Jam i mahnitur

Print

Titulli: Jam i mahnitur (pjesa 1)

Tema sot është shumë e bukur dhe nuk mund të rri pa përmendur se, edhe unë mahnitem se si funksionojnë sytë tanë; mahnitem prej atyre mijëra kilometra enë gjaku që ndodhen në trupin tonë; dhe të gjitha shtysat nervore që ka truri ynë.

Mahnitem prej raporteve njerëzore dhe se si disa mund të jenë të sigurta, të thella dhe të tjerat të jenë të vështira dhe dëmtuese.

Por mbi gjithë këto ekziston diçka tjetër që më mahnitet.

Më mahnit fakti që Perëndia, i Plotfuqishmi, Krijuesi i universit, Ai që sundon mbi gjithçka, Perëndia Madhështor …më njeh mua personalisht! Po Ai më njeh. Ai e di emrin tim.

Ai i njeh ëndrrat e mia. Ai i njeh nevojat e mia. Unë e di që ka miliarda njerëz në këtë botë, por Perëndia më njeh mua….individualisht dhe personalisht!

Të njëjtën mahnitje ndiejmë kur lexojmë psalmin 139. ky është një psalm që të mahnit.

Ky është një psalm shumë i çmuar për të gjithë ne.

Davidi po mendonte për faktin se Perëndia e njeh atë, e njeh me të vërtetë. Ky mendim thotë ai është kaq i mrekullueshëm sa që nuk mund ta heq nga mendja ime.” Dhe ai është kaq i sigurt në këto mendime sa që e fton Perëndinë ta hetojë atë brenda dhe jashtë.

Pyes veten se si ndihesh kur njerëzit të njohin mirë. Njohja e njerëzve është një proces goxha delikat, apo jo?

Ndonjëherë shkon mirë, ndonjëherë jo. Ndonjëherë duam t’i njohim njerëzit, ndonjëherë jo. Disa njerëz që ne njohim i rezistojnë kësaj. Ata nuk duan që të tjerët të dinë gjithçka për ta. Ata preferojnë të kenë privacinë e tyre. Ata mendojnë se ky është vendi i sigurisë së tyre. Ndoshta për shkak se janë introvertë, dhe kjo i bën të mos ndihem mirë kur kanë njerëz pranë.

Kjo ndodh sepse ata janë të frikësuar se nëse të tjerët do t’i njohin mirë, ndoshta nuk do t’i pëlqejnë, ose nuk do t’i duan. Prandaj ata tërhiqen në kërkim të sigurisë. Ose kanë diçka për të fshehur, që të tjerët nuk duhet ta marrin vesh.

Pra cilado qoftë arsyeja, ata nuk duan që të tjerët t’i njohin më mirë. Prandaj disave u duket shumë e vështirë të jenë transparentë me të tjerët,  që të tjerët të kuptojnë se si janë në të vërtetë.

A je ti, një ndër ata persona që nuk i le të tjerët të të njohin më mirë? Nëse po, atëherë ky psalm do të vërë disi në siklet.

Por shumë njerëz të tjerë do të donin të njiheshin më mirë me të tjerët. Disa njerëz janë ekstrovertë, sa më shumë njerëz që njohin, dhe sa më shumë që njihen nga të tjerët, aq më mirë ndihen. Ata marrin jetë prej këtyre marrëdhënieve.

Të tjerët do të donin që të njiheshin me shumë njerëz sepse janë të vetmuar. Rrethanat e jetës së tyre, i detyrojnë të kalojnë shumë kohë vetëm, ose këta njerëz janë të panjohur në qytet apo në kishë dhe, shpesh ndihen të pa rëndësishëm sepse nuk kanë shumë marrëdhënie të ngushta me të tjerët.

Por ka edhe plot njerëz të tjerët që do të donin të njiheshin më mirë nga të tjerët sepse ndihen të paragjykuar apo të keqkuptuar. Ata ndiejnë dhimbjen e vetmisë që duket sikur thotë: “Nëse do të kaloje më shumë kohë me mua, do të ndryshoje mendim.”

Këto dëshira dhe rreziqe bëhen edhe më të dukshme kur fillojmë të themi se Perëndia na njeh.

Nëse ti nuk i lejon të tjerët që të njohin unin tënd të vërtetë, atëherë si do të ndiheshe kur Davidi thotë se Perëndia të njeh ty shumë mirë?

Ose nëse je një person që dëshiron të kesh marrëdhënie me të tjerët, po kështu që edhe ata të të njohin ty më mirë, atëherë a do ta mirëprisje këtë edhe nga Perëndia?

Thelbi i këtij psalmi të Davidit është se njohja e Perëndisë për të është e plotë dhe gjithëpërfshirëse.

Dëgjoni se sa përfshirëse janë fjalët e tij. Në vargun e parë ai tregon faktin se Perëndia nuk na vëzhgon thjesht nga jashtë, por ai na njeh sepse na ka hetuar.

Kjo do të thotë se njohja e tij për ne bazohet në shqyrtimin që ai bën brenda nesh. Më pas dëgjoni se si vazhdon ai: Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Këtu ai po reflekton rreth karakterit të Perëndisë së gjithëdijshëm. Pra ai di gjithçka. Kjo ndërtohet mbi bazën e karakterit të Perëndisë, një prej atributeve të tij.

Ndërsa ne nuk jemi kështu. Ne jemi të kufizuar në ato që dimë, ose mund të dimë. Ne mund të dimë vetëm pak për një periudhë, dhe shumë në një periudhë tjetër.

Njohja jonë është e kufizuar. Por njohja e Perëndisë nuk është e kufizuar. Ai di gjithçka, gjithmonë.

Dhe fjala që Davidi përdor këtu është goxha e madhe dhe e thellë. Ajo nuk i referohet mbledhjes së shpejtë të fakteve, apo përshtypjeve, të cilat mund të jenë ose jo të sakta. Ai nuk thotë vetëm: “Oh, unë e di se kjo është rruga e duhur”, ose “unë e di se sot është e diel”.

Njohja e Perëndisë është bazuar në njohjen e thellë dhe të brendshme.  Ajo bazohet në eksplorim, shqyrtim, analizim të gjithë informacionit, saqë bëhet pjesë e Tij.

Pra ja ku kemi pamjen e një Perëndie që është kaq i lidhur me ne, sa që na heton nga brenda jashtë.

Nuk e di se sa të kujtohet jeta e Davidit, por për të kishte arritur një fazë kur për të jeta ishte bërë pak e frikshme, dhe e papëlqyer.

Davidi djalosh që qëndronte vetëm me delet në kodra natën mund ta mirëpriste hetimin e Perëndisë.

Po kështu do ta pranonte edhe Davidi që ia mbathi prej mbretit Saul, e që i duhej të fshihej nëpër shpella.

Po kështu mund ta mirëpriste hetimin edhe mbreti David që ishte frikësuar prej armiqve të fuqishëm, dhe kishte dërguar njerëz në beteja të përgjakshme kundër tyre.

Por çfarë mund të themi për pjesët e tjera në jetën e Davidit? Ka pasur raste kur ai ka dështuar si baba, si mund ta përballej ai me këtë?

Po çfarë mund të themi për kohën kur ai kreu tradhti me Bathshebën, dhe organizoi gjithçka që burri i saj të mbetej i vrarë në betejë. Çfarë do të bënte ai po ta mësonte Perëndia këtë?

Po, Davidi ia kishte frikën Perëndisë sepse Ai e njihte shumë mirë.

Mënyra se si ndihemi me veten tonë, do ti japë formë shumë gjërave. Ajo do të formojë personalitetin dhe përvojat tona dhe gatishmërinë për të qenë transparent me të tjerët.

Por më tepër formë jetës sonë do t’i japë fakti se si e konceptojmë ne Perëndinë, kush mendojmë ne se është Ai.

Nëse ndodh që kemi një pamje të Perëndisë së një tiran i keq, dhe jo tolerant, atëherë ka shumë mundësi që të ndihemi të frikësuar kur të mësojmë se ai na njeh shumë mirë.

Por nëse e kemi njohur atë si një Perëndi të dashur, të mëshirshëm dhe të hirshëm, atëherë me shumë mundësi jemi gati ta mirëpresim atë.

Me fjalë të tjera, nëse e njohim Perëndinë sikurse e përshkruajnë ungjijtë në Dhjatën e Re, si Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, që ka dhembshuri për ne dhe dëshiron kaq shumë që të na shpengojë përmes Birit të tij Jezus Krishtit, të mbulojë mëkatet tona, atëherë do të ndihemi të sigurt para faktit se ai na njeh shumë mirë.

Kështu e njihte edhe Davidi Perëndinë. Ai nuk i kishte lexuar ende ungjijtë, nuk kishte dëgjuar ende historinë e kryqëzimit të Krishtit, vdekjen dhe ringjalljen, por Davidi e njohu zemrën e dhembshur dhe të hirshme të Perëndisë.

Ndaj ai nuk është i frikësuar kur mëson faktin se Perëndia e heton atë dhe e njeh atë shumë mirë.

Kjo gjë i duket atij e mrekullueshme. Ai thotë se

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.” (v. 6).

Ai thotë: “Më drithëron zemra nga habia.”

A nuk e bën ai këtë me ty? Sigurisht që e bën me mua, veçanërisht kur e njoh atë si Perëndinë e Hirit, me anë të Jezus Krishtit.

Mendo pak, janë miliarda njerëz në këtë botë, në gjithë planetin, dhe Perëndia thotë se ai më njeh mua personalisht, nga afër. Të njeh ty nga afër.

Nuk është çudi që vargu i këtij psalmi pohon se: “ është e mrekullueshme” dhe “ jam i mahnitur!”

Tani le të shkojmë një hap më tej. Nëse Perëndia më njeh në mënyrë intime dhe shumë mirë, nëse ai është lidhur kaq ngushtë në dashuri me mua, atëherë unë nuk jam asnjëherë vetëm.

Ndjenja e vetmisë është një përvojë e pashmangshme në jetën njerëzore. Davidi e njihte këtë, ai kujton vetminë që ndiente teksa qëndronte me delet.

Ai kujton se sa i vetmuar ndihej kur i’u desh të arratisej për hatër të Saulit, që ky të mos e vriste.

Dhe sa i vetmuar ndihej kur biri i tij Absalomi po mundohej t’ia vidhte mbretërinë. Me siguri që ai e njihte vetminë që shumë drejtues ndiejnë herë pas here.

A e dije ti këtë? Me siguri që po. Të gjithë ne e dimë. Ndoshta ti ke humbur një të afërm që ishte shumë i dashur për ty.

Ndoshta ndihesh i braktisur nga një njeri që mendove se do të ishte besnik. Ndoshta është vdekja apo divorci, apo braktisja e çfarëdoshme. Vetmia është e bezdisshme. Por ky është mesazhi i Davidit. Ndoshta unë ndihem vetëm horizontalisht, pra në nivelin njerëzor. Por në një nivel tjetër. Më të lartë, nuk jam kurrë vetëm.

Perëndia më ka afruar kaq shumë pas vetes me dashurinë e tij, saqë unë nuk mund të shkoj askund larg pranisë së Tij, larg Frymës së Tij.