Dita 29 | Lexoni nga Eksodi 4:3-9
Me qëllim që të besojnë… (v.5)
Të gjithë jemi si Moisiu në disa mënyra. Kur detyra e Perëndisë është përtej aftësisë sonë, dhe pyetjet dhe dyshimet zënë mendimet tona, ne i kërkojmë Perëndisë të “na tregojë një shenjë të dashamirësisë së tij” (Ps. 86:17). Nëse jemi të sinqertë, kush prej nesh nuk do të donte shenja të mëdha, drithëruese që Perëndia i dha Moisiut. Tre shenja të dashamirësisë së padiskutueshme: bastuni i tij bëhet gjarpër, dora e tij bëhet lebroze, dhe uji shndërrohet në gjak. Të gjitha me qëllim që “ata të besojnë” (v.5).
Në javët e mia të para si president i ri tek Fjalët e Shpresës, doja një shenjë të madhe. Largimi nga 24 vjet shërbesë baritore për të udhëhequr një organizatë misionare ishte ndryshim i madh, personal dhe profesional. Isha plot me pasiguri, ankth dhe frikë. Doja një shenjë të madhe. Në vend të kësaj, mora një tekst mesazhi. Ime shoqe, Ana, thjesht shkroi: “Qoftë kjo ditë e jotja plot me surpriza.” Menjëherë pas kësaj, prindërit e një miku më telefonuan për të ndarë sa të gëzuar ishin që unë po merrja këtë hap besimi dhe se Perëndia kishte vendosur në zemrat e tyre të mbështesnin Fjalët e Shpresës. Bastun në gjarpër? Dorë lebroze? Ujë në gjak? Asgjë aq drithëruese. Por një shenjë e vogël dashamirësie të Perëndisë? Padyshim që po.
Ne nuk mund t’i injorojmë shenjat e vogla. Uji i pagëzimit është një shenjë e vogël, e thjeshtë. Po ashtu buka dhe vera e Darkës së Zotit. Shenja të mëdha apo të vogla, ato na i drejtojnë sytë tanë te ai që është me ne, edhe ndërsa na thërret të ndihmojmë me detyra të mëdha. — Jon Opgenorth
Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për shenjat e dashamirësisë së tij.

