webbwoh-2-gusht

Të krijuar për të lulëzuar

Dita 33 | Lexoni nga Zanafilla 2:8-18

Në mes të kopshtit gjendej edhe pema e jetës. (v. 9)

Shpesh unë pyes veten se si do të ishte jeta nëse Adami dhe Eva nuk do të kishin ngrënë frytin e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Leximi për sot nga Zanafilla na tregon se Perëndia u kishte dhënë gjithçka Adamit dhe Evës që ata t’ia dilnin mbanë. Krijuesi i tyre i mbolli ata në një kopsht, u dha punë domethënëse për të administruar dhe kultivuar ambientin e tyre dhe i bekoi me një bashkësi të papenguar me veten e tij dhe me njëri-tjetrin. Çfarë deshën ata më shumë?

E megjithatë, i njëjti mashtrim shpeshherë na fut edhe neve në kurth: pra, që Perëndia po u mbante sekrete atyre. Gjarpri në kopsht ua mbushi mendjen duke i gënjyer se pavarësia do t’i bënte ata të lulëzonin, dhe ata e hëngrën atë gënjeshtër (Zan. 3:1-13). Dy pemët që janë në pasazhin tonë sot janë një tablo e bukur e zemrës që Perëndia ka në lidhje me lulëzimin që duhet të ketë i gjithë krijimi. Ato përfaqësojnë kufijtë plot dashuri që Perëndia vendosi, në mënyrë që ne të lulëzojmë. Edhe pse u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, përpjekja për t’u bërë “si Perëndia” (3:5) është një barrë e pamundur për t’u mbartur.

Është e rëndësishme të mbajmë mend se edhe pse Adami dhe Eva mëkatuan, kjo nuk e ndryshon qëllimin e parë që kishte Perëndia: që ne u krijuam për të lulëzuar. Dhe pavarësisht se jemi njerëz që jetojmë jashtë Edenit, jeta dhe vdekja e Jezusit na tregojnë se Perëndia ka pasur gjithnjë për qëllim që të na rikthente aty ku do të ishim të rrënjosur thellë dhe frytdhënës, duke jetuar në një bashkësi të papenguar me të dhe njëri-tjetrin. — Katelyn J. Dixon

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ka bërë të mundur që ne të lulëzojmë duke dhënë jetën e tij mbi drurin e Kalvarit.

Tags: No tags