Dita 32 | Lexoni nga Psalmi 1
Ai do të jetë si një dru i mbjellë përgjatë brigjeve të ujit. (v. 3)
Shpesh tabloja që unë kam për suksesin është e vogël dhe materialiste, e informuar më së shumti nga kultura laike sesa nga Bibla. Bota jonë është plot e përplot me mesazhe të padukshme dhe jo edhe aq të padukshme të cilat na tregojnë se ç’pamje duhet të ketë suksesi ynë. Dallimi i zërit si shushuritje e ëmbël i Perëndisë mund të jetë pështjellues në mesin e vorbullës së madhe të komunikimit materialist të konsumit që dominon botën në të cilën jetojmë.
Për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, Bibla u ofron një pamje alternative rreth të qenit të suksesshëm apo të qenit të lulëzuar. Psalmi 1 na bën një përshkrim të bukur të asaj se si duhet të duket një person që lulëzon: dikush që qëndron në praninë e Perëndisë, është i rrënjosur thellë në Fjalën e Perëndisë dhe prodhon rregullisht frytin e jetesës me drejtësi. Ashtu si një pemë e shëndetshme, edhe ne jemi krijuar për të jetuar si një popull i rrënjosur thellë, i mbjellë mirë përgjatë brigjeve të ujit të gjallë, reagues ndaj thirrjes së Frymës së Shenjtë dhe të japim fryt në stinën e duhur.
Shpeshherë mbretëria e Perëndisë është quajtur edhe mbretëria me kokëposhtë, në të cilën vlerat laike janë përmbysur plotësisht nga vlerat qiellore. Megjithatë mund të jetë e vështirë të dallojmë se si të jetojmë edhe në këtë botë por edhe në mbretërinë e Perëndisë që është tashmë këtu por ende nuk ka mbërritur. Përgjatë dy javëve në vazhdim do të shohim nga afër atë që thotë Bibla në lidhje lulëzimin tonë si njerëz dhe se si e portretizon ajo një jetë të lulëzuar këtu edhe tani edhe ndërsa jemi duke pritur jetën që do të vijë, pra, lulëzimin tonë përfundimtar dhe të përjetshëm ku ne do të jetojmë dhe mbretërojmë përjetë me Perëndinë. — Katelyn J. Dixon
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju japë një pamje të freskët se si duket lulëzimi në stinën tuaj aktuale të jetës.

