dita 6 web woh

Transparencë e perëndishme

Dita 6 | Lexoni nga Psalmi 139

Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. (v. 23)

Shumë besimtarë jetojnë sikur të jenë xhama me ngjyra, si ato të katedraleve, të cilat shkëlqejnë bukur në publik, por fshehin rrëmujën brenda. Nga jashtë, ata duken të fortë, mirëpo nga brenda luftojnë me frikë, faj, turp dhe dhimbje të patreguar. E megjithatë, Perëndia ua di tashmë çdo mendim, motiv dhe dobësi (v. 1-4). Ai nuk kërkon përsosmëri; ai ofron transparencë. Ju nuk mund ta befasoni apo ta tronditni Perëndinë; dhe ai thjesht ju fton t’i shpalosni të gjitha para tij. Siç thotë një fjalë e urtë afrikane: “Fëmija që fsheh plagën e tij nuk do të gjejë kurrë shërim.”

Lutja e Davidit në Psalmin 139 nuk ishte një përgjërim drejtuar Perëndisë që ai të zbulonte diçka të re, por ishte një dëshirë e përulur për ta parë veten ashtu siç e shihte Perëndia. Ai dëshironte dritë hyjnore për të zbuluar çdo gjë që e pengonte miqësinë e përsosur me Perëndinë e tij. Intimiteti i vërtetë me Perëndinë fillon pikërisht aty ku mbaron shtirja. Ai që formoi zemrën tuaj është gjithashtu i vetmi që mund ta shërojë atë plotësisht. Perëndia mund të pastrojë vetëm atë që ju jeni të gatshëm të zbuloni para tij.

Çmimi për të ndjekur Jezusin përfshin cenueshmërinë dhe guximin për të qenë i çiltër përpara Perëndisë. Kur ne i hapim zemrat tona, hiri i tij rrjedh lirshëm në vendet më të thella të dhimbjes sonë. Plagët e fshehura nuk mund të shërohen në errësirë; përkundrazi, ato përkeqësohen kur fshihen. Mirëpo kur nxirren në dritë, ato humbasin fuqinë e tyre. Transparenca nuk është dobësi; është një formë adhurimi dhe një ftesë për të vërtetën e Perëndisë që të na bëjë të plotë. Drita e tij i shëroftë plagët tuaja dhe hiri i tij e plotësoftë zemrën tuaj. — Rev. Shadrack Ogwal

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë të hetojë zemrën tuaj.

#FjalëtEShpresës#ZemërEHapur#HirQëShëron#DritëDheEVertetë

Tags: No tags