dita 8 web woh

Si i bllokon bekimet hidhërimi

Dita 8 | Lexoni nga Hebrenjve 12:12-29

Duke u kujdesur që askush të mos mbetet larg hirit të Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë. (v. 15)

Hidhërimi është si barërat e këqij që kanë rrënjë të thella; nëse nuk i mbikëqyrim, do i marrin frymën çdo gjëje të mirë që rritet rreth e rrotull tyre. Ajo që fillon si një lëndim i vogël, nëse ushqehet me inat dhe mëri, do të shndërrohet në një helm, i cili infekton zemrën dhe marrëdhëniet tuaja. Shumë besimtarë luten për bekime, ndërkohë që pa e ditur fshehin brenda tyre hidhërimin, i cili bllokon pikërisht përgjigjet që ata po kërkojnë. Zemra e mbushur me lëndime nuk mund ta marrë plotësisht rrjedhën e gëzimit dhe hirit të Perëndisë.

Historia e Esaut është një shembull kthjellues (shih Zanafilla 27 dhe 33). Ai nuk e humbi bekimin e tij për shkak se Perëndia tërhoqi premtimin që kishte bërë, por sepse pakujdesia e tij dhe mëria, plus inati, ia turbulluan zemrën. Hidhërimi na bën të verbër ndaj hirit dhe e ngurtëson shpirtin karshi pendimit dhe pajtimit. Sa më shumë e lejojmë të qëndrojë, aq më i fortë bëhet shtrëngimi i tij. Çmimi për të ndjekur Jezusin përfshin zgjedhjen e përditshme që të falim dhe të shkulim rrënjët e lëndimit përpara se ato të lulëzojnë dhe të japin frytin e tyre të hidhur në jetën tonë.

Hiri nuk mund të lulëzojë në dheun e ndotur nga hidhërimi. Njësoj si kopshtari që pastron barërat e këqij për të lejuar rritjen e shëndetshme, po kështu edhe ne duhet të lejojmë Frymën e Shenjtë që të çrrënjosë çdo gjurmë të mosfaljes. Vetëm atëherë gëzimi, paqja dhe bekimi do të mund të rrënjosen thellë brenda nesh. Falja mund të mos e ndryshojë të kaluarën, mirëpo e çliron zemrën që të lulëzojë sërish. Qëndroftë shpirti juaj i butë, u shërofshin marrëdhëniet tuaja dhe u pasuroftë jeta juaj me frytin e paqes. — Rev. Shadrack Ogwal

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë të çrrënjosë çdo gjurmë hidhërimi dhe ta mbushë zemrën tuaj me hirin e tij karshi të tjerëve.

#FjalëtEShpresës#FaljaDheHiri#ÇlirimiNgaHidhërimi#BekimetEPerëndisë

Tags: No tags