Dita 30 | Lexoni nga Veprat e Apostujve 8:26-40
Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem? (v. 36)
Ministri i Thesarit të Etiopisë, po kthehej në shtëpi pas një udhëtimi në një kryeqytet të huaj, kësaj here jo për të folur për financat, por për të marrë pjesë në adhurim. Ai kishte udhëtuar deri në Jerusalem në një pelegrinazh në kërkim të urtësisë frymërore, dhe gjatë kthimit, po lexonte një dorëshkrim të profetit Isaia, kur papritur një i panjohur iu afrua karrocës së tij. Ky djalosh, me emrin Filip, e pyeti etiopasin nëse i kuptonte ato që po lexonte. Ai u përgjigj: “Jo”, dhe e ftoi Filipin që të ulej bashkë me të e ta ndihmonte për të kuptuar tekstin. Pjesa nga Isaia 53:7-8, shërbeu si fillesë për Filipin që t’i shpallte Lajmin e Mirë të Jezusit, se si Jezusi, ishte dorëzuar si një qengj, në mënyrë të padrejtë drejt vdekjes.
Sapo dalloi një vend me ujë, ministri i thesarit, i bëri këtë pyetje Filipit: “Çfarë më pengon të pagëzohem?”. Me fjalë të tjera, a mund të përfshihen në komunitetin tuaj njerëz si puna ime; pra një johebre, një eunuk, një njeri i “papastër”, apo jo? Përgjigja e Filipit kuptohet më së miri prej sjelljes së tij. Ai zbret nga karroca dhe bashkë me burrin i afrohet ujit, më pas e pagëzon atë, duke e pranuar kështu në komunitetin e ndjekësve të Jezusit. Me këtë veprim Filipi shpall se uji është më i trashë se gjaku. Uji i pagëzimit të krishterë nuk merr parasysh as origjinën etnike, as racën, as gjininë dhe asnjë shënjues tjetër të natyrës njerëzore. —Steven Bouma-Prediger
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju kujtojë se identiteti juaj i vërtetë gjendet në Krishtin.

