Dita 35 | Lexoni nga Zanafilla 41:41-52
Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim. (v. 52)
A është e mundur që të lulëzojmë nën përkujdesjen e Perëndisë, edhe në ato stinë ku ka vuajtje të mëdha? Pikërisht këtë pyetje bëra edhe unë në një stinë të vështirë të martesës sime. Shpresa dukej e largët, dhe zgjidhjet të ngadalta. E megjithatë, ekzistonte një ndjesi unike gjatë asaj stine vuajtjeje, në të cilën e ndjeva praninë e Perëndisë më afër se kurrë në dhimbjen dhe pikëllimin tim.
I tradhtuar dhe i shitur për skllav nga vetë familja e tij, Jozefi u katandis nga biri i preferuar i Jakobit në të burgosurin e faraonit të akuzuar me pa të drejtë. Mirëpo Perëndia nuk e harroi Jozefin, dhe as nuk e la atë në vuajtjen e tij. Pas disa viteve në burg, vetë faroni e thirri Jozefin në pallatin e tij për të interpretuar ëndrrën trazuese të faraonit. Perëndia i dha Jozefit dhuntinë e interpretimit të ëndrrave, në mënyrë që faraoni ta shpërblente Jozefin duke i dhënë atij gjysmën e mbretërisë. Po kështu, nën kujdesin e Jozefit, edhe vendi i Egjiptit dhe populli i tij lulëzuan, madje edhe gjatë stinës së zisë së bukës.
Por çfarë do të thotë të lulëzojmë, madje edhe atëherë kur duket sikur kemi humbur gjithçka? Në historinë e Jozefit, ne shohim që Perëndia na jep gjithçka që na duhet për të lulëzuar edhe në stinët e bollëkut edhe në stinët e zisë së bukës. Qoftë në ngushëllim qoftë në shkatërrim, është pikërisht prania dhe favori i Perëndisë që na aftësojnë të ecim besnikërisht me të. Edhe pse mund të duket e çuditshme, shpeshherë ajo tokë e shkretë e stinëve të dhimbshme është pikërisht dheu që Perëndia përdor për të mbjellë farat e lulëzimit. — Katelyn J. Dixon
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju tregojë se si ka qenë ai me ju në stinën e vuajtjes.

