Dita 37 | Lexoni nga Psalmi 92:5-15
I drejti do të lulëzojë si palma. (v. 12)
Nëse keni provuar ndonjëherë të mbillni një farë dhe ta rrisni atë bimë, atëherë e dini se ekziston një përbërës kyç mbi të cilin nuk keni kontroll, që është koha. Pavarësisht se sa shpesh e kontrolloni tokën për filiza të vegjël jeshilë, transformimi nëntokësor që i duhet një fare që të mbijë është i ndryshëm për çdo lloj fare dhe bime. Ajo ka nevojë për aq kohë sa ka nevojë.
Njësoj si me farat dhe bimët, po kështu duhet kohë që Perëndia të zhvillojë tek ne llojin e karakterit që na duhet për të lulëzuar. Ai i njeh kushtet e duhura në të cilat lulëzojmë më mirë. Autori i Psalmit 92 e krahason barin e të pabesëve (v. 7), i cili rritet me shpejtësi, me rritjen e gjatë dhe të rrënjosur thellë të palmës dhe të kedrit (v. 12), e cila përfaqëson jetën me drejtësi. Ne nuk i shkojmë nga pas drejtësisë me qëllim që të fitojmë të drejtën për të lulëzuar, por sepse jemi njerëz që kemi një dëshirë të zjarrtë të rritemi gjithnjë e më shumë sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Lulëzimi është rezultat i jetesës me drejtësi, dhe jo pika e nisjes.
Kushtet më të mira për të lulëzuar krijohen kur jemi të mbjellë në shtëpinë e Perëndisë dhe kur jemi të harlisur në praninë e Perëndisë. Edhe pse duhet kohë dhe besim, nxitja për ne është që të qëndrojmë me durim në praninë e Zotit, në mënyrë që të lulëzojmë si një pemë nën kujdesin e Perëndisë. Ata që e bëjnë këtë do të “japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë” (v. 14). Ndërsa rritemi në Perëndinë, ne mund të kemi siguri, duke e ditur se ai është gjithmonë duke punuar brenda tokës së jetës sonë. — Katelyn J. Dixon
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju tregojë frytin që po kultivohet brenda jush në këtë stinë të jetës.

