalshëm, ndërsa ushtarët e fortë, që mendonin se do ta mbanin atë brenda varrit, ishin shtrirë përtokë si të vdekur. Në fakt, gratë të cilat e donin shumë Jezusin përfunduan në një vend më të mirë se ushtarët. Jemi mësuar zakonisht të mendojmë se gratë supozohet të jenë të dobëta, të dridhen dhe të meken para diçkaje tronditëse.
Por engjëlli i Perëndisë iu shfaq këtyre grave të ashtuquajtura të dobëta, dhe jo burrave të fortë, apo ushtarëve, që u drodhën nga frika dhe ranë përtokë si të vdekur. Ndërkohë, gratë dhe pse të frikësuara dhe të mahnitura qëndruan në këmbë. Ato vështruan engjëllin dhe dëgjuan Lajmin se Jezusi ishte ringjallur.
Ringjallja e Jezusit ndryshoi gjithçka. Miqtë e tij, ishin larguar vjedhurazi, të zymtë dhe të mposhtur, duke vrarë mendjen se çfarë do të bënin më pas. Por kur Jezusi u kthye në jetë, miqtë e tij u mbushën me gëzim, të etur për të shpërndarë Lajmin e Mirë. Armiqtë e Jezusit, nga ana tjetër, ishin të sigurt në vetvete dhe për detyrën e ngarkuar. Por mëngjesi i pashkës, i goditi ata në befasi dhe i bëri të kota armët e tyre.
Kryetari i tyre mbeti i tronditur duke vrarë mendjen për pistat e mundshme të vjedhjes së varrit.
Mos u frikëso
Pasi dëgjuan mesazhin e engjëllit, ” Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij.” (Mateu 28:8) Nuk është habi që ato u frikësuan! Atyre sapo u kishte folur një engjëll i frikshëm i Perëndisë, po aq i frikshëm sa i bëri ushtarët veteranë të binin pa ndjenja përtokë. Dhe mesazhi i tij ishte tepër i fortë për ta. Fuqia e Perëndisë kishte ndërhyrë
në ngjarjet e zakonta dhe kishte përmbysur gjithçka. Kjo është emocionuese, por frikësuese në të njëjtën kohë. Sërish frika që ndienin gratë nuk krahasohej me gëzimin që i mbushi ato, dhe i dërgoi me vrap tu thoshte dishepujve. Teksa vrapuan për aty, ato u mbushën më shumë me gëzim.
Papritur Jezusi u takua me ta. “Tungjatjeta!” tha ai. Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë
në Galile dhe atje do të më shohin'”
(Mateu 28:8-10)
Janë të shumta gjërat që të bëjnë përshtypje në takimin e grave me Jezusin. Njëra prej tyre është fakti se sa rastësisht i përshëndeti Jezusi ato. “Përshëndetje,” tha ai, sikur të ishte çdo gjë normale. Fjala në gjuhën origjinale, është njëlloj me fjalët “Tungjatjeta” apo “Si je” a “Mirëmëngjesi”, një fjalë për të përshëndetur dikë në një ditë të zakontë.
Gratë megjithatë, nuk iu përgjigjën thjesht me fjalët “Mirë, po ti”?
Ato ranë në këmbët e Jezusit, e përqafuan dhe e adhuruan Atë. Jezusi i përshëndeti thjesht “ç’kemi” për t’i treguar se ishte i njëjti person që ata njihnin dhe kishin ngrënë me Të. Jezusi i ringjallur po e prezantonte veten si miku i tyre, por gratë e dinin se Ai ishte Zoti, i denjë për adhurim. Ata ishin të mposhtur me dashuri dhe nderim.
Jezusi, duke e njohur gëzimin por edhe frikën e tyre tha “Mos kini frikë.” Engjëlli te varri bosh, u kishte thënë: “Mos kini frikë”, dhe Jezusi po u thoshte të njëjtën gjë. Jezusi mund ta ketë thënë këtë thjesht për t’i qetësuar ata, por ato fjalë: “Mos ki frikë”, shprehnin më së miri ndikimin e Pashkës te të gjithë njerëzit e Perëndisë. Mos ki frikë prej armiqve të Perëndisë. Mos ki frikë vdekjen, as varrin. Mos ki frikë që a do të ketë vallë Perëndia një vend për ty në rendin e ri që filloi me ringjalljen. Dhe mos ki frikë se Jezusi i ringjallur është tani tepër i lartë për ta konsideruar veten si njëri prej nesh.
“Mos ki frikë!”—gjithë bukuria e asaj shprehjeje gjendet në fjalët pasuese të Jezusit: “Shkoni dhe i tregoni vëllezërve të mi.” Sigurisht Jezusi mund të kishte thënë:”shkoni dhe u thoni atyre çunave që zihen vazhdimisht me njëri tjetrin.” Ai mund të kishte thënë:” Shkoni dhe u thoni atyre frikacakëve që thanë se do të ishin të gatshëm të vdisnin për mua, por ia mbathën me problemin e parë.” Ai mund të kishte thënë: “Shkoni dhe u thoni atyre kokëgdheve që i pata thënë më parë për ringjalljen time, por që
mendojnë se jam ende i vdekur.” Jezusi mund të kishte thënë çdonjërën prej këtyre gjërave, të gjitha ishin të vërteta, por në vend të kësaj Jezusi tha: “Shkoni dhe u thoni vëllezërve të mi.” Ja ku ishte, Biri i Perëndisë, pushtuesi i Satanit dhe i vdekjes; dhe ja ku ishin disa dështakë dyshues që ziheshin me njëri-tjetrin. Megjithatë Jezusi i quajti ata vëllezër, anëtarë të dashur të familjes së tij, fëmijë të të njëjtit At. Jezusi nuk i bëri hasha, as i refuzoi. Ata ishin vëllezërit e tij. Ai donte që ata të dinin se ai ishte sërish gjallë, dhe ai donte të takohej me ta.
Nëse ndihesh i frikësuar dhe i vetmuar, duhet të takosh Jezusin. Dëgjo se çfarë thotë ai “Mos ki frikë,” dhe lere zemrën tënde të jetë në paqe me Të. Dëgjo teksa Ai të thërret si vëllanë, apo motrën e Tij, dhe dije se ai nuk ka për të lënë apo braktisë asnjëherë. Nëse i trembesh vdekjes, mos e ki më frikë. Jezusi e ka mposhtur vdekjen. Vjedhësi i madh i varrit e shpëtoi veten prej varrit, dhe Ai mund të të shpëtojë edhe ty. Edhe atëherë kur ti ec përgjatë luginës së hijes së vdekjes, mos ki frikë nga e keqja.
Sepse Krishti është me ty, dhe ai thotë: “Mos ki frikë.”
Kontrolli dëmtues
Por çfarë mund të themi për ata të cilët e mbajnë vjedhësin e varrit në varrin e tij? çfarë mund të themi për ushtarët? Po për drejtuesit që ishin aq të etur për të parandaluar vjedhjen? Bibla thotë,
Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.
Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t’u japin ushtarëve një shumë të madhe dinarësh, duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim. Dhe në
qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak”. Dhe ata i morën dinarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap
ndër Judenjtë deri ditën e sotme. (Mateu 28:11-15)
Sa patetike! Teksa gratë po vraponin me gëzim për të shpërndarë Lajmin e Mirë të ringjalljes së Jezusit, ushtarët po vinin në vete dhe, po ngriheshin në këmbë. Varri që supozohej se po e ruanin ata, ishte bosh. Si mund ta shpjegonin ata këtë fakt?
Nëse do të thoshin se një dritë verbuese dhe një vizitor qiellor ishin gjëja e fundit që panë para se ti binte të fiktë, kush do t’i besonte? Nuk ka kuptim që të të caktojnë një detyrë dhe më pas të fajësosh dikë tjetër që mund të ngajë si UFO.
Çfarë ndodh me ta. A ia dalin mbanë me dëshminë e tyre te rremë?